Ilustrimi: Kallxo.com

Kompania që fitoi 29 kontrata në komunën e Drenasit 

Kompania “N.N.T Milazim Shala” ka fituar të paktën 29 kontrata e aneks-kontrata nga Komuna e Drenasit në vlerë prej 1,7 milionë euro. Kjo kompani i ka fituar këta tenderë nga komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci që nga viti 2018. Tenderët e fituar nga kjo kompani kishin të bëjnë me asfaltimin e rrugëve, grumbullimin e mbeturinave, kanalizim e kolektorë.

Kurse Komuna e Drenasit në një përgjigje të dhënë për KALLXO.com kishte deklaruar se kompania ka fituar tenderë, meqë i ka plotësuar kushtet dhe ka ofertuar çmimin më të lirë.

“Kompania në fjalë, sipas të dhënave të marra nga Zyra e Prokurimit, për tenderët e fituar, i ka plotësuar të gjitha kriteret, bazuar në njoftimet për kontratë dhe dosjet e tenderëve e po ashtu edhe kriterin e çmimit me të lirë”, thuhet në një përgjigje të dhënë nga Komuna e Drenasit për KALLXO.com.

KALLXO.com të dhënat për këta tenderë i ka grumbulluar nga në ueb-faqen Prokurimi i Hapur, në të cilën listohen kontratat e fituara nga kompani të caktuara.

Komuna e Drenasit thotë se të gjitha të dhënat janë të publikuar në “E-Prokurim”.

“Të gjitha këto të dhëna, janë publike dhe ato mund t’i gjeni në E-prokurim dhe ueb faqen zyrtare të Komunës së Drenasit”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Drenasit.

Në bazë të kërkimeve të bëra në ueb-faqen Prokurimi i Hapur, del që kompania “N.N.T Milazim Shala” i ka fituar 12 kontrata nga komuna e Drenasit vetëm në vitin 2018. Në vitin 2019 i ka fituar edhe 10 kontrata të tjera. Kurse, në vitin 2020 i ka fituar edhe 7 kontrata të tjera.

 

Biznesi me emrin zyrtar ‘N.N.T. Milazim Shala’ në ARBK është i regjistruar në vitin 2001. Kapitali nuk është i deklaruar, ndërsa është vetëm një pronar, Faton Shala.

Aktivitetet e përmendura janë: Ndërtimi i objekteve banesore dhe jobanesore; përgatitja e vendpunishtes dhe transporti rrugor i mallrave.

Kurse sipas deklarimit në ARBK, numri i punëtorëve është 3.

Kontratën e fundit e ka nënshkruar me 8 tetor 2020 për infrastrukturë dhe asfaltim të rrugëve në disa fshatra në vlerë prej 290 mijë euro.

Përveç dokumenteve që janë publike në Prokurimi i Hapur dhe në ueb-faqen e prokurimit elektronik, KALLXO.com ka analizuar raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Drenasit të tri viteve të fundit për të parë nëse në ndonjë prej kontratave të nënshkruara nga kjo kompani kishte shkelje.

Vetëm në raportin për vitin 2019, që është publikuar në muajin gusht, Auditori ka konstatuar se tri nga kontratat e nënshkruara nga kjo kompani kishte ndryshim të pozicioneve të kontraktuara gjatë zbatimit të tyre.

Kontratat në të cilat kishte ndryshime të specifikacioneve ishin: “Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatrat Arllat, Negroc, Gjergjicë, Llapushnik”, me vlerë 53,074 euro, “Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Shterticë, Verboc, Polluzh, Tërstenik I dhe II”, me vlerë 107,359 euro dhe “Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Llapushnik, Poterk dhe Vukoc”, me vlerë 128,056 euro”.

Vetëm për kontratën e parë, Auditori ka dhënë detaje rreth ndryshimeve të bëra gjatë zbatimit të kontratës.

“Te kontrata ‘Kanalizimi i ujerave të zeza në fshatrat Baicë, Krajkovë, Shtuticë dhe Verbovc’ në vlerë 74,601€, përveç rritjes dhe zvogëlimit në disa pozicione, ishte shtuar një pozicion prej 760€ (pa procedurë të veçantë të prokurimit) i cili nuk ishte fare në paramasën e kontraktuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Vlerësimi i dobët i nevojave ka rezultuar me kosto më të lartë të punëve dhe mos arritjes së vlerës për paranë e shpenzuar”, kishte konstatuar Auditori.

