Ish të burgosurit politik, Shaban Çupi dhe Bajram Dernjani duke treguar se si kishin ecur nëpër akulline oborrit të burgut në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Klithmat e ish-të burgosurve që çajnë muret e burgut

Krisma e shulit të derës së burgut ku ishin maltretuar për vdekje ende ua kujton pasthirrmat për ekzistencë ish – të burgosurve politikë. Aq sa u kujton dhimbje, aq edhe ua ushqen idealin që kishin ruajtur brenda katër mureve — betone të plasaritura të burgut të idealistëve që u shndërruan në muze të idealit.

Në mes të dhomës të errët në fund të korridorit të ngushtë të Burgut të Prishtinës, ende qëndron një karrige e vetme përballë së cilës është vendosur një brisk rroje me të cilin ishte prerë lëkura e thatë e të burgosurve politikë të Kosovës – por jo vetëm për rrojë.

Fytyra e Ramadan Nishorit nga Komorani i Drenasit, atëkohë 19 vjeçar, nuk kishte mjekërr, por kjo nuk ka qenë pengesë për berberin serb i cili fytyrën e tij të njomë e kishte përdorur për ‘artin’ e torturës.

Rrojtorja në fund të korridorit të burgut të Prishtinës që ishte përdorur për të torturuar të burgosurit. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

“I kam pas vetëm 19 vjet kur në këtë vend na rrujshin në fytyrë të terur, edhe pse as fije mjekre në  fytyrë nuk kam pas. Edhe na rrihte berberi serb ka qenë. Ka qenë një gardian shqiptar shef i ndërrimit, ai ma shumë se serbët na ka rreh,” tregon 46 vjeçari për BIRN.

Duke shëtitur prapa grilave të burgut të kryeqytetit, Nishori rrëfen kujtime të trishta të maltretimit çnjerëzor përgjatë shtatë muajve që kishte kaluar në këtë vend, nga gjithsej tri vite dënim.

Në një dhomë aq të vogël në të cilën menzi zgjatë këmbët, kishin qëndruar katër deri në tetë të burgosur. Sipër gjendej një dritare e vogël e rrethuar me grila e cila më shumë ngjallte ankth, se sa shpresë për liri. Anash gjendej banjoja e vogël e cila atëkohë nuk kishte ekzistuar, por është ndërtuar pas luftës. Ndërsa përgjatë viteve kur ishin të burgosur nevojat fiziologjike e kryenin në shishe, që ata i quajnë ‘kiblla’.

“Ai që e bartke kantën e bërllokut duhej me njërën dorë më mbajtë kovën, tjetrën me mbajtë mbrapa shpinës, e kokën nuk ke guxu hiç me çu lartë se të kanë rreh. Nonstop na kanë rreh e maltretu në mënyrë çnjerëzore,” tregon Nishori.

“Krejt tmerret i mbaj në mend prej ditës kur kam hyrë këtu, edhe jo vec kur të hi këtu po edhe rrugës kah të kaloj këtu,” shtoi ai me lot në sy.

Duke u endur nëpër dhoma e qeli, Nishori tregonte se kishte përjetuar aq shumë torturë në burg sa që për tri javë ishte detyruar të ec pa këpucë për shkak të këmbëve të enjtura. Kur kishte pasur vizita nga familjarët një herë në muaj, pavarësisht mallit  për ta, kishte hezituar t’i takoj që mos ta shohin në atë gjendje.

“Duart lidhë për radiatorë e merrnin karrigen e kthejshin kështu mbrapshtë edhe këmbët në mes të karrikes, edhe na rrehshin shputat e këmbëve. Dy veshët i kam pas 2 gishtë gjanë. Se që bahet ashtu veshi asnjëherë nuk kam mendu, veç prej rrehes po u bojshin,” tregon ai.

Ish-i burgosuri politik Ramadan Nishori duke rrëfyer për torturat që ka përjetuar në Burgun e Prishtinës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Dhunë fizike hanin më shumë se sa bukë gjatë njëzet e katër orëve. Një copë bukë ishin detyruar ta ndajnë për tri vakte. Sipas Nishorit, vetëm atëherë kishte arritur ta kuptoj që njeriu është më i fortë se guri.

“Ma mirë u kanë mos me hangër hiç bukë, se me hangër atë copë bukë. Ma shumë na untojke se që nga ngijke. As kurrë nuk na e ndajshin dajakun,” ndau Nishori edhe një kujtim të hidhur nga vitet e tij prapa grilave, teksa bënte me gisht nga dhoma në fund të korridorit përskaj rrojtores.

Ish-burgu i Prishtinës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Burgu famëkeq i Prishtinës u ndërtua në vitin 1951 në epokën komuniste dhe u përdor kryesisht për të mbajtur të burgosur politik shqiptarë. Ndërsa u mbyll në 2016, pas ankesave të vazhdueshme për kushte të këqija.

Vendimi për themelimin e Burgut të Prishtinës në muze është marrë në 2020 nga Qeveria e Kosovës. 

Pak jetë

Në një barishte e vogël në të çaren e betonit të oborrit të burgut të dënuarve i kishte ngjallë shpresë se të ekziston shpresa ka jetë. Sot në atë oborr gjendet një fik i rritur që çelë fryte përvjet.

“Një barishte pati dalë në një të çarë betoni si lloj barishte edhe veç e kqyrshim se na ngjallte pak jetë, edhe po ta shkulnim na u doke që po na mbet më pak jetë,” rrëfen ish-i burgosuri tjetër për BIRN, Shaban Çupi nga Paldenica e Hanit të Elezit.

Pema e fiqit në Burgun e Prishtinës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Ndërsa, ish-i burgosuri Emin Sallahi thotë që pema nuk mund të zhvillohet te muri, edhe pse afër murit  ‘edhe mund të rritet pak, edhe mund të qes fruta, por asnjëherë nuk do ta arrijë shtatin dhe nuk do të qes frutat e një peme e cila rritet e ngrohet në liri nga të gjitha anët me diell.’

Në të njëjtin oborr në mes të ngricave të dimrit ishin pastruar e ishin shëtitur nëpër akull në kahje të kundërt të akrepave të orës. Të renditur të gjithë me radhë për t’u pastruar për pesë minuta kohë, gati vetëm një herë brenda muajit.

Ish të burgosurit politikë, Shaban Çupi dhe Bajram Dernjani duke treguar se si kishin ecur nëpër akullin e oborrit të burgut në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

“Lamje ma mizere se këtu nuk ka pas. Këtu jashtë jemi desh dhe jemi la shumë persona. Ma mirë ka qenë mos me u la se sa mu la e sidomos në dimër. Këtu as urinën nuk kemi mujtë me mbajtë se ka qenë krejt akull,” tregon Çupi duke demonstruar se si ishin detyruar të ecnin nëpër oborr.

Në prapavijë dëgjohej tingëllima shurdhuese e burgut dhe krismat  e dyerve. Këto fishkëllima ende e përcjellin dhe i shkaktojnë efekte psikologjike Shaban Çupit. I dënuar me gjashtë vite burgim ai kishte arritur të ruajë idealin dhe të gjej forma të reja për të mbijetuar. Edhe pse ishte e rrezikshme të lexoje libra, brenda burgut kishte arritur ta lexoj librin ‘Brigjet’ të Esat Mekulit.

“Këtu është bërë thymja e personit, por ideali na ka mbajtë. Këtu ne kemi shkru poezi imagjinare. Kemi shkru poezi e tregime fshehurazi, fija e shkrepëses ka qenë lapsi jonë, kjo pjesa ilustruese e cigares ka qenë letra jonë,” rrëfen ai i dëshpëruar por me mburrje. 

Në dhomën numër katër të këtij burgu ai kishte qëndruar dy herë përgjatë viteve 1987 deri në vitin 1988. Për shkak të papastërtisë së madhe për këto vite ai thotë që sëmundja e zgjebës ka qenë e pandashme nga ta, ndërsa ushqimi ka qenë i tmerrshëm.

Ish-i burgosuri politik Shaban Çupi tregon dhomën në të cilën kishte vuajtur për një pikë dritë. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Përpos dhunës fizike në baza ditore deri në alivanosje, sipas tij ata i kishin futur në burg edhe me persona shizofrenë që t’i torturojnë mendërisht. Nëse dhoma i ka pasur katër të burgosur, një prej tyre ka qenë i burgosur politikë dhe tre të tjerët kriminelë.

“Një ka qenë i burgosur politik, tjetri vrasës, tjetri dhunues e tjetri hajn. Dhe nuk janë përafru askund konceptet amo e kanë bërë më qëllim që tri pjesë me sundu një pjesë, me ndrydh. Edhe lufta fundamentale e UDBA-s  ka qenë të na bëhet neve kapitullimi mental,” tregon ish-i burgosuri.

Shaban Çupi është edhe përjetues i masakarës së Dubravës. Ai i pikëlluar tregon që ka humbur më shumë se 120 shokë të idealit. Pas luftës ai ka shkruar mbi 18 libra. E për të gjitha këto përjetime ai nuk kërkon të mbiçmohet, por vetëm e vetëm të vlerësohet.

Vdekja që kaloi para syve

Tmerrin me sytë e tij, Idriz Isufi e kishte parë edhe si gardian i burgut të Prishtinës edhe si  ish– i burgosur politik. Nga gjaku e tortura që kishte parë ai tregon që shpeshherë nuk e zë gjumi natën.

Prej vitit 1977 deri në 1982, Isufi përderisa kishte punuar në këtë burg ai më shumë kishte parë gjak se sa gjithçka tjetër. Ndërsa në vitin 1982 për motive tradhëtie atë e kishin dënuar me tri vite burg. Nga të gjitha këto ditë, ai thotë që kishte mbajtur 95 ditë në vetmi të plotë pa asnjë zë njeriu përreth.

Si gardian i burgut Idrizi shpalos një nga rastet më të rënda që kishte përjetuar kur një i burgosur politik kishte tentuar të bëj vetëvrasje.

Ish i burgosuri politik dhe gardiani Idriz Isufi rrëfen për krimet që kishte parë me sytë e tij në Burgun e Prishtinës. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“I rrjedhte gjaku sa nuk mundesh me ndalë. Ia kam shkel dorën për me iu ndal gjaku edhe vinte t’u iu ndalë, edhe e kemi dërgu në spital pa lejen e këtyre se nuk na lejonin se rrezikoheshim. Mbas 7 orësh operacioni tha që edhe 20 minuta mos me ardhë ish vdekë prej gjakderdhjes,” rrëfen ai i dëshpëruar.

Sipas Idrizit, ka pas raste kur të burgosurit nuk kanë pas bukë për të ngrënë, ose raste tjera kur 10 veta kanë pritë në rend në acar për t’u pastruar ‘veç sa me prek uji në lëkurë’. 

Ai ishte duke i treguar fëmijëve që kishin ardhur ta vizitonin muzeun për historitë e burgut kur ndau për BIRN disa histori vdekje nga burgu. Të skajuar në një qoshe ai tregoi kur të burgosurin Halil Alidema e kishte parë me sytë e tij në skaj të vdekjes.

“Kur e kanë pru prej inspektoriati sigurimi shtetëror kolegu e ka qitë në shpinë, ai pa vetëdije hiç edhe zhag t’u e ngrehë. Kur ka hy brenda në derë më ka thirrë me i ndihmu, e kur e dërguam në dhomë edhe e kemi lëshu ngadalë që mos me përplas por në atë moment i ka shpërthy gjaku. Kam pa njeri me gjakderdhje por me të dal gjak prej syve e veshëve kurrë nuk kisha pa,” shpalos ai.

Ish-burgu i Prishtinës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Ish-gardiani tha që Halilin e kanë torturuar pa kurrfarë dhimbje deri sa ia kanë humbur ndjenjat. Sipas tij, me pas e kishin marrë e kishin dërrguar diku dhe për dy muaj nuk e ka ditur askush a është i gjallë apo i vdekur.

“E kishin dërgu në spitalin ushtarak në Kukës për me ia shpëtu jetën. 27 ditë kish qëndru në komë, mbas 27 ditësh e ka pa veten ne spital e të rregullum mirë edhe ka thanë vet me veti kokna ardhë në xhehnem të serbëve se krejt po folin serbisht,” shtoi ai.

U rrah për këngën që kurë nuk e këndoi

Për këngën që nuk e kishte kënduar, Bajram Dërnjani nga Kaçaniku kishte përjetuar dhimbje të rrahjes në secilën pjesë të trupit.

“Një gardian serb futet brenda edhe tha: Cili nga ju këndoj? Nuk ka këndu askush prej neve. Qëllimi kisha qenë unë, më nxorën jashtë edhe më torturuan në mënyrë të tmerrshme. Më nxorën në koridor dhe më goditën në secilën pjesë të trupit,” rrëfeu ai për BIRN.

I dënuar me pesë vite burgim të kaluar nëpër burgje në ndryshme, prej tyre shtatë muaj në burgun e Prishtinës, Dërnjani para arrestimit  kishte qenë vetëm në dy provime para diplomimit në Fakultetin Juridik. Pas daljes nga burgu me amnisti ai kishte diplomuar.

“Kam pasoja fizike, por ne kemi qëndru të fuqishëm. Jo vetëm Kosova të bëhet shtet por të bëhet bashkimi i të gjitha territoreve, çlirimi i tyre. Ky ka qenë ideali ynë kryesor,” thotë ai.

Ish i burgosuri politik, Bajram Dërnjani. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Dërnjani ndau një kujtim kur kishin vendosur me amnisti ta lironin nga burgu dhe në orën 12 të mesnatës, oficerët për ta përmbushur dokumentacionin e kishin provoluar nëse të ia shkruajnë vendin si Republika e Kosovës a Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.

“I thash ti je zyrtar shkruaje si të duash. Tha jo po du me ditë ti qysh po donë. I thashë nëse më pyet mu e shkruan Republika e Kosovës. Ai mu kthye: Ty asnjë ditë më herët nuk është dashtë me të lëshu por mbasi na ka ardh urdhëri duhet me të liru,” përfundoi ai.

Për herë të parë në burgun e shëndërruar në muze ish të burgosurit politikë hynë me përshëndetjen “Mirë se erdhe në burg”, dhe të tjerët që u kundërpërgjigjën me buzëqeshje ‘që askush nuk mirë se vjen në burg, por mirë se ardhshin në muzeun e burgut.’

Ky artikull fillimisht u publikua në Prishtina Insight.