Koalicionet e LDK-së: 'Maratonë' me VV, 'sprint' me AAK e NISMA

Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu deshën më shumë se 100 ditë kohë që ta bëjnë koalicionin qeverisës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Ndërkaq, pas rrëzimit të Qeverisë vetëm pas 50 ditësh në udhëheqje, LDK-së dhe partive të tjera po u mjaftojnë pak ditë për ta ndarë hisen e pushtetit.

I quajtur si “koalicioni i shpresës” bashkëpunimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së, përfundoi me 25 mars, kur një mocion mosbesimi i inicuar nga partia e Isa Mustafës u votua me sukses në Kuvendin e Kosovës.

Pas zhvillimeve që ndodhën në kohën e pandemisë COVID-19, Vetëvendosje nuk dërgoi emër, por as nuk e refuzoi të drejtën për të mandatuar dikë tjetër për kryeministër tek presidenti Hashim Thaçi – duke kërkuar zgjedhje, ndërsa ky i fundit mori vendim se mandatin do t’ia jap kujtdo që arrin të krijojë shumicën parlamentare.

Me të dekretuarin për kryeministër të ardhshëm – Avdullah Hoti, LDK-ja të mërkurën nënshkroi koalicion me AAK-në dhe Listën Serbe, ndërkaq të enjten bëri marrëveshje edhe me Nismën Socialdemokrate duke bërë të ditur se janë në negociata me AKR-në dhe partitë e tjera jo-shumicë.

PDK-ja e Kadri Veselit ka bërë të ditur se nuk do të votojë asnjë qeveri së cilën e quajtën “të mashtrimit” dhe se nuk do të bëhen pjesë e saj, duke kërkuar zgjedhje të reja, pas pandemisë.

Në anën tjetër, partia e Albin Kurtit po akuzon kreun e shtetit për mospublikim të letrave që po i shkëmben me Mustafën për mandatarin, pas paralajmërimeve se të njëjtat do të dërgohen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Të njten, presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media ka njoftuar se e ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.

Thaçi ka njoftuar se sot ka pasur një komunikim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Sot kam marr një letër nga kryetari i LDK përmes së cilës ai konfirmon që i mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisqë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare për qeverinë e re, shumicë që mu dëshmua sot faktikisht. Në përputhje me këtë letër, informoj se sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri”, tha presidenti.

Retrospektiva e koalicioneve

Udhëheqësit e Vetëvendosjes dhe LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, mes shumë takimeve e diskutimeve mezi ishin marr vesh për numrin e ministrive, ndarjen tyre, pozitën e presidentit dhe jo vetëm.

LVV-ja fillimisht thoshte se po kushtëzohet nga LDK-ja për koalicion në mënyrë që ta kishin të drejtën për të propozuar emrin e presidentit kur t’i vinte koha, përderisa mollë sheri ishte bërë edhe pozita e kryeparlamentarit.

Për këtë të fundit, të dyja partitë ishin dakorduar që t’i takonte LDK-së, por mosarritja e marrëveshjes para seancës konstituive të Kuvendit, bëri që Vetëvendosje të paraqiste për këtë pozitë nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën, të cilin e votuan edhe deputetët e LDK-së, duke ia besuar detyrën e re.

Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor të 2019-ës, por negociatat e partisë së tij me LDK-në vetëm sa u vështirësuan.

Nga partia e Isa Mustafës thonin se negociatat duhet të ktheheshin fare në fillim, pasi kishte ndryshuar pozita e kryeparlamentarit.

Në anën tjetër, LVV-ja fillimisht hezitoi që ta hiqte Konjufcën nga kjo pozitë, për të lëshuar pe më pas, duke bërë që me 2 shkurt të këtij viti menjëherë pas votimit të Qeverisë me kryeministër Albin Kurtin, të thirrej një seancë tjetër ku Vjosa Osmani (LDK) u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, Glauk Konjufca pasi qëndroi vetëm pak javë në krye të legjisativit kaloi në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Diasporë si ministër i këtij dikasteri.

Pak javë më vonë, koalicioni shpërfaqi përçarjen për temat më të nxehta si dialogu me Serbinë, tarifa 100 për qind, reciprocitetin e së fundmi edhe situatën me coronavirusin.

Kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti për një deklaratë të Agim Veliut lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e shkarkoi atë nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ku pastaj LDK-ja ia inicioi Kurtit rrëzimin nga udhëheqja e Qeverisë.

Por, këso mosmarrëveshjesh LDK-ja nuk pati me partitë tjera me të cilat po synon ta drejtojë vendin.

Pasi u nënshkrua koalicioni me AAK-në, kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti (LDK) tha se është i kënaqur me marrëveshjen, sipas së cilës, AAK-së iu besua drejtimi i katër ministrive dhe pozitës së zëvendëskryeministrit të parë.

“Parimet që i kemi bazuar në atë marrëveshje është programi qeverisës i LDK-së, të cilin ne e kemi prezantuar ma herët. Dhe i kemi vendosur kriteret për të qeverisur bashkë duke u siguruar që rendi dhe ligji është mbi të gjitha”, theksoi Hoti.

Por pakënaqësi në publik u shfaqën me emrat e AAK-së që priten të drejtojnë me ministritë.

“Zëvendëskryeministri i parë do të jetë z. Besnik Tahiri, pastaj, ministre e jashtme do të jetë zonja, Meliza Haradinaj- Stublla. Ajo nuk është e familjes sime, njëkohësisht për ministër të Drejtësisë do të jetë z. Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Blerim Kuçi dhe ministër i Arsimit do të jetë profesor,  Ramë Likaj”, tha tutje Ramush Haradinaj pas nënshkrimit të koalicionit.

E propozuara për kryediplomate të vendit, Meliza Haradinaj është e dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për fshehjen e një biznesi gjatë deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në kohën sa ishte këshilltare e ish-kryeministrit, Ramush Haradinajt. Rasti aktualisht është në Gjykatën e Apelit pas një ankese që Meliza Haradinaj – Stublla i ka bërë vendimit të gjykatës themelore.

Dënimi i saj erdhi pasi në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër.

Ndërkaq, i propozuari për Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi kishte fituar dy kontrata milionëshe gjatë vitit 2019 nga komuna të cilën e udhëheq bashkëpartiaku i tij, Bali Muharremaj si dhe nga Ministria e Kulturës që udhëheqej nga Kujtim Gashi i PDK-së.

AAK me këtë marrëveshje ka marrë përsipërcta udhëheqë edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe këtë dikaster ia ka besuar, Ramë Likajt.

Por, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka kundërshtuar propozimin e Likajt si ministër të MAShT-it, pasi sipas tyre, Likaj si profesor në UP është avancuar në mënyrë të dyshimtë.

“Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, reagoi organizata ORCA.

Në anën tjetër, Nisma Sociademokrate pritet t’i drejtojë dy ministri në Qeverinë Hoti, atë të Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Punës.

LDK-ja ka bërë të ditur se shpejt do të njoftojnë publikisht për pozitat e tjera qeveritare me parnerët e koalicionit.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!