ILUSTRIM

Kompania që u diskualifikua për mashtrim, nuk kishte përmbushë kontratën edhe në një komunë tjetër

Gjykatat e tenderëve, OShP, e ka diskualifikuar nga aktiviteti i prokurimit: “Furnizim me gjenerator për komunën  e Junikut Ri-tender”, kompaninë “As Tech” Sh.P.K., pasi nuk e kishte përmbushur kontratën siç kishte ofertuar apo kishte mashtruar Komunën e Junikut.

Këtë vendimi kompania “As Tech” Sh.P.K. e konsideron të padrejtë dhe thotë se do ta dërgoj në Gjykatë.

Mirëpo, KALLXO.com ka gjetur edhe një rast ku e njëjta kompani nuk kishte përmbushur kontratën në komunën e Klinës, me ç’ rast i ishte shkëputur kontrata.

Organi Shqyrtues e ka aprovur të bazuar kërkesën e Komunës së Junikut për diskualifikim nga aktiviteti i prokurimit për funrizim me gjeneratorë  kompaninë “As Tech” Sh.P.K.

“Aprovohet se i bazuar kërkesa e autoriteti kontraktues “Kuvendi Komunal Junik” për diskualifikimin për pjesëmarrje në prokurimi publik të OE “As Tech” ShPK – Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me gjenerator për komunën  e Junikut Ri-tender” , me nr. Prok: 636-20-5524-1-3-6”, thuhet në vendim.

Kompania u diskualifikua me arsyetimin se ishte vërtetuar se nuk kishte kryer furnizimin me produktit siç kërkohej me kontratë dhe dosjen e tenderit sikur e ka dhënë deklaratën me shkrim, duke mashtruar Autoritetin Kontraktues me gjeneratorë me specifika të ndryshme nga ato siç ishin kërkua në dosjen e tenderit.

OShP kishte vendosur t’ia ndaloj pjesëmarrjen në prokurim publik për 6 muaj.

“Operatori në fjalë diskualifikohet në periudhë prej 6 muajve, të njëjtit operator ekonomik i ndalohet pjesëmarrja në aktivitet e prokurimit publik në Republikën e Kosovës që nga data 15.02.2021 deri 14.08.2021”, thuhet në vendimin e OShP-së.

OShP-73-21 vendim ne kerkesen per diskualifikim
OShP-73-21 vendim në kërkesën për diskualifikim

 

Kronologjia e tenderit

Më datën 21 shtator të vitit 2020, Komuna e Junikut inicioi aktivitetin e prokurimit për t`u furnizuar me gjeneratorë për nevojat e veta.

Për këtë tender, Komuna kishte planifikuar të shpenzonte deri në 9,900 euro, mjete këto të financuara nga Buxheti i Kosovës.

Procedura e prokurimit, ishte koutimi i çmimit me kritere të dhënies së kontratës çmimi më i ulët.

Sipas njoftimit në “e-prokurim”, me datën 27 tetor 2020, Komuna e Junikut bën të ditur se kishte përzgjedhur kompaninë “As Tech” Sh.P.K.,  e cila do ta bënte këtë furnizim me çmim prej 9,500 euro, me të cilën kompani edhe nënshkroi kontratë Komuna e Junikut.

Në bazë të procesverbalit të hapjes, për këtë aktivitet të prokurimit kishin konkuruar tri kompani. Ndonëse, kompania e rekomanduar për kontratë nuk ishte me çmimin më të ulët, ishte rekomanduar për kontratë pasi që oferta me çmimin më të lirë ishte vlerësuar se administrativisht ishte e pa përgjegjshme.

Në vendim thuhet se, Komisioni vlerësues, bazuar në kërkesat e dosjes së tenderit dhe kriterit për dhënie të kontratës, ka rekomanduar që kontrata t`i jepet kompanisë në fjalë, sepse ishte tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.

OE -As Tech Sh.P.K
OE -As Tech Sh.P.K.

Pas kalimit të afatit për ankesa, Komuna kishte nënshkruar kontratën me kompaninë e rekomanduar me datën 28.10.2020 dhe ekzekutimi do të duhej të bëhej menjëherë pas nënshkrimit dhe jo më gjatë se 60 ditë.

Kompania që u shpërblye me kontratë, diskualifikohet

Problemet në tenderin për t’u furnizuar me një gjeneratorë, filluan me ekzekutimin e kontratës, kur duhej të bëhej furnizimi.

Me datën 29.01.2021, Komuna e Junikut kishte dorëzuar në OShP, kërkesën për marrjen e masave nga neni 99 pika 2 e Ligjit për Prokurimit Publik (LPP), për kompaninë “AS Tech” Sh.P.K.,  për ta diskualifikuar në një periudhë një vjeçare nën arsyetimin se i njëjti është vërtetuar se nuk e ka kryer furnizimin me gjenerator sipas specifikave të aneksit 1 të Dosjes së Tenderit sikur e ka dhënë deklaratën me shkrimin dhe ka sjellë komplet tjetër furnizim.

