Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni i Kuvendit propozon 50% gra për bordin e RTK-së

Tre kandidatë janë eliminuar nga gara për bord të Radio Televizionit të Kosovës përkundër që janë intervistuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Dy kandidatë janë larguar nga gara pasi deputetët pretendonin se të njëjtit janë politik, ndërsa njëri është larguar pas finalizimit të listës së kandidatëve më të poentuar me arsyetimin se i njëjti kishte një kontratë me RTK-në.

Ata ishin në mesin e 91 kandidatëve që janë intervistuar për bord të RTK-së, në një prej konkurseve që kishte konkurrencën më të madhe. Nga 91 kandidatët e intervistuar, Komisioni Ad-Hoc për bordin e RTK-së i ka propozuar Kuvendit të Kosovës 18 kandidatë për 9 pozita në bordin e RTK-së. Komisioni Ad-hoc është kryesuar nga deputeti Armend Zemaj, ndërsa në përbërje kishte deputetët: Doarsa Kica, Fitim Uka, Ardian Gola, Duda Balje, Albana Bytyqi, Saranda Bugojevci, Armend Muja dhe Mërgim Lushtaku.

Komisioni është siguruar që të ketë barazi gjinore në listën e kandidatëve që i ka propozuar seancës së Kuvendit, duke dërguar listën me 9 kandidatë burra dhe 9 kandidate gra. Konkursi për bordin e RTK-së është zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanik, përkundër faktit që Kryesia e Kuvendit e kishte kërkuar një gjë të tillë.

Përjashtimi i kandidatëve

Dy kandidatë ndonëse u poentuan lartë, u përjashtuan nga gara pas intervistimit me pretendimin që janë në kundërshtim me nenin 25 të Ligjit për RTK-në.

Kandidatja e parë e cila u largua me pretekstin se ishte politike ishte Liridona Lluka, e cila në profilin e saj në Facebook kishte postuar fotografi të shumta në përkrahje të LDK-së dhe tani deputetit Armend Zemaj, që e kryesonte këtë komision vlerësues. Kandidatja e dytë ishte Blerta Zeqiri, e cila shihej në fotografi me deputeten Saranda Bogujevci e cila ishte edhe anëtare e komisionit vlerësues.

As deputeti Zemaj dhe as deputetja Bugojevci nuk reaguan paraprakisht për të treguar lidhjen e tyre me dy kandidatet në fjalë. Pasi kandidaturat e këtyre u bën temë e debatit, Zemaj tha se nuk e kishte emëruar këshilltare kandidaten Liridona Lluka. Ndërsa, deputetja Bugojevci tha se se ka qenë rastësi takimi i saj me kandidaten Blerta Zeqiri dhe se e njëjta nuk kishte kurrfarë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Të dy këto kandidate nuk u dërguan për votim në Kuvend duke u bazuar në nenin 25 të Ligjit për RTK. Në këtë nen të ligjit nuk parashihet ndonjë ndalesë për t`u përzgjedhë në bord, por vetëm përcaktohen detyrat e anëtarit të bordit për të qenë i paanshëm gjatë punës së tij.

Por, është nenit 27 që flet për rastet kur një person nuk mund të jetë në bordin e RTK-së. Aty thuhet se në bordin e RTK-së nuk mund të zgjedhen vetëm personat që kanë pasur role udhëheqëse në parti politike gjatë dy viteve të fundit.

Përveç kësaj, në pikën 1.3 të nenin 27 thuhet se “personat që mbajnë post publik të zgjedhur dhe të emëruar (funksionarët publik) apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy viteve të fundit nuk mund të jenë anëtar të bordit të RTK-së.

Liridona Lluka u poentua me 90 pikë nga 100 të mundshmet nga deputeti Armend Zemaj, përderisa Blerta Zeqiri mori 80 pikë nga deputetja Saranda Bugojevci.

Për dallim nga dy deputetët e lartcekur, deputeti Fitim Uka tregoj para komisionit se me njërin nga kandidatët kishte lidhje të largët familjare, mirëpo edhe ai mori pjesë në intervistimin dhe poentimin e atij kandidati.

Dy kandidate të tjera u eliminuan nga gara për bordin e RTK-së, pasi deputetët vlerësuan se mund të kishin konflikt interesi në të ardhmen.

Ndonëse u paraqiten para komisionit, ato nuk iu nënshtruan fare intervistës, pasi fakti se kishin familjar të punësuar në RTK u pa si konflikt i mundshëm interesi në të ardhmen.

Një vlerësim i tillë u bazua në nenin 6 të Ligjit për Konfliktin e Interesit i cili parasheh si konflikt interesi edhe faktin e dukjes së mundësisë së ndikimit në kryerjen e punëve në mënyrë të pavarur.

‘RTK është kritikuar për mbi punësimin e punëtoreve. Ne një situate qe mund të kërkojë rishikim te punësimeve, zvogëlim ne numrin e punëtoreve, ulje ne pozita ne detyrat e aprovimit te organogramit, çështja e anëtareve të familjes ne bord mund te krijoje  situatën ku i ki 11 tensione sepse në Kosove askush s’do te marr vendim te largoje anëtarë te familjes nga puna.  Nëse  je anëtarë i bordit, ka anëtarë të familjes në çfarëdo niveli te punëtoreve në RTK do i duhej konstant të abstenojë në vendime në emër të parandalimit të konfliktit te interesit duke e rreziku kështu mbarëvajtjen e punës se bordit vazhdimisht”, deklaruan anëtarët e komisionit me rastin e largimit të dy kandidatëve nga gara.

Sipas vlerësimit të deputeteve, fakti se kanë familjar mund të ndikojë që të njëjtit të kenë konflikt interesi, dhe për këtë çështje duke u bazuar në nenet 5 dhe 6 të ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit vendosën ti përjashtojnë nga gara për bord të RTK-së.

Përpos nenit 6 të këtij Ligji, largimi i kandidatëve nga gara u arsyetua edhe me parimet e parandalimit të konfliktit të interesit, të cilat sipas anëtares së komisionit e parandalojnë konfliktin e mundshëm të interesit në të ardhmen.

 

 

Kurse, Ligji për RTK-në ka përcaktuar qartë se anëtar të bordit nuk mund të përzgjidhen vetëm personat që kanë familjar në pozita menaxhuese në RTK, pra jo edhe personat që kanë familjar punëtorë të thjeshtë të këtij mediumi publik. Madje edhe në kriteret e konkursit përshkruhej qartë se nuk kanë të drejtë aplikimi personat që kanë familjar të punësuar në pozita menaxhuese në RTK.

“Anëtar i bordit të RTK-së nuk mund të jenë: anëtarët e familjes së ngushtë të stafit menaxhues dhe ish-punonjësit të punësuar në RTK në dy (2) vitet e fundit”, thuhet në nenin 27 të Ligjit për RTK-në.

Nga gara për bord të RTK-së edhe pse nuk kishin familjar në pozita menaxhuese në RTK u larguan Ardita Morina dhe Vlera Kastrati.

Përpos tyre nga gara u largua edhe kandidati Ismet Sijarina, pasi anëtarët e komisionit vlerësuan se binte ndesh me nenin 27 të Ligjit për RTK-në, përkatësisht kishte qenë i angazhuar në RTK përmes shfaqjes së një dokumentar.

 

Vlerësimi i kandidatëve 

Gjatë intervistimit të 91 kandidatëve për bord të RTK-së janë evidentuar praktika jo të mira. Gjatë intervistimit kishte deputetë që përdornin telefonin gjatë kohës kur kandidatët përgjigjeshin në pyetjet e parashtruara. Po ashtu kishte raste kur deputetët dilnin jashtë sallës ku po mbahej intervistimi i kandidatëve dhe të njëjtit kandidatë më pas i kanë poentuar.

Sipas praktikës së ndërtuar nga ekspertët britanik të cilët angazhohen në përzgjedhjen e bordeve dhe pozitave të larta në Kosovë, anëtarët e komisionit duhet të mbajnë shënime gjatë gjithë kohës për përgjigjet e kandidatit dhe përmes tyre më pas t’i arsyetojnë poenat e dhënë.

Po ashtu sipas praktikës së britanikëve, në rast se paraqiten dallime të mëdha në votat e anëtarëve të komisionit për ndonjë kandidat, anëtarët detyrohen që t`i diskutojnë ato dallime.

Në këtë proces kishte raste kur deputetët nuk mbanin shënime gjatë kohës sa një kandidat përgjigjej. Në disa raste ka pasur dallime të mëdha në poentim në mes të anëtarëve të komisionit, por ato nuk janë diskutuar për të argumentuar poentimin e bërë.

Renditja përfundimtare 

Pas një procesi të gjatë të intervistimit të 91 kandidatëve, në fund Kuvendit të Kosovës u vendos që t`i propozohen 18 emra prej të cilëve për bordin e RTK-së duhet të zgjidhen vetëm nëntë nga ta.

Kjo është radhitja përfundimtare e kandidatëve që i janë rekomanduar seancës së Kuvendit. Nga kjo listë, Kuvendi mund të përzgjedh 9 anëtarë të bordit të RTK-së.

Komisioni Vlerësues për bordin e RTK-së, për dallim prej konkurseve të tjera, i kishte mbajtur takimet e hapura për media në gjitha fazat e para të rekrutimit: shqyrtimin e CV-në, shqyrtimin e ankesave të palëve. Mbledhjet ishin transmetuar Live edhe në KALLXO.com.

Ndërsa, më poshtë janë listat që tregojnë pikët që i ka dhënë secili nga deputetët për të gjithë kandidatët e intervistuar.