Kompanitë me dyshime për tenderin mbi gjysmë milion euro të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Një tender në vlerë mbi gjysmë milioni euro i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka ngritur dyshime tek kompanitë ofertuese se është favorizuar një nga kompanitë ofertuese.

Tre operatorë ekonomikë që kanë ofertuar në këtë tender, kanë paraqitur ankesat e tyre në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), apo siç njihet ndryshe Gjykata e Tenderëve. Dy nga operatorët pretendojnë se janë eliminuar nga gara në kundërshtim me kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe Rregullat e Prokurimit Publik.

Por, pretendimet e tyre, i ka hedhur poshtë OSHP-ja, duke i hapur rrugë Ministrisë të rekomandojë për kontratë kompaninë që ka ofertuar çmimin prej rreth 200 mijë euro më të lartë se kompania me ofertën më të lirë.

Pas vendimit të OSHP-së, Ministria e Punëve të Brendshme e ka rekomanduar për kontratë kompaninë ‘Infosoft Systems’, e cila kishte ofertuar me një vlerë prej 572 mijë euro.

Tri kompanitë të tjera kishin ofertuar çmime më të lira. Kompania që kishte ofertuar çmimin më të lirë ishte “Novus”, e cila kishte ofertuar 369 mijë euro, apo 200 mijë euro më e lirë.

Aktualisht tenderi nuk është i finalizuar në tërësi, pasi që ende nuk është nënshkruar kontrata.

Më datë 31 gusht 2022, MPB ka hapur tenderin ‘Ngritja e kapaciteteve në infrastrukturën e qendrës së të dhënave shtetërore’, me vlerë të parashikuar prej 580 mijë euro. Megjithëse tenderi ende nuk është finalizuar, por kontrata i është dhënë kompanisë së dytë me çmimin më të shtrenjtë të ofertuar.

Tenderi kishte për qëllim rritjen e hapësirës në sistemin e Qendrës Shtetërore të të Dhënave, në kuadër të Agjencisë Shoqërore të Informacionit (ASHI).

Kjo do të iu mundësonte agjencive të ndryshme shtetërore, ministrive dhe organeve të tjera shtetërore që t’i vendosin shërbimet e tyre në një infrastrukturë të përbashkët që çon në lehtësimin e integrimit dhe menaxhimit efikas të të dhënave.

Në këtë tender kanë aplikuar gjithsej pesë (5) kompani, si në vijim:

Nr. Ministrisë së Punëve të Brendshme Çmimi i ofertës
1. Ministrisë së Punëve të Brendshme Ministrisë së Punëve të Brendshme
2. Ministrisë së Punëve të Brendshme Ministrisë së Punëve të Brendshme
3. Ministrisë së Punëve të Brendshme Ministrisë së Punëve të Brendshme
4. Ministrisë së Punëve të Brendshme Ministrisë së Punëve të Brendshme
5. Ministrisë së Punëve të Brendshme 369,972.00 euro

Më datë 9 shtator 2022, MPB-ja kishte pezulluar këtë tender, pasi që kompania “Novus” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim. “Novus” ndër të tjera kishte kërkuar që të vendoset specifikë për një ekspert të certifikuar për konfigurimin e pajisjes, si dhe të ndajë specifikat e kërkuara në dy LOT-e.

Këtë kërkesë MPB e refuzoi më datë 13 shtator 2022 dhe ka vazhduar me procedurat e tenderimit. Më pas, “Novus” i ishte drejtuar OSHP-së me të njëjtin pretendim, të cilin kjo e fundit e kishte refuzuar duke u bazuar në vendimin e ekspertit shqyrtues.

Më 22 nëntor 2022 prapë është pezulluar ky tender, për shkak të ankesave të kompanive ‘Infosoft’ dhe ‘Virtuo’.

Të dyja ankesat janë refuzuar dhe prapë MPB ka vazhduar me tenderim, ndërsa kompanitë e kanë vazhduar ankimimin në OSHP.

Dyshimet për kurdisje të tenderit

Kompania “Virtuo” është ankuar se është eliminuar pasi që nuk ka ofruar pajisje të brendit “Dell”, ashtu siç është edhe platforma e këtij brendi.

Në përgjigjen e kërkesës për informacione shtesë të MPB-së drejtuar kompanisë “Virtuo”, thuhej se ‘kërkesa është që të rriten kapacitetet ekzistuese për Storage dhe Backup, kjo nuk nënkupton që pajisjet ekzistuese duhet të zgjerohen, por mund të ofrohen produkte tjera që janë kompatibile me platformën “VxBlock 1000”’.

Platforma e VxBlock1000 është e prodhuesit “Dell”. Një Autoritet Kontraktues në momentin kur harton specifikat teknike të një tenderi, nuk guxon që të specifikojë ndonjë brend të caktuar, pasi i bie që përshtaten specifikat për një prodhues apo furnizues të caktuar.

