Foto: Facebook
Kompania “ExFis” i shiste derivate kompanisë serbe që operonte pa licencë, MINT e ndëshkon, por nuk i tregon masat ndëshkuese
Pika e karburantit “Nis Petrol”, e cila është e vendosur në afërsi të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut si dhe në rrugën magjistrale e cila të dërgon për në Zveçan, që nga viti 2019 ishte duke operuar pa licencë në shitjen e derivateve.
Madje furnizimin e kësaj pike karburantesh e ka bërë kompania “ExFis” për çka edhe e njëjta kompani në bazë të një përgjigje të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për KALLXO.com, është ndëshkuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Se çfarë masa ndëshkuese janë marrë ndaj “ExFis”, tash e 8 ditë MINT-i nuk i ka kthyer përgjigje interesimit të KALLXO.com.
As kompania “ExFis” nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me ndëshkimin e amrrë nga Inspektorati i MINT.
Përveç “ExFis” edhe kompania “Sekos” që kishte nën menaxhim pikën e derivateve është ndëshkuar.
“Bazuar në të dhënat e furnizimit, operatori ekonomik EX Fis SH.P.K i ka shitur derivate të naftës operatorit ekonomik S.T.P Sekos. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ndaj operatorëve ekonomik Ex Fis shpk dhe S.T.P. Sekos ka ndërmarrë të gjitha masa ndëshkuese konform legjislacionit aktual në fuqi” – ka thënë në përgjigjet e tyre për KALLXO.com, MINT.
E njëjta pikë e derivateve afatin kohor për operim e ka pasur deri më 15 janar 2019 në pikën shitëse në komunë të Zveçanit.
“Pas skadimit të afatit të licencës për operim me derivate, operatori ekonomik në fjalë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të licencës. (deri më tani)” – thuhet tutje në përgjigjet e MINT për KALLXO.com.
“ExFis” kishte lidhur marrëveshje me “Nis Petrol” për t’ia blerë derivatet, ia vendosi edhe logot e kompanisë pa aprovimin e AKP-së.
Nën pretendimet se ka bërë marrëveshje me biznesin “Sekos” me drejtor Ratko Pavlovie, për të bërë blerjen e derivateve në pikën e karburantit në rrugën Mitrovicë e Veriut – Zveçan, kompania “ExFis” kishte tentuar të marrë në posedim hapësirën duke i vendosur llogot e tyre në këtë pikë.
Por ndonëse kishte bërë fillimisht kërkesë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, “ExFis” nuk kishte pritur përgjigje zyrtare nëse i lejohet apo jo që të bëjnë regjistrimin e nevojshëm të derivateve dhe verifikimit të llogaritjes së pranuar nga kompania.
Në dosjen të cilën KALLXO.com ka marrë qasje, përfshihen tri kërkesa të “ExFis” të cilat janë pranuar në AKP më 22.07.2024.
Në tri kërkesat të cilat janë dërguar nga ana e Lum Muharremit, drejtorit menaxhues të “ExFis” është kërkuar trajtimi me urgjencë.
“Ju lutemi që ta trajtoni me urgjencë kërkesën tonë dhe do të ishim shumë mirënjohës nëse kemi një përgjigje pozitive. Ne jemi të gatshëm të takohemi me ju dhe të diskutojmë termat e marrjes me qira të kësaj pike shitëse”- është paragrafi që pason në tri kërkesat e “ExFis” për AKP-në në lidhje me tri pikat shitëse në Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut.
Në atë të cilën kishte tentuar ta marrë në posedim duke i vendosur logot e më pas duke i hequr, “ExFis” thotë se kishte bërë një marrëveshje me biznesin që posedonte pompën e derivateve dhe ndër të tjerash në kërkesë përmendet edhe shprehja e interesit për të marrë me qira direkte atë pikë.
“ExFis” kishte kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit qira direkte për tri pika të shitjes së karburanteve, dy prej të cilave gjenden në Zubin Potok e një në rrugën në Mitrovicë veri që të dërgon për në Zveçan, vetëm pak metra larg stacionit policor në Mitrovicën veriore.
Më 26.07.2024, në rrjetet sociale ishin publikuar fotografi të cilat tregonin se në pompën që gjendet në Mitrovicë e Veriut, “ExFis” kishte vendosur logot e saj ndërsa vetëm një ditë më pas të njëjtat i kishte hequr pasi që nuk kishte asnjë leje për të vepruar në atë mënyrë.