Këto tri kontrata ishin në mesin e 14 kontratave në të cilët Auditori kishte gjetur ndërrim të pozicioneve gjatë zbatimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, komuna e Drenasit thotë se nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë për të adresuar dobësitë e identifikuara nga Auditori meqë kishin përfunduar projektet.

“Projektet në fjalë kanë përfunduar brenda vitit kalendarik 2019, meqenëse kanë qenë projekte njëvjeçare dhe nuk ka mundur të ndodhin ndryshime në to pas publikimit të Raportit të Auditimit 2019 , i cili është publikuar në vitin 2020”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna e Drenasit është zotuar se në projektet që janë duke u realizuar në vitin 2020 janë marrë masat që dobësi të tilla të mos përsëriten.

“Drejtoria e Infrastrukturës Publike, gjatë realizimit të projekteve për vitin 2020, është duke marr masat e nevojshme me kohë për evitimin e ndryshimeve në projekte, nëse ndodhin do vazhdohet me proceduar përmes Zyrës se Prokurimit dhe aprovimit te ZKA-së”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Drenasit.

Ndryshimet gjatë zbatimit të kontratave 

KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumentet e kontratave që Auditori ka thënë se kishte ndryshim të pozicioneve gjatë zbatimit në praktikë të projekteve. Pas kërkesës për qasje në dokumentet zyrtare, Komuna e Drenasit ka dërguar dosjen e zbatimit të kësaj kontrate, duke përfshirë raportin e komisionit për pranim teknik të projekteve dhe punët e realizuara në teren.

Pas analizës së dokomenteve del se te kontrata për ‘Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Shterticë, Verboc, Polluzh, Tërstenik I dhe Tërstenik II’, me vlerë 107 mijë e 359 euro, është rekomanduar që të pranohen teknikisht punët, pasi janë realizuar kryesisht siç është paraparë në kontratë.

Në raport shpjegohet se disa prej situacioneve nuk janë bërë siç ka qenë në kontratë për shkak të “kushtëzimeve nga ana e banorëve gjatë procesit të punëve në teren”, por duke mos tejkaluar vlerën e kontratës dhe pozivioneve në paramasë dhe parallogari.

Tek asfaltimi, përkatësishst situacioni për ‘punimin e shtresës së asfaltit, furnizimi, transporti, shtrirja dhe ngjeshja, me trashësi t-8cm. Në të përfshihem zgjerimet nëpër kthesa, sjellja e mostrave të asfaltit’, sasia me metër katror ka qenë e kontraktuar 1,210m me vlerë totale 8,712 euro ndërsa janë kryer punimet me saasi 1,258m dhe me vlerë totale 9,062 euro.

Pra, dallimi është 350 euro. Tutje, tek asfaltimi i rrugës lokale në Tërstenik II, në segmetin e parë është vërejtur prapë ndryshim te pozicioni: Identifikimi i pusetave të kanalizimit fekal, furnizimi me material dhe ngritja e pusetave të kanalizimit fekal sipas standardeve teknike për rrugë deri në shtresën e asfaltit si dhe vendosja e kapakave metalik me aftësi mbajtëse prej 2.0t’, në punët e kontraktuara kanë qenë 10 copë me çmim 35 euro për copë e në total 350 euro, ndërsa në tabelën e punëve të kryera nuk figuron fare e kryer kjo punë, ndonëse ishte kontraktuar.

Ndryshime të vogla kishte edhe tek ‘Furnizimi, transporti, vendosja dhe ngjeshja e shtresës së tamponit me material guror’. Janë paraparë 168m2, ndërsa janë realizuar 244 m2 me një dallim në çmim prej 1,052 euro.

KALLXO.com ka analizuar edhe kontrata të tjera. Te raporti i zbatimit të kontratës ‘Kanalizimi i Ujërave të zeza në fshatin Arllat, Negroc, Gjergjicë, Llapushunik, Poterrk dhe Vukoc’ me vlerë 53,074 euro, gjithashtu ka pasur ndryshime në disa pozicione.

