Kompanitë e lidhura me Devollin dhe "Bau Holding" mësyjnë "Grand Hotelin"

Një nga ndërtesat më ikonike të Prishtinës, hoteli “Grand Hotel” ka mbetur në mëshirën e investimeve potenciale. Momentalisht ky hotel është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Mirëpo, kjo mund të ndërrojë shumë shpejt pasi që 3 kompani kanë shprehur interesim për të investuar në “Grand Hotel”, dikur një nga hotelet më të mëdha në Kosovë.

Komisioni ndërministror për Investime Strategjike që kryesohet nga Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, kishte njoftuar më 18 nëntor se 3 kompani kanë shprehur interesim për të qenë investitorë potencialë në “Grand Hotel”

“Komisioni i dha dritën e gjelbër me vota unanime formimit të grupit operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve për Statusin Investim Strategjik të “Hotel Grand” për të cilin kanë shprehur interesim tre investitorë të mundshëm strategjikë: Abrazen LLC, Bau Investment LLC dhe Hill Rome LTD”, thuhet në njoftimin e 18 nëntorit të këtij viti.

Historia për të marrë në pronësi “Grand Hotel” është e gjatë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com tha se këtë të premte do të ketë një mbledhje të Komisionit ndërministror ku pritet të trajtohet raporti i ekspertëve mbi aplikimet e 3 kompanive mbi “Grandin”.

“Momentalisht është në grup operacional. Ekipi prej ekspertëve është duke i trajtuar aplikimet. Nuk kemi ende një raport, tash presim me na sjellë një raport grupi operacional dhe pastaj ne si Komision ndërministror e trajtojmë raportin e këtij grupi”, tha ministri Krasniqi

“Të premten e kam takimin e Komisionit ndërministror, pres që të ma sjellin raportin dhe pastaj e trajtojmë, e votojmë edhe shkon për Qeveri, nëse është në rregull. Nëse nuk është, e kthejmë mbrapa”, tha ministri Krasniqi.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte provuar dy herë për të dhënë në privatizim, mirëpo për shkak se investitorët nuk i kishin dalë zot, kjo pronë ishte rikthyer përsëri në pronësi të AKP-së.

Kush janë kompanitë që po e duan “Grand Hotelin”?

Deri më tani, sipas njoftimeve zyrtare janë 3 kompani që ia kanë mësyrë “Grand Hotelit”.

“Abrazen L.L.C.”, është njëra nga kompanitë që ka shprehur interes për të investuar në ndërtesën në qendër të Prishtinës.

Pronar i “Abrazen L.L.C”. është kompania “Abrazen LTD” me bazë në Maltë. Blerim Devolli ka qenë drejtor në kompaninë “Abrazen” në Maltë e më vonë drejtor është bërë ish-drejtori i kompanisë “Birra Peja” që është në pronësi të Blerim Devollit.

Lidhjet e kompanisë “Abrazen L.L.C.” me kompaninë “Devolli Group”, që është në pronësi të Blerim Devollit dëshmohen në një dokument që është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në të cilën tregohet se “Devolli Group” është riemërtuar në “Abrazen L.L.C”.

“Bau Investment L.L.C.”, është kompania tjetër e cila po ashtu ka shprehur interes për të investuar në “Grand Hotel”.

Kjo kompani është regjistruar në Kosovë dhe regjistrimin në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve e ka bërë më 1 tetor të këtij viti.

Pronarë të “Bau Investment” janë “BAU HOLDING L.L.C.” me 95% të aksioneve dhe “A.S.H. Immoservice GmbH” me 5%.

Pronar i “BAU HOLDING L.L.C” është Bajram Gashani dhe sipas të dhënave në ARBK, kjo kompani ka kapital prej 1,965,124.00€.

Në bazë të postimit të bërë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kompania tjetër që ka shprehur interes për të investuar në “Grand Hotel” është “Hill Rome LTD”.

Kjo kompani figuron pronare e një biznesi në Kosovë që quhet “Hill Rome Kosovo”.

Përfaqësuesi i “Hill Rome Kosovo”, figuron Granit Imeri. I kontaktuar nga KALLXO.com, Imeri ka thënë që nga muaji prill nuk është duke punuar në këtë kompani. Ai nuk ka pranuar të japë asnjë informacion për pronarët e kompanisë e as së kënd e ka pasur drejtor gjatë kohës sa ishte në këtë kompani.

Mirëpo, nëse kërkon në internet për këtë kompani, të dërgon në vetëm një web-faqe në të cilën thotë se kompania është themeluar në vitin 2016.

“Hill Rome” është një kompani ndërkombëtare e shërbimeve me zyra dhe projekte në British Virgin Island, Qipro dhe disa në Greqi. Hill Rome u themelua në vitin 2016 në Torotla, British Virgin Island”, thuhet në web-faqen e kësaj kompanie.

Themeluesit e kësaj kompanie kanë njoftuar se janë të vendosur me zyrë në Qipro, por janë themeluar në Britisht Virgin Island.

Sipas të dhënave zyrtare të British Virgin Island, në këtë shtet janë mbi 370 mijë kompani të regjistruara, derisa popullsia është rreth 35 mijë banorë. BVI janë të njohur si parajsa tatimore dhe njëkohësisht për regjistrimin e bizneseve ofshore, ku ndër të tjera pronarë nuk janë publikë.

Mirëpo për këtë kompani mungojnë të dhënat se kush është pronari.

“Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë. Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel. Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësoe për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin sërish në pronësi.

Ligji për Investime Strategjike, përmes të cilit po synohet të privatizohet “Grand Hotel”, pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.

Prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji u jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.