Komuna në OShP sqaron se operatorët ekonomik në tender janë të obliguar t’i dorëzojnë të vulosura dhe nënshkruar deklaratën e garancionit sipas specifikimeve teknike të aneksit 1, të kësaj dosje të tenderit.

“Kontraktuesi me tenderin e tij, i ka dorëzuar Specifikat teknike të paraqitura në Aneksin 1, të Dosjes së Tenderit të nënshkruar dhe vulosura si dhe deklaratën e vulosur si dhe deklaratën e garancionit, katalogut të furnizimit, edhe deklaratën me shkrim me të cilën ka deklaruar se do ta kryej furnizimin brenda afatit prej 60 ditëve”, thuhet në vendim.

Tutje thuhet se pas porosisë nga njësia kërkuese, kompania me datën 04.12.2020 e ka bërë furnizimin por komplet ndryshe dhe jo sipas specifikimeve teknike. Përkundër disa tentimeve, shkresave dhe komunikimeve elektronike, kontraktuesi nuk e ka kryer furnizimin përkundër se i është dhënë një afat shtesë prej 15 ditëve.

Pas tri vërejtjeve të dhëna, po ashtu edhe pas shkresave, thuhet se kompania nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe Menaxheri i Projekti kishte rekomanduar që kompania të futet në listën e zezë për shkak të mashtrimit, andaj ata e kanë aprovuar rekomandimin e Menaxherit dhe me datën 28.12.2020 kompanisë ia kanë shkëputur kontratën.

Në vendim gjithashtu përmendet edhe sqarimi i ekspertit shqyrtuese, ku thotë se në bazë të nenit 99.2 të LPP-së, dhe neni 26.8 të RUOPP-së, marrja e masave nga OShP-ja, ndaj operatorëve ekonomik pjesëmarrës në aktivitetin e prokurimit vjen në shprehje atëherë nëse operatori ekonomik pjesëmarrës ka prezantuar dokumente të falsifikuara, ose nuk e përmbushin kontratën e nënshkruar.

OShP përmes e-mailit ka kërkur sqarime nga fituesi i tenderit, në përgjigjen e kompanisë drejtuar OShP-së, në mes tjerash thuhet se gjykata është kompetente të interpretoj ligjin për kontratën e nënshkruar.

“Tani ne jemi në një konstant që lidhë me zbatimin respektivisht implementimin e kontratës dhe kontrata si e tillë mund të apelohet në gjykatë dhe gjykata është organi kompetent i cili interpreton dispozitat e një kontrate të nënshkruar pasi që me aktin e nënshkrimit, kontrata ësht ligj mes palëve”, citohet të jetë përgjigjur kompania “As Tech” Sh.P.K.

Tutje thuhet se në çdo kontratë publike ceket se në rast se vjen deri te mosmarrëveshja atëherë tentohet të bëhet zgjidhje miqësore, arbitrarisht apo përmes gjykatës kompetente.

Kompania pretendon se nuk është në kompetencën e OShP-së të ndërhyjë në mes palëve kontraktuese.

“Andaj konsideroj se nuk është kompetencë të OShP-së, të ndërhyjë në kushtet kontraktuese, pavarësisht se a ka një kërkesë të tillë, që për ne konsiderohet krejtësisht jo ligjore, kontrata parasheh edhe mundësinë e dështimit – qoftë nga AK, qoftë nga OE, por për këtë në dosje respektivisht në kontratë parashihen dispozita të sanksionit respektivisht penalizmit që duhet të ndjeken nga palët kontraktuese”, përgjigjet kompania fituese e tenderit.

Paneli Shqyrtues duke u bazuar në deklarimin e AK-së, konstaton se OE i rekomanduar për kontratë për dhënie të kontratës OE “AS Tech “ Sh.P.K., ka dhënë deklaratë të rrejshme ngase në deklaratën e dorëzuar se plotëson kërkesat e kërkuara në aneksin 1 të dosjes së tenderit dhe i ka nënshkruar duke i pranuar si të tilla, kurse pas nënshkrimit të planit për menaxhimin e kontratës e ka furnizuar me gjenerator i cili ka qenë komplet ndryshe ku me të drejtë menaxheri i kontratës nuk e ka pranuar furnizimin.

Më tej, Paneli Shqyrtues konstaton se dorëzimi i gjeneratorit nga ana e OE  të rekomanduar për dhënie të  kontratës OE “AS Tech” Sh.P.K., në kundërshtim me specifikat teknike, tjetër gjenerator ka ofruar me dokumente ofertuese dhe tjetër gjenerator në implementimin e kontratës,  e konsideron si mashtrim.

“…konstatojmë se një veprim i tillë konsiderohet mashtrim dhe për veprim të kundërligjshëm të bërë nga ana e OE “AS Tech”, Sh.P.K., Prishtinë, i njëjti OE diskualifikohet nga pjesëmarrja në aktivitetin e prokurimit në pajtim me nenin 99 paragrafi 2 i LPP-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me përfaqësuesin e kompanisë “As Tech” Sh.P.K, Afrim Sadiki, i cili përmes telefonit ka thënë se iu është bërë e padrejtë dhe do t’i drejtohen Gjykatës.

