Takimi Thaci Kurti 1 prill 2020

'Komoditeti kushtetues' i Kurtit për t’ia zvarritur përgjigjen Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje të enjten e javës së shkuar, pranoi një letër nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili u kërkoi emrin e mandatarit tjetër për kryeministër të vendit, drejt formimin të qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit me 25 mars në krye me Albin Kurtin.

Ndërkaq, deri më tani subjekti politik i cili doli fitues nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit 2019 – LVV, nuk i ka dërguar ndonjë propozim kreut të shtetit.

Nga kjo parti, në një përgjigje për KALLXO.com kanë përsëritur se presidentit do t’i përgjigjen në një kohë të përshtatshme.

“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, ne do të përgjigjemi në një kohë të përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të kësaj partie.

Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton ndonjë afat kohor se kur duhet t’i përgjigjen kërkesës së presidentit.

Vetëvendosje e Kurtit ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sapo të tejkalohet situata me coronavirusin, kërkesë kjo e cila është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare, nën arsyetimin e ngjarjeve me CoVid-19, nga i cili në Kosovë mbi 100 persona janë infektuar e 3 të tjerë kanë vdekur.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti qeveria e të cilit u rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit i inciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerësoi se veprimi i presidentit përbën shkelje në adresimin ndaj subjektit të tij politik.

“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, shkroi Kurti në Facebook.

Lideri i LVV-së shtoi se presidenti nuk është neutral në këtë proces.

“Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi do të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, thuhet në publikimin e tij.

Lidhur me këtë, njohësja e çështjeve politike në vend, Donika Emini ka thënë për KALLXO.com se këto zhvillime politike kanë thelluar edhe më tej dallimet në qëndrime në mes të presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Kurtim kjo pasi sipas saj, debatet e zhvilluara në mes të dy palëve krijojnë përshtypjen që janë duke iu referuar dy dokumenteve të ndryshme.

“Veprimet politike të Presidentit Thaçi janë parë si synime për të sjellë në fuqi kastën e vjetër politikë të mbështjellur në petkun e një ‘qeverie uniteti’ për të cilën qartazi është deklaruar kundër partia fituese [e zgjedhjeve]”, thekson ajo.

Emini shton se fakti që Kushtetuta nuk e përcakton se brenda sa kohe duhet të përgjigjet partia fituese i jep kryeministrit komoditet që të “zvarrisë” edhe më tej procesin dhe të vazhdojë punën e qeverisë në detyrë.

“Në anën tjetër, kjo nuk mund të quhet zvarritje për shkak se Kurti ka bërë të qartë që nuk do të ketë emër për mandatar të ri, as nuk do të ketë qeveri teknike apo qeveri të re gjithëpërfshirëse, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Emini.

Emini tutje ka shtuar se Qeveria kujdestare [me ministra të VV dhe LDK], ka treguar rezultat të kënaqshëm në menaxhimin e pandemisë, andaj siç thotë ajo, çdo lëvizje e re që do të shkaktonte pengesë të këtij trendi pozitiv “mund të ketë edhe pasoja serioze për Kosovën e cila edhe ashtu me kapacitete të limituara po lufton një pandemi globale që ka gjunjëzuar edhe shtete shumë të zhvilluara”.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua me 25 mars 2020 nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, LDK. Mocioni u votua me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Pas kësaj, qeveria vazhdon punën në detyrë deri në formimin e ekzekutivit të ri.

Pas rrëzimit të qeverisë, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarje në zgjedhje.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.