Këshilltari kroat, i vetëm në luftën kundër urrejtjes etnike

Kur këshilltari lokal Jure Zubciç pa një grafiti anti-serb në një mur në qytetin bregdetar kroat të Zarës, ai vendosi se nuk mund të toleronte gjuhë urrejtjeje në qytetin e tij dhe nisi të ndërmerrte veprime.

 

Jure Zubciç, një këshilltar i qytetit 29-vjeçar nga Zara, është bërë i njohur për ndërmarrjen e veprimeve të drejtpërdrejta kundër grafitit anti-serb, duke e ndryshuar atë nga “të vrasësh një serb” në një “të puthësh një serb”.

Edhe pse dikush ngriti një ankesë penale ndaj tij, ai beson se veprimet e tij kanë pasur një ndikim pozitiv.

“Policia në Zarë, pas dy ndryshimeve të mia, tani po i urdhëron zyrtarët e komunitetit të pastrojnë grafitit. Unë e konsideroj progres këtë”, tha për BIRN këshilltari i ri nga Partia Social Demokratike e qendrës