Në raportin e Organit Mbikëqyrës të punimeve thuhet se operatori ekonomik ka pasur vështirësi në kryerjen e punëve në fshatin Poterrk dhe Negroc, pasi që disa punime është dashur të kryhen në prona private, çka ka gjetur kundërshtimin e banorëve.

“Gjithashtu kanalizimi në fshatin Negroc ka mbetur në gjysmë të arave pasi një nga banorët nuk ka pranuar që të vazhdojë në pronën e tij private. Punimet kanë përfunduar sipas paramasës në pjesët e tjera, andaj ato gjatësi të cilat kanë përfunduar të pranohen teknikisht”, thuhet ndër të tjera në këtë Raport.

Në fund është rekomanduar që të bëhet pranimi teknik i punimeve.

“Punët e kontraktuara janë kryer kryesisht me kualitetin e kërkuar, janë prezantuar dëshmitë e nevojshme për kualitetin e materialeve”, thuhet në rekomandim.

Edhe në këtë kontratë ka ndryshime të punëve që janë kontraktuar dhe atyre të kryera.

Në gjithë ‘punët gjeodezike’, totali i punëve të kontraktuara është në vlerë 800 euro, ndërsa totali i punëve të kryera është 1 mijë e 502 euro. Pra dallimi është plot 702 euro.

Ndryshime të tjera prapë janë vërejtur në këtë kontratë te pozicionet ‘testimi i rrjetit’ apo ‘kthimi i terrenit në gjendjen e mëparshme’. Në një kategori janë kontraktuar sasia 1,500m me çmim total 750 euro, ndërsa tek punët e kryera figuron sasia e kryer 2,805m me çmim total 1,402 euro.

Është paraparë hapja e kanalit për vendosjen e rrjetit të kanalizimit në fshatrat Arllat, Negroc, Gjurgjicë të ishte me gjatësi prej 1,500 metrave, mirëpo në praktikë ishin shtruar 2,805 metra. Kjo kishte bërë që të ndryshohen disa pozicione tek këto fshatra. Në këtë kontratë ishte paraparë shtrimi i 1,000 metra rrjet të kanalizimit në fshatin Lapushnik, por nuk ishte realizuar fare.

Ndryshime kishte edhe te kanalizimi i paraparë për fshatin Vukovc, pasi nga 1,000 metratat e parapara janë shtruar 871 metra.

Edhe te kontrata ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Llapushnik, Poterk dhe Vukoc’ me vlerë 128,056 euro ka pasur ndryshime gjatë zbatimit të kontratës, të cilat ceken edhe në Raportin e Komisionit për pranim teknik të punimeve.

“Punimet nuk janë kryer tërësisht sipas paramasës, ka ndryshime në mes të paramasës dhe realizimit në teren, këto ndryshime janë evidentuar në librin ndërtimor nga organi mbikëqyrës i projektit”, thuhet në këtë Raport.

Tutje, aty thuhet se punët e kontraktuara ‘janë kryer kryesisht me kualitetin e kërkuar’ dhe janë prezantuar dëshmitë e nevojshme për kualitetin e materialeve.

Në fund, përkundër ndryshimeve në punët e kontraktuara dhe të kryera, punët janë pranuar teknikisht.

Ndërsa në Raportin e Organit Mbikëqyrës të punimeve thuhet se ndryshimet e bëra në këtë projekt në zgjerimet e rrugës, ngushtime, shkurtime e zgjatje të rrugës janë bërë si shkak i problemeve në teren, kryesisht kufizimi me prona private dhe kërkesa nga banorët për zgjatje të rrugës.

“Këto ndryshime janë bërë me aprovim të drejtorit të drejtorisë, menaxherit dhe organit mbikëqyrës dhe vlera e këtyre ndryshimeve nuk e kalon vlerën e përgjithshme të kontratës”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Organit Mbikëqyrës të komunës së Drenasit.

Në kontratën e radhës, atë të ‘Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatrat Baicë, Krajkovë, Vërboc dhe Shtuticë’, me vlerë 74 mijë e 601 euro, në Raportin e Organit Mbikëqyrës të punimeve, konstatohen ndryshime të punëve të kontraktuara dhe të kryera.