Pompa e derivateve të cilën tentoi “ExFis” ta marrë në posedim ishte mbyllur bashkë me disa të tjera nën arsyetimin se ju mungon licenca e punës.
Këto pika derivatesh iu kthyen institucioneve të Kosovës, konkretisht Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa kjo e fundit disa dite para se të ndërhynte “ExFis”, kishte hapur thirrje të re pas mbylljes së tyre.
Agjencia Kosovare e Privatizimit për KALLXO.com ka konfirmuar se asnjë kërkesë nuk i është aprovuar kompanisë “ExFis” për të marrë qira direkte në pompat e mbyllura.
“AKP, nuk i ka kthyer përgjigje asnjërit prej operatorëve të cilët kanë parashtruar kërkesa për qiramarrje direkte të pesë pikave të karburanteve në Veri. Rrjedhimisht AKP nuk i ka kthyer përgjigje as Exfis-it pasi që kërkesat e operatorëve nuk janë shqyrtuar nga Bordi i Drejtorëve”- thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com me datë 19.08.2024.
Tutje të njëjtit tregojnë se ka nisur procesin e qiradhënie së këtyre pesë pikave me tender publik dhe tani është në proces të vlerësimit të ofertave për lidhje të kontratave.
Për këto kërkesa, Drejtori i AKP-së, në një bisedë me KALLXO.com më datë 01.08.2024 kishte thënë se nuk u ishin aprovuar kërkesat “ExFis”-it.
KALLXO.com ka tentuar që të ketë përgjigje edhe nga kompania “ExFis” por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, as në e-mail e as përmes telefonit.
Gjithashtu KALLXO.com ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga drejtori menaxhues, Lum Muharremi, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, më 16.07.2024 kishte njoftuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbyllur pompat e derivateve që mbanin logot e “Nis Petrol”.
Pompat që janë në pronësi të AKP-së ishin shfrytëzuar me qira nga kjo kompani, ndërsa për shkak të mungesës së licencës ato u mbyllën.
10 ditë më vonë, kompania e derivateve ‘Ex Fis”, e cila është në mesin e donatorëve të Vetëvendosjes, kishte vendosur logot e saja në pompën e derivateve.
AKP kishte vendosur që me anë të një reagimi publik të tregonte se kishin hapur thirrje për të interesuarit për qira direkte të disa pikave të derivateve në veri të Kosovës.
Zyra Rajonale e AKP-së në Mitrovicë ka konstatuar me anë të raportit fillestar tentimin që “Ex Fis” bëri për të marrë pompat e derivateve në veri të Kosovës.
Kreu i AKP-së Arben Limani tha se “Ex Fis” ka bërë kërkesë për qira direkte për pompa të derivateve para disa jave, por që kjo kërkesë nuk i ishte aprovuar.
“E kemi një raport nga zyra rajonale dhe jemi duke e shqyrtuar në kontekst të zhvillimeve dhe të dalim me një konstatim”- pati thënë Limani deri sa pyetja e KALLXO.com nëse ka pas ndërhyrje, pason me përgjigjen nga Limani, “Normal që ka sepse ata (zyra e AKP-së) kanë dalë në terren dhe e kanë parë”.
Kanë kaluar më shumë se 15 ditë prej kur kompania e derivateve “Ex Fis” tentoi që përmes vendosjes së logove t’i marrë pompa të derivateve në veri të Kosovës, dhe deri më tani zyrtarisht ende nuk ka një vlerësim përfundimtar se çka saktësisht ndodhi.
Një njoftim i AKP-së si reagim publik thoshte se kompania kërkoi qira direkte ndërsa u ishte kërkuar që të largojnë logot pas një keqkuptimi mes AKP-së dhe kompanisë.
KALLXO.com rastin e ka dërguar edhe në Prokurorinë e Shtetit ndërsa në një përgjigje i është thënë ekipit se tashmë rasti është proceduar në prokurorinë përkatëse.
Financuesi i Vetëvendosjes tentoi të marrë pompat e derivateve në veri të Kosovës
Tentimi i marrjes së pompës në veri të Kosovës nga Ex Fis, flet drejtori i AKP-së