Në rastin konkret, Autoriteti Kontraktues apo MPB, në dosjen e tenderit nuk ka përmendur se pajisjet duhet të jenë domosdoshmërisht të infrastrukturës ekzistuese të prodhuesit Dell, por në përgjigjen e ofruar kompanisë “Virtuo” ka thënë se pajisja mund të jetë edhe e ndonjë prodhuesi tjetër përveç atij të “Dell”, por në atë mënyrë që të jetë kompatibile me platformën “VxBlock 1000”.

Gjykata e Tenderëve ka refuzuar ankesën e “Virtuo” me arsyetimin se me pajisjet e ofruara të brendeve si “Hitachi” dhe “Cohesity” edhe përkundër mundësisë për komunikim me anë të protokolleve të cekura, nuk janë pajisje kompatibile në infrastrukturën ekzistuese, pasi nuk janë në listën e pajisjeve të certifikuara që punojnë me “VxBlock 1000”.

listën e pajisjeve të certifikuara të “Dell” që punojnë me “VxBlock 1000”, janë vetëm pajisje të prodhuara nga vet “Dell”.

Në lidhje me këtë, është pyetur OSHP se pasi që në listën e prodhuesit “Dell” ka vetëm pajisje të këtij prodhuesi, a i bie se ka përshtatje të specifikave, si dhe pse është pyetur vetëm ky prodhues ku në këtë rast është palë interesi dhe pse nuk janë pyetur zyrtarisht edhe prodhuesit tjerë që kompania ka ofruar, se a janë pajisjet e tyre kompatibile me platformën.

Në përgjigjen e ofruar, OSHP e ka “hedhur topin” tek ekspertët e përcaktuar në trajtimin e ankesës, duke thënë se iu beson atyre pasi janë profesionistë dhe të pavarur.

OSHP-ja ka “premtuar” se në lidhje me këtë tender do të veprojë me integritet profesional konform ligjit.

“OSHP konsideron se në rastin konkret kemi të bëjmë me specifikime teknike për të cilat kanë dhënë mendimin e tyre profesional dy ekspertë me të cilin mendim është pajtuar Paneli shqyrtues i OSHP. Mirëpo paneli shqyrtues i OSHP-së do të veprojë me integritet profesional dhe konform kompetencave të parapara” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Çka thonë ekspertët e angazhuar nga OSHP?

Ekspertët e caktuar nga OSHP për të trajtuar ankesat e dy kompanive kanë qenë Ilir Halili dhe Ernest Kërqeli.

Në Raportin e ekspertëve pranohet se pajisjet e ofruara nga “Virtuo” kanë mundësi komunikimi me platformën “VxBlock 1000”, por sipas tyre, nuk janë kompatibile pasi që nuk janë në listën e prodhuesit “Dell”.

“Ankesa e “Virtuo” është e pa bazuar pasi pajisjet e ofruara si “Hitachi” dhe “Cohesity” edhe përkundër mundësisë për komunikim me anë të protokolleve të cekura, nuk janë pajisje kompatibile me infrastrukturën ekzistuese, pasi nuk janë në listën e pajisjeve të certifikuara që punojnë me “VxBlock 1000”” – thuhet në konstatimet e bëra nge ekspertët në raportin e dërguar tek Bordi i OSHP-së.

OSHP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen se pse nuk janë pyetur prodhuesit si “Hitachi” apo “Cohesity” se a janë pajisjet e tyre kompatibile me platformën e lartcekur, si dhe a ka përshtatje të specifikave, duke marrë parasysh që ekspertët janë bazuar në listën e prodhuesit “Dell”, që është palë interesi.

“Me rastin e vendosjes në këtë rast, Paneli ka konsideruar se mendimi i dhënë në raportin e ekspertizës është i pranueshëm dhe si rrjedhojë, mendimi i ekspertit shqyrtues konsiderohet opinion i pavarur i panelit shqyrtues të OSHP” – thuhet në përgjigjen e OSHP.

Më 23 shkurt 2023 kompania “Infosoft” me çmimin e ofertuar prej 572 mijë e 137 euro është rekomanduar për kontratë, ndërsa më datë 20 mars 2023 kësaj kompanie i është dhënë kontrata. Më 24 mars ishte parashikuar nënshkrimi i kontratës, por deri në publikimin e këtij artikulli në platformën e prokurimit nuk është publikuar ndonjë njoftim për nënshkrimin e kontratës.

Kompania “Infosoft” është e dyta për nga çmimi më i lartë i ofertuar.

Kompania “Novus” është eliminuar me arsyetimin se është e papërgjegjshme kurse “Virtuo” është eliminuar sepse oferta është cilësuar si teknikisht e papranueshme për shkak të pajisjeve të ofruara. Oferta e “Botek” është cilësuar teknikisht e papranueshme ndërsa “Asseco” është eliminuar për shkak se nuk ka qenë ofertuesi me çmimin më të ulët.

 

Deklaratë mohimi:

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ apo të Bashkimit Evropian.