“Sa i përket punimeve të realizuara në fshatin Vërboc dhe Shtuticë përgjegjësinë e kanë mbikëqyrja dhe menaxheri të cilët mbikëqyrën punimet dhe realizuan situacionet dhe faturat për ato fshatra, ndërsa gjatë pranimit teknik nuk ishin të pranishëm mbikëqyrja dhe menaxheri në këto dy fshatra”, thuhet në këtë raport.

Edhe në këtë kontratë KALLXO.com ka analizuar punët e kontraktuara dhe punët e kryera. Në kategorinë ‘punët e dheut’, te ‘furnizimi me material dhe shtruarja e gypave të brinjëzuara…’ sasia e kontraktuar është 1,200 me çmim total 4,920 euro, ndërsa te punët e kryera figuron sasia 1,130 me vlerë totale 4,633 euro. Kurse ndryshimi total në këtë kategori është: 29 mijë e 130 euro punë të kontraktuara, ndërsa 27 mijë e 874 janë punë të kryera.

Tutje, te ‘Rregullimi i kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Krajkovë’ , në kategorinë ‘punët e montimit të tubave’ tek punët e kontraktuara është sasia 15 me çmim total 240 euro, ndërsa te punët e kryera figuron sasia 9.0 me çmim total 144 euro.

Ndryshimi total në kategorinë ‘punët e montimit të tubave’ është 717 euro punë të kontraktuara, kurse 544 euro punë të kryera. Ndryshimi është 173 euro.

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e kompanisë “N.N.T Milazim Shala”, Faton Shala më 4 shkurt. Ai është përgjigjur në telefon dhe pasi është pyetur për tenderët e fituar në Komunën e Drenasit, ka kërkuar që të kontaktohet më vonë. E më vonë, ai më nuk është përgjigjur.

Ndërsa, në një thirrje tjetër, të bërë më 10 shkurt, është lajmëruar një person tjetër dhe ka thënë Faton Shala nuk është aty dhe mund të kontaktohet më vonë. Shala sërish nuk është përgjigjur. Së fundmi është kontaktuar në me 14 tetor 2020, por nuk i është përgjigjur telefonatave.

Në të njëjtën ditë i janë dërguar pyetjet në një email të kompanisë që është dhënë në “njoftimet për dhënie të kontratës” që janë publikuar në “E-Prokurim, por deri në publikim të tekstit nuk është përgjigjur.

Disa prej kontratave 

Kompania “N.N.T Milazim Shala” (e njohur me emrin N.N.T “M.Shala”), më 4 korrik të vitit 2018, e kishte fituar tenderi për asfaltimin e rrugës në lagjen e dëshmorëve në fshatin Poklek i Ri. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 16,977 euro. Në të njëjtin muaj e kishte fituar edhe tenderin në komunën e Drenasit për ‘hapjen e kanaleve kulluese në rrugët ekzistuese’.

Vlera e përgjithshme e kontratës së nënshkruar ishte 8,480 euro. Tenderin tjetër për kanalizimin e ujërave të zeza në fshatin Krajkovë, kompaninë “N.N.T Milazim Shala” e kishte fituar më 14 gusht 2018, vlera e kontratës ishte 24,744 euro (LOT 1).

Edhe në muajin shtator 2018 “N.N.T Milazim Shala” kishte fituar tender për asfaltimin e rrugës në fshatrat Shtrubullovë dhe Krajkovë në vlerë 59,887 euro.

Po në muajin shtator Kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar kontratë për asfaltimin e rrugës lokale në fshatrat: Sankoc, Zabel i Epërm, Fushticë e Ulët dhe Fushticë e Epërme, në vlerë 61 mijë e 273 euro. Por, punë shtesë ishin dhënë për këtë projekt. Kontrata për ‘punë të paplanifikuara: Asfaltimi i rrugëve në fshatin Sankoc, Zabel i Epërm, Fushticë e Ulët dhe Fushticë e Epërme’ ishte nënshkruar më 13 nëntor 2018, në vlerë prej 3,685 euro.