“OShP na e ka ba të pa drejtë, kështu që na veç e kemi përgatitur lëndën për Gjykatë edhe tash te këqyrim ku po na lë Gjykata”, tha Sadiki.

Sadiki thotë se ka vendime që i kanë marrë një-anshëm, dhe sipas tij për punë të ngjashme, njërin operator e fusin në listën e zezë e tjetrin jo.

Ai më tej përmend se ka ardhë një vendim prej Qeverisë dhe KRPP-së që në kohë pandemie mos të bëhej presion ndaj bizneseve, operatorëve ekonomik në implementimin e kontratave. Gjithashtu Sadiki shton që asnjëherë nuk ka thënë se nuk e kryen furnizimin në Komunë të Junikut dhe sipas tij OShP dhe Komuna e Junikut kanë marrë vendim të një-anshëm kur është shkëputur kontrata pa dijeninë e kompanisë fituese “As Tech” Sh.P.K.

Vendimi tjetër për mos përmbushje të kontratës

Sipas një vendimi të datës 17 nëntor 2020, të Komunës së Klinës, i është ndaluar shpërblimi me kontratë kompanisë së njëjtë, “AS TECH”, Sh.P.K. nga Prishtina.

Në arsyetimin e këtij vendimi, Komuna e Klinës thotë se kompania në fjalë nuk arriti ta përmbushte kontratën.

“O. E. nuk ka arrit të përmbush kontratën nr. 34/2020 protokol 01-344-16388/20 të datës 14.07.2020 me titull” Furnizim -Montim me Televizor për sallën e Konferencave me numër Prokurimi 634-20-2801-2136/634-20-40-136-lot 1 “. O.E ” AS TECH SHPK SHPK nga Prishtina përkundër kërkesave të Njësisë kërkuese –Menaxherit të kontratës, nuk ka realizuar Furnizimet e kontraktuara”, thuhet në arsyetimin e komunës së Klinës.

KALLXO.com, ka siguruar kontratën në bazë të së cilës, palët ishin marrë vesh që të kryhej furnizimi me një Televizor 4k me madhësi prej 70 INQ, me të gjitha pjesët përcjellëse me gjithësej 955.80 euro, gjithashtu edhe varëse për televizor në mur me instalim me vlerë gjithsej 241.90 euro.

Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 1,197.70 euro.

VENDIM-PER-PENALIZMI-TE-O.E-AS-TECH
VENDIM-PËR-PENALIZMI-TË-O.E.-AS-TECH

Afrim Sadiki nga kompania “As Tech “Sh.P.K., për KALLXO.com ka thënë se e kanë nënshkruar një kontratë me komunën e Klinës, mirëpo nuk është në dijeni se ku kanë mbetur.

“Nuk e di, nuk jam në dijeni për këtë punë. E di që e kena nënshkru një kontratë, është kanë një koutim, po procedura qysh ka shku dhe ku ka mbetë nuk e di, kështu që duhet me pyet menaxherin”, tha Sadiki.

Ai më tej shtoi se nuk e di saktë se çka ka mund të ndodhë me këtë kontratë mes tyre dhe komunës së Klinës.

KRPP me module për menaxhimin  e kontratave

Në kuadër të reformave në prokurimin elektronik, Komision Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), në konferencë e organizuar për media bëri të ditur se lansoi dy module që kanë të bëjnë me menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e operatorëve ekonomik.

I pari i KRPP-së, Osman Vishaj, tha se zbatimi i këtyre moduleve përfshinë më tepër sesa arkivimin e kontratave dhe dokumenteve sepse mundëson menaxhimin e kontratave publike përfshirë krijimin e planeve të menaxhimit të kontratës, si dhe vlerësimin e perfomrancës së kontraktorëve.

Në mes tjerash gjithashtu është bërë e ditur se nga vlerësimi i perfomancës synohet të ndërtohet një regjistër ri i të perfomancës së kaluar të operatorëve ekonomik që në të ardhmen të vendoset si kriter i vlerësimit gjatë vlerësimit të ofertave.

Drejtoresha nga Zyra për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it, Christina Davis, e përgëzoi Kosovën e veçanërisht KRPP-në, për guximin ndërsa tha se këto modulet adresojnë dobësitë në menaxhimin e kontratave.

“Dy modulet e reja për të cilat folëm, në platformën e e-prokurimit kanë për qëllim që ta adresojnë disa prej dobësive që mbeten në procesin e prokurimit. Konkretisht një pjesë e prokurimit që ka qenë më e thelluese nga korrupsioni që është menaxhimi i kontratave. Përkundër përmirësimeve të mëparshme në transparencën e prokurimit publik qytetarët e Kosovës vazhdojnë që të marrin shërbimet e cilësisë së dobët të cilat janë prokuruar në emrin e tyre”, tha ajo.

Sipas Davis, në shumicën e rasteve kjo ka qenë rezultat i menaxhimit të dobët nga ana e autoriteteve kontraktuese. Këto dy module do të ofrojnë një mekanizëm llogaridhënie ashtu që qytetarët e Kosovës të marrin shërbimet të cilat i kanë paguar me eurot e tatimeve të tyre.