Kodi i Presionit

Shpifja bënte pjesë në familjen e veprave penale, deri në vitin 2006, kur u rregullua me legjislacion civil, përkatësisht me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Por kjo ka mbetur vetëm në letër duke mos gjetur gati aspak zbatim në praktikën gjyqësore në Kosovë. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kjo vepër penale dënohet me gjobë ose burgim deri në tre muaj, ndërsa me Ligjin kundër Shpifjes parashihen vetëm kompensime për humbje financiare ose dëme materiale.

Një ndër rastet e fundit gjyqësore, ku ish-gjyqëtari i procedurës paraprake ka paditur gazetarin e Kohës Ditore Vehbi Kajtazi ndër të tjera për shpifje, është i bazuar në Kodin Penal të Kosovës, e jo në Ligjin kundër Shpifjes.

Sipas Ismet Salihut, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe njëri ndër hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, “kjo përbën shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe nenit dy të Kodit Penal”.

“Sipas këtij neni, gjykata është e obliguar që të zbatojë ligjin më të favorshëm për palën, që në këtë rast është Ligji Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.”

Salihu konsideron që kësaj është duke i kontribuar edhe neni 20 i këtij ligji i cili parasheh që nëse procedura gjyqësore është filluar por nuk është marrë vendim i plotfuqishëm deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të vazhdohet sipas ligjit të vjetër, pra Kodit Penal.  

Ilia Dohel, hulumtues pranë Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE’së për Lirinë e Medias, konsideron “që një ndër arsyet pse ndodhë kjo është mos trajnimi i gjyqëtarëve për ligjet e reja që hyjnë në fuqi”.

“Mënyra më e mirë do të ishte që trajnimi i gjyqtarëve të vinte si iniciativë e organizatave civile që janë aktive në këtë fushë”, tha ai.
 
Dekriminalizimi (heqja nga legjislacioni penal) i shpifjes e cila konsiderohet si mjet për të bërë presion ligjor në mediat e pavarura, ka filluar që nga viti 1997 por ka parë sukseset e para vetëm në vitin 2004, sipas Dohel. Prej 56 shteteve pjesëmarrëse të OSBE’së, 14 prej tyre nuk e parashohin më shpifjen si vepër penale (Anglia, Armenia, Bosnja dhe Herecegovina, Estonia, Gjeorgjia, Irlanda, Kirgistani. Moldova, Montenegro, Qipro, Rumania, Rusia, Ukraina, dhe SHBA’të). Kosova pritet të dekriminalizojë plotësisht këtë çështje pasi të hyjë në fuqi Kodi Penal i cili është duke u amendamentuar.

Çështja e rregullimit të shpifjes është ngritur në konferencën e këshillave rajonalë të medias së shkruar, e organizuar me një dhe dy dhjetor nga OSBE dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Konferenca kishte për qëllim të sjellë së bashku përfaqësues të Këshillave të Shtypit, institucionet e medias, shoqata të gazetarëve dhe akademikë nga rajoni, për të diskutuar për rëndësinë e vetë-rregullimit, përgjegjësinë e medias së shkruar dhe sfidat etike dhe financiare të organeve vetë-rregulluese.

Agron Bajrami, kryeredaktor i Kohës Ditore dhe anëtar i bordit të Këshillit të Mediave, duke folur për punën e këtij këshilli ka deklaruar se ky institucion shihet si një mekanizëm mbrojtës i gazetarëve dhe gabimeve profesionale eventuale të redaksive të ndryshme.

Ndër çështjet të cilat është më vështirë të rregullohen jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi në Evropë mbesin gjuha e urrejtjes e përdorur gjatë komentimit të artikujve e cila është duke u lejuar nga portalet online dhe mbrojtja e të drejtave të autorit, ka deklaruar Nazmi Elezi, kreyredaktor i Lajmit dhe anëtar i bordit të Këshillit.

Për sistemet vet-rregulluese të cilat në masë të madhe varen nga kontributet e anëtarëve, sfida kryesore duket të jetë financimi. Lilijana Zurovac, drejtoresha e Këshillit të Mediave të Shkruara të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka treguar për problemet që ky këshill has gjatë mbledhjes së fondeve.

Këshilli i Bosnjës financohet 95 përqind nga donacionet dhe vetëm 5 përqind nga anëtarësia. “Donacionet i sigurojmë me vështirësi të madhe dhe problemi kryesor është se ato mbulojnë vetëm shpenzimet operacionale por jo edhe pagat e punëtorëve dhe tani ne kemi dilema nëse duhet apo jo të pranojmë donacione nga shteti, në mënyrë që të jemi financiarisht më të qëndrueshëm”, ka deklaruar  Zurovac, gjatë konferencës.