Një tjetër tender Kompania “N.N.T  Milazim Shala” e ka fituar për asfaltim të rrugëve po ashtu në muajin shtator. Më 27 shtator të 2018 është nënshkruar kontrata për asfaltimin e rrugëve lokale në fshatrat  Gllobar dhe Baicë. Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate ishte 72,637 euro.

Edhe për këtë projekt ishte shfrytëzuar mundësia ligjore për nënshkrimin e kontratës për punë shtesë. Më 13 nëntor 2018 ishte nënshkruar kontrata për ‘Punë të paplanifikuara Asfaltimi i rrugës në fshatin Gllobar dhe Baicë’ në vlerë prej 7,200 euro.

Kompania “N.N.T Milazim Shala” kishte fituar prapë tender nga komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovcit për asfaltim të rrugëve. Tenderin për ‘Punë të paplanifikuara: Asfaltimi i rrugëve në fshatin Baicë – Tërsteniku II dhe Ndërtimi i rrugës në fshatin Baicë’ e kishte fituar më 16 nëntor 2018 dhe vlera e përgjithshme e kontratës ishte 24,889 euro.

Edhe rrugët e fshatit Poklek i ri ishin asfaltuar nga kompania “N.N.T  Milazim Shala”. Më 17 shtator 2018 ishte bërë njoftimi për kontratë për projektin ‘Rregullimi i trotuarit Droboshec dhe infrastruktura në lagjen e dëshmorëve në fshati Poklek i Ri’. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 20 mijë euro, por kompania “N.N.T Milazim Shala” e kishte fituar tenderin dhe më 6 nëntor 2018 e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 17,130 euro.

Asfaltimin e rrugëve kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte vazhduar edhe në fshatrat Komoran dhe Korreticë e Ulët. Një tender për asfaltim të rrugëve në këto fshatra  e kishte fituar më 20 dhjetor 2018 në vlerë të përgjithshme prej 59,620 eurove. Edhe për këtë projekt, Komuna e Drenasi e ka lejuar të nënshkruhet një kontratë për punë shtesë. Kontrata me procedurë të negociuar ishte nënshkruar më 27 maj 2019 dhe kishte një vlerë prej 5,950 euro.

80 mijë euro ishin planifikuar për projektin ‘Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Abri e Epërme’, i cili ishte projekt dy vjeçar. Tenderi ishte shpallur me procedurë të hapur, ndërsa kontratën e kishte fituar kompania “N.N.T  Milazim Shala”. Kontrata ishte nënshkruar më 20 dhjetor 2018 me një vlerë të përgjithshme prej 75,295 euro.

Tenderin e radhës nga komuna e Drenasit e kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar më 11 prill 2019. Kësaj here për ‘Mirëmbajtja e rrugëve e rendit të katërt me zhavorr’, i cili ishte projekt 3 vjeçar. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 32,090 euro.

Kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar edhe një tender prej komunës së udhëhequr Ramiz Lladrovcit, kësaj here për ‘Kanalizimin e ujërave të zeza për fshatrat Arllat, Negroc, Gjergjicë, Llapushnik, Poterk, Vukoc’. Kontrata është nënshkruar më 12 prill 2019 dhe vlera e përgjithshme ishte 53,074 euro.

Për kanalizim të ujërave të zeza kompania në fjalë kishte fituar edhe për fshatrat Baicë, Krajkovë, Shtuticë dhe Vërbocë. Vlera e kësaj kontrate ishte 74,601 euro dhe ishte nënshkruar po ashtu me 12 prill 2019.

Një nga punët e prezantuara nga kompania N.N.T “Milazim Shala” në profilin e kompanisë ||Foto: Facebook

‘Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Shtuticë, Verboc, Polluzhi, Terstenik I dhe Terstenik II’ ishte tenderi tjetër që kompania në fjalë e fitoi si operator ekonomik bashkë me kompaninë ‘Bujar Shabani’. Kontrata ishte nënshkruar më 12 qershor 2019 dhe vlera e përgjithshme e kësaj kontrate ishte 107,359 euro. Një tjetër kontratë për këtë tender ishte nënshkruar me datë 25 tetor 2019, në vlerë prej 39,064 euro, si faza e dytë e projektit.

Kompania “N.N.T  Milazim Shala” i kishte asfaltuar edhe rrugët e tri fshatrave tjera. Më 24 qershor 2019 e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 128,056 euro për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Llapushnik, Poterk dhe Vukoc. Në këtë tender kishin aplikuar 4 operatorë ekonomikë, ndërsa kompania “N.N.T  Milazim Shala” ishte përzgjedhur fitues pasi kishte dorëzuar ofertën më të lirë.

Tenderin me vlerën më të madhe kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar si grup i operatorëve ekonomikë bashkë me kompaninë ‘Bujar Shabani’, në vlerë prej 437,527 euro. Tenderi ishte për ‘Ndërtimin e Rrugës së re, Kroni i Mbretit deri te Liqeni i Vasileves’, projekt tre vjeçar dhe ishte financuar nga Komuna e Drenasit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastruktruës dhe Transportit. Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës ishte 19 gusht 2019. Në këtë tender kishin aplikuar 7 operatorë ekonomikë, ndërsa kompanitë kompania “N.N.T  Milazim Shala” dhe ‘Bujar Shabani’ ishin zgjedhur si grupi i operatorëve ekonomikë me ofertën më të lirë.

Tenderin tjetër kompania në fjalë e kishte fituar më 9 tetor 2019, në vlerë totale prej 14,942 euro. Tenderi ishte për ‘Rregullimin e deponimeve të mbeturinave inerte’. Edhe këtë tender kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar si ofertuesi më i lirë.

Një tjetër tender për kanalizimin e ujërave të zeza në Komunën e Drenasit, kompania “N.N.T  Milazim Shala” e kishte fituar me 11 nëntor 2019. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 42,387 euro.

Tenderin e radhës nga Komuna e Drenasit, kompania ‘Milazim Shala’ e kishte fituar më 25 nëntor të vitit të kaluar. Projekti i cili ishte bashkëfinancim, ‘përgatitja e terrenit për rregullimin e staciontransferit të mbeturinave, në Çikatovë e vjetër’. Vlera e përgjithshme  e kontratës ishte 2,694 euro.

Tjetrin tender kompania ‘Milazim Shala’ e kishte fituar në vitin 2020. Kontrata ishte nënshkruar më 6 mars për ‘Mirëmbajtjen e deponisë inerte’. Vlera e kontratës ishte 4,681 euro.

Edhe në vitin 2020 ka vazhduar fitimin e kontratave nga komuna e Drenasit. I radhës ishte ai për ‘Rregullimi i vend-ndaljeve dhe mbulimi i tyre, riparimi dhe zgjerimi i vend-ndaljeve për autobus’. Kontrata është nënshkruar më 28 maj 2020 dhe vlera e përgjithshme e kontratës ishte 16,901 euro.

Tenderi tjetër i fituar nga kompania ‘Milazim Shala’ ishte për ‘Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në fshatrat Llapushnik, Poterk, Vukoc, Abri e Epërme, Terdec, Arllat, Negroc dhe Gjergjicë’, me vlerë prej 16,797 euro. Kontrata është nënshkruar më 19 qershor 2020.

Prapë ka vazhduar fitimi i tenderëve. Kësaj here për ‘Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatrat Korreticë e Ulët, Korreticë e Epërme, Poklek i Ri, Poklek i Vjetër, Nekoc, Kizhnarek, Sankoc, Fushticë e Epërme, Fushticë e Ulët. Kontrata është nënshkruar më 17 korrik 2020 dhe vlera e përgjithshme e saj është 27,253 euro.

Tenderi i radhës i fituar është ‘Ndërtimi i kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza në komunën e Drenasit’. Kontrata ka vlerën e 106,988 eurove, ndërsa është nënshkruar me 7 gusht 2020.

Tenderin e fundit, të paktën deri më tani, kompania ‘Milazim Shala’ e ka fituar për ‘Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatrat e komunës së Drenasit’, me vlerë të përgjithshme prej 109,094 eurove. Kjo kontratë është nënshkruar më 25 shtator 2020.

Kompania që fitoi 20 tenderë për 15 muaj në komunën e Ramiz Lladrovcit