Kina Zgjedh Liderin e Ri

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Kina ka zgjedhur liderin e saj të ri. Xi Jinping është zgjedhur në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës, posti më i rëndësishëm në vendin me ekonominë më aktive në botë.

Kongresi i 18-të me radhë i Partisë Komuniste të Punës, një ngjarje ku marrin pjesë rreth 2300 delegatë dhe organizohet një herë në 5 vjet, ka zgjedhur të enjten Xi Jinping si shefin e saj të ri.

Posti piedestal i pushtetit në Kinë ka mandat 10-vjeçar, ndërsa transferimi i pushtetit zgjat rreth pesë muaj.  Kjo i bie që Xi Jinping do të zëvendësojë presidentin Hu Jintao në mars të vitit 2013.

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua jep fare pak të dhëna lidhur me biografinë  e Xi Jinping-ut, përveç faktit që ai rrjedh nga një familje komunistësh veteranë dhe që ka mbajtur postet më të larta shtetërore në Kinë, përfshirë edhe postin e nënkryetarit kinez.

Jinping thuhet se gëzon respekt në Kinë për shkak qëndrimeve të tij të ashpra ndaj korrupsionit dhe gatishmërisë së tij për reforma ekonomike dhe politike.

Liderin e ri e presin sfida të ndryshme përfshirë çështja  e Tibetit dhe zhvillimi ekonomik. Kina ka synim ekonomik që t’i dyfishojë të ardhurat për kokë banori të vitit 2010 deri në vitin 2020.

Një synim i cili do të mund të realizohej, vetëm nëse GDP-ja e Kinës rritet një dekadë radhazi me tepër se 7 për qind

Ndërkohë, që ekonomia globale ka shënuar tkurrje dhe investimet e huaja në Kinë po zvogëlohen një synim i tillë pritet të jetë një sfidë e fortë për udhëheqësin e ri.