Komentet e Albin Kurtit me të cilat kërkon nga Kushtetuesja anulimin e dekretit të Thaçit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar një koment voluminoz në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar që të shpallet jo-kushtetues dekreti i presidentit Thaçi që i jep të drejtën e formimit të qeverisë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidatit të saj, Avdullah Hoti.

Në plotë 30 faqe koment, kryeministri Kurti ka arsyetuar faktin se si partisë së tij i takon mandati për formimin e qeverisë dhe se ai asnjëherë nuk ka refuzuar mandatin për qeverinë e re, ndërsa presidenti Thaçi ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën duke mos shpallur zgjedhje, duke përcaktuar afat për përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke e konsideruar si refuzim përgjigjen

Në komentin e tij përmes të cilit synon ta bind Kushtetuesen, komenti i Kurtit përmban edhe deklarimet e mëhershme të Jakup Krasniqit, Arsim Bajramit dhe të vetë presidentit Hashim Thaçi.

Komenti i Kurtit përmban edhe një analizë krahasuese me kushtetutat e 7 vendeve të rajonit dhe më gjerë, teksa dispozitat kushtetuese i janë nënshtruar interpretimit logjik, sistematik, historik e gjuhësor, për të pasqyruar qëllimin e rregullimit kushtetues të Kosovës.

Komenti i kryeministrit në detyrë Albin Kurti nënvizon faktin se ai asnjëherë nuk ka refuzuar dhe asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta e partisë së tij për të formuar qeverinë si fituese relative e zgjedhjeve.

Komenti i Kurtit, më tej pretendon se partia e tij si fituese relative e zgjedhjeve është e vetmja që presidenti guxon dhe mundet ta konsultojë për propozim të kandidatit për kryeministër.

Më tej, komenti i Kurtit rithekson se roli i presidentit nuk mundet të jetë aktiv, por është pasiv në formimin e qeverisë.

Te meritat e rastit, komenti i dërguar nga kryeministri në detyrë, Kurti vë theksin në dallimin esencial në mes të situatës së krijuar pas votimit të mocionit të mosbesimit dhe situatës pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Si rrjedhojë, Kurti pretendon se presidenti Thaçi, në situatën aktuale nuk ka të drejtë që me vetiniciativë të formojë një qeveri të re por obligohet të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet.

Po ashtu, komenti i dërguar nga Kurti nënvizon se kërkesa për sqarime e drejtuar nga Kurti për te presidenti i vendit në asnjë formë nuk mund të cilësohet si refuzim i mandatit dhe se Kushtetuta e vendit nuk parasheh ndonjë afat brenda të cilit presidentit duhet t’i dërgohet emri i mandatarit.

Komenti i Kurtit, thirret në nenin 82.2 të Kushtetutës së vendit, për më tepër, duke krahasuar versionin e gjuhës shqipe me versionin e gjuhës angleze tentohet të pasqyrohet se si folja ‘may’ në versionin në gjuhën angleze është përdorur në kuptimin që i lejon/autorizon presidentin e vendit të shpërndajë Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet pas votimit të mosbesimit të Qeverisë.

Sipas interpretimit të kryeministrit Kurti, Kushtetuta e vendit në nenin 182.2 përcakton se pas votimit të mosbesimit të qeverisë, kushtetutbërësi nuk ka paraparë asnjë alternativë tjetër për presidentin përpos se të shpërndajë Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet.

Po ashtu, sipas interpretimit sistematik të nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përderisa paragrafi 1 i nenit 82 ka paraparë rastet e shpërndarjes së Kuvendit për shkak të dështimit për të përmbushur obligimet e tij, paragrafi 2 ka përcaktuar rastin kur Kuvendi shpërbëhet për shkak të tërheqjes së legjitimitetit ndaj qeverisë dhe nuk ka lënë alternativë përtej kësaj.

Më tej, parashtruesi i komentit, pretendon se vetë formulimi tekstual i nenit 82.2 të Kushtetutës “pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, tregon edhe gjuhësisht që nuk ka vend për dykuptimësi dhe keqkuptim për situatën e krijuar.

Më tej, komenti i kryeministrit Kurti përmend edhe gabimet në përkthime mes gjuhës angleze dhe gjuhës shqipe, duke përmendur paragrafin 6 të nenit 100 të Kushtetutës.

“Në versionin në gjuhën angleze votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit e konsideron Qeverinë të “shkarkuar”, ndërsa në gjuhën shqipe si “në dorëheqje”. Formulimi në gjuhën shqipe nuk ka as logjikë juridike dhe as nuk i përshtatet natyrës së një mocioni mosbesimi”, thuhet në komentet e dërguara në Kushtetuese nga Kurti.

Vend të rëndësishëm në komentin e kryeministrit në detyrë zë edhe përshkrimi i dallimit në mes të mocionit të vetëbesimit dhe atij të mosbesimit.

“Ne rregullimin pozitiv kushtetues, Kushtetutbërësi ka paraparë vetëm të drejtën e Kuvendit për të shkarkuar Qeverinë përmes një mocioni të mosbesimit, por jo edhe për ta zgjedhur një tjetër”, përshkruhet në komentin e Kurtit.

Komenti i Kurtit e quan ‘shumicë negative të legjislativit’ rastin kur kalon mosbesimi ndaj qeverisë teksa e cilëson edhe si një akt të obstruksionit ndaj Qeverisë.

Analiza krahasuese po ashtu zë një vend të rëndësishëm në komentet e dërguara nga Kurti, duke vënë përballë Kushtetutën e Kosovës përballë kushtetutave të Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë, Gjermanisë, Kroacisë dhe rezulton në këto konstatime.

Së pari – në asnjë prej rasteve të shqyrtuara nuk ka paqartësi kushtetuese në lidhje me rastin e presidentit. Së dyti – në asnjë rast nuk parashihet pushteti diskrecional i presidentit për të mandatuar një kandidat të ri apo për të shpërndarë Parlamentin. Së treti – në rastet e analizuara nuk ka ndonjë shembull ku ka dykuptimësi apo paqartësi në lidhje me kompetencat e presidentit, për të mandatuar kandidatin për kryeministër apo shpërndarë parlamentin. Së katërti – shpërndarja e parlamentit rezulton si pasojë e natyrshme e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Më tej, parashtruesi i komentit, i rikthehet edhe aktgjykimeve të rastit të vitit 2014, dhe mbrojtjes që këto aktgjykime i ofrojnë fituesit relativ të zgjedhjeve.

“Me aktgjykimet e Gjykatës në rastet Nr. KO 103/14 dhe Nr. KO 119/14 është vendosur një standard që e mbron fituesin relativ të zgjedhjeve nga konjukturat pas zgjedhore dhe administrative, eliminimi i fituesit të zgjedhjeve do të realizohej në një procedurë tjetër, jo menjëherë pas zgjedhjeve – por pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë.

Komenti i dorëzuar nga Kurti në Kushtetuese citon një intervistë të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që tregon për procedurat e mëhershme kur ishte votuar mocioni i mosbesimit.

“Ndoshta është mirë të sqaroj se ky mocion ndodh sipas pikës kushtetuese ku flitet për Kuvendin dhe në fund të këtij kapitulli, në Nenin 82 parashihet se nëse mocioni i mosbesimit mbështetet nga 61 deputetë, atëherë nuk ka më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje. Edhe 190 bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit”, citohet intervista e Jakup Krasniqit e datës 2 nëntor 2011.

Përmes citimit të kësaj interviste, parashtruesi i komenteve synon të dëshmojë se të gjitha rastet e kaluara kur është votuar mosbesimi ndaj qeverisë është shkuar në zgjedhje pas shpërbërjes së Kuvendit.

Njëjtë me komentin e Jakup Krasniqit, parashtruesi citon edhe ish-deputetin e PDK-së Arsim Bajrami.

“Në qoftë se opozita arrin ta rrezojë kryeministrin në rrugë parlamentare që ndodh në shumë vende, me mocion mosbesimi, që është instrumenti kryesor për ta rrezuar një qeveri, për t’ia ndërprerë mandatin, për mos ta lerë për të shkuar 4 vjet por për ta ndëshkuar në vitin e parë a të dytë, e nëse opozita ka sukses, Kushtetuta jonë nuk i jep të drejtë opozitës që ajo ta bëjë Kryeministrin, por automatikisht e çon vendin në zgjedhje. Nuk jemi ne sistem i Italisë”, citohet të ketë thënë Arsim Bajrami.

Për të përforcuar argumentin se shpërbërja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm pas votimit të mosbesimit ndaj qeverisë, parashtruesi i komentit citon edhe presidentin aktual Thaçi dhe komentin e tij në vitin 2010.

“Sot besoj se do të votoni drejt duke i vënë fund krizës institucionale e politike e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarrë besimin e tyre. Duke e bërë një veprim të tillë, i cili është plotësisht në përputhje me kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë me një legjitimitet të ri”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Në lidhje me nenin 95 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se ky nen i referohet situatës pas zgjedhjeve ndërsa në lidhje me afatin 15 ditor, arsyeton se ky afat rrjedh vetëm pas emërimit të kandidatit për kryeministër dhe jo para kësaj situate.

“Nga kjo dispozitë rrjedh një fakt tepër i rëndësishëm në procedurën aktuale, sepse Kushtetuta ka përcaktuar rrjedhjen e afateve vetëm pasi kandidati për kryeministër të jetë emëruar nga presidenti. Pra në asnjë moment më herët nuk janë përcaktuar afate”, citon komenti i Kurtit.

Komenti i Kurtit pastaj përmend rastet kur periudha e zgjedhjes së Qeverisë ka zgjatur edhe më tepër se gjashtë muaj.

“Në praktikën e deritanishme në Kosovë, ka pasur disa raste kur zgjedhja e Qeverise ka zgjatur më tepër se gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe konstituimit të Kuvendit (Në vitin 2014 dhe 2017). Mirëpo, në asnjërin nga këto raste, as presidentja Jahjaga dhe as presidenti Thaçi nuk kanë ndërhyrë duke ju bërë presion forcave politike për dërgim të një emri të kandidatit për kryeministër apo duke i kërcënuar, sikurse në rastin konkret, se në rast se ata nuk do të propozojnë një kandidat, do të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e tyre”, thuhet në komentet e kryeministrit Kurti.

Duke e ritheksuar edhe njëherë, parashtruesi i komenteve pretendon se asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta kushtetuese dhe për më tepër, ka shprehur interesim duke kërkuar sqarime nga presidenti i vendit në lidhje me bazën ligjore të veprimeve të tij.

“Në këtë rast, fituesi i zgjedhjeve, Lëvizja VETEVENDOSJE!, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta e saj kushtetuese. Ajo në vazhdimësi i ka kërkuar presidentit që të qartësojë se cila është baza ligjore e veprimeve të tij, pasi neni 95 i Kushtetutës ka gjashtë paragrafë që rregullojnë situata të veçanta. Ndaj dhe presidenti, në vend që t’i përgjigjej kërkesave të fituesit të zgjedhjeve dhe të sqarojë pretendimin e tij, ka interpretuar në mënyrë arbitrare këto pyetje si refuzim për të propozuar një kandidat për kryeministër”, theksohet në komentin e dorëzuar nga Kurti.

Përtej kësaj, parashtruesi i komentit pretendon se duke mos u thirrur në bazën kushtetuese të duhur, dekreti i preidentit Thaçi është i pavlefshme juridikisht pasi që nuk mund të thirret në një normë që rregullon situata të ndryshme duke mos specifikuar nenin dhe paragrafin e saktë.

Si përfundim, parashtruesi i kërkesës vlerëson se dekreti i presidentit Thaçi është kundër kushtetues dhe përtej interpretimit gjuhësor, interpretimi, historik, sistematik, krahasues, logjik dhe teleologjik, vjen në përfundim se:

  1. Pozicioni kushtetues i një Qeverie të shkarkuar me një mocion mosbesimi nuk mund të barasvlerësohet me dorëheqjen e kryeministrit apo mbetjes vakante të pozitës së tij për shkak të vdekjes, pamundësisë për të ushtruar funksionin apo dënimit për vepër penale.
  2. Nuk ka qenë asnjëherë kontestuese, se realizimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit sipas nenit 100 të Kushtetutës, autorizon presidentin që, në përputhje me 27 nenin 82.2 të Kushtetutës, të shpërndajë Kuvendin. Kjo dëshmohet nga praktika e deritanishme e shpalljes së zgjedhjeve në të njëjtën ditë pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit me 02.11.2010 dhe 10.05.2017.
  3. Për këtë arsye, neni 82.2 i Kushtetutës është normë autorizuese e cila i njeh një kompetencë presidentit, por nuk i njeh diskrecion, sepse Kushtetutbërësi ka qenë i qartë në rregullimin e situatave kur mund të formohet një Qeveri, dhe nuk parasheh asnjë alternativë tjetër as në paragrafin 2 te nenit 82, as në ndonjë dispozite tjetër kushtetuese.
  4. Kushtetuta e Kosovës parasheh formimin e Qeverisë vetëm pas zgjedhjeve dhe në rast të dorëheqjes së kryeministrit apo mbetjes vakante të pozitës së tij për shkak të vdekjes, pamundësisë për të ushtruar funksionin apo dënimit për vepër penale.
  5. Në asnjë rrethanë nuk mund të zbatohet neni 95 i Kushtetutës, pas realizimit te suksesshëm të një mocioni mosbesimi.
  6. Mirëpo, edhe sikur zbatimi i nenit 95 i Kushtetutës të lejohej, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka gjykuar në vitin 2014 se: (1) kandidatin për Kryeministër e propozon vetëm fituesi i zgjedhjeve, (2) se nuk i lejohet presidentit të ketë vetiniciativë, (3) se ai duhet të presë derisa t’i dërgohet emri i kandidatit, (4) se nuk ka një afat të caktuar për të propozuar emrin e kandidatit, (5) se ai mund të konsultojë vëtem partinë politike apo koalicionin fitues të zgjedhjeve, (6) se propozimi i një kandidati tjetër, përpos nga fituesi i zgjedhjeve, është i mundur vetëm nëse partia politike apo koalicioni qe ka fituar shumicën në Kuvend heq dorë shprehimisht nga e drejta e vet për propozim.
  7. Kërkesa e fituesit të zgjedhjeve për sqarimin e bazës ligjore të veprimeve të presidentit nuk mund të konsiderohet si refuzim apo heqje dorë nga e drejta për të propozuar një kandidat.
  8. Presidenti ka tejkaluar mandatin e tij kushtetues duke vendosur afate në lidhje me përgjigjen e fituesit të zgjedhjeve përkitazi me të drejtën për të propozuar një kandidat për kryeministër. Kushtetuta në asnjë dispozitë të saj nuk parasheh një afat të cilin e pretendon presidenti.
  9. Praktika kushtetuese dhe parlamentare në Kosovë ka dëshmuar se për faktin që një Qeveri nuk mund të formohet pa fituesin e zgjedhjeve dhe nëse ai nuk dëshiron që këtë të drejtë t’ia bartë një partie politike tjetër apo koalicioni pas zgjedhor, ashtu si e thekson Gjykata Kushtetuese, presidenti nuk mundet ta anashkalojë në mënyrë arbitrare fituesin e zgjedhjeve, duke jetësuar vullnetin e vet politik dhe të imponojë një Qeveri sipas preferencave të tij.

 

Si rrjedhojë, Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që ta shpall të pavlefshëm dhe ta konsiderojë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dekretin e presidentit Thaçi të datës 30 prill 2020. Po ashtu, të konstatojë se presidenti nuk ka të drejtën e diskrecionit dhe të vetiniciatitvës në formimin e qeverisë e po ashtu nuk mund të imponojë apo caktojë afate brenda të cilave fituesi i zgjedhjeve duhet të deklarohet për pranimin e mandatit.

Po ashtu, Kurti kërkon nga Kushtetuesja që të konstatojë se Kushtetuta nuk parasheh afat brenda të cilit fituesi i zgjedhjeve duhet të propozojë kandidat për kryeministër, të konstatojë se Qeveria nuk mund të bëhet pa fituesin relativ të zgjedhjeve, përpos nëse ai heq dorë dhe se presidenti i vendit nuk mund ta konsideroj si refuzim mosdhënien e përgjigjes nga fituesi i zgjedhjeve.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!