Kisha e Re Nxit Tensionet Etnike në Maqedoni

Policia tha të mërkurën se janë duke monitoruar situatën në fshatin Oktisi pranë Strugës, ku të dielën banorët shqiptarë penguan një ceremoni inauguruese për një kishë të vogël ortodokse iniciuar nga maqedonasit.

“Situata është e qetë, por patrullat tona janë vigjilente”, i tha BIRN-it një zëdhënës i policisë.

Mediat njoftuan se të shtunën në mbrëmje, klerikët myslimanë vendas shfrytëzuan lutjet e mbrëmjes për të thirrur besimtarët që të protestojnë mëngjesin tjetër kundër ndërtimit të kishës.

Një klerik përdori altoparlantët në minaren e xhamisë së tij për të bërë thirrjen për protestë.

Të dielën, më shumë se njëqind shqiptarë u mblodhën në sheshin e ndërtimit në fshat dhe parandaluan vënien e gurthemelit të kishës kushtuar Shën Dhimitrit.

Ndërkohë një kordon policie parandaloi shndërrimin e ngacmimeve të herëpashershme midis fshatarëve në një përleshje më të madhe, njoftoi agjencia e lajmeve MIA.

“Ne jemi privuar nga e drejta jonë themelore njerëzore,  për të ecur lirshëm në këtë tokë maqedone”, tha prifti lokal ortodoks Zoran, pas incidentit.

BIRN-i nuk arriti të marrë një koment nga Bashkësia Islame e Maqedonisë, në lidhje me akuzat se klerikët e saj bënë thirrje për protestë nga dy xhamitë e fshatit.

Incidenti ka filluar të rindezë tensionet fetare dhe etnike në vend.

Media ne gjuhen maqedone kishte raportuar grindje të vogla në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në Oktisi edhe para incidentit të fundjavës, edhe pse asnjëra prej këtyre rrëfimeve nuk janë argumentuar ende.

Ndonëse në vitin 2001, Maqedonia kaloi nëpër një konflikt të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë maqedone , rajoni etnikisht i përzier rreth Strugës nuk ishte i përfshirë.

Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshjeje, që i dha më shumë të drejta shqiptarëve që përbëjnë një të katërtën e popullsisë.

Që atëherë incidente të motivuara etnikisht kanë ndodhur kohë pas kohe.

Incidenti i fundit i madh ndodhi në mars kur Shkupi gjatë dy ditëve u kaplua nga protesta dhe kundër-protesta të dhunshme në lidhje me emërimi ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Talat Xhaferi, si ministër i mbrojtjes. Katërmbëdhjetë persona janë burgosur si rezultat i këtyre protestave.

Shumica e popullsisë në Maqedoni janë maqedonas ortodoks, përderisa shumica e shqiptarëve që përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë janë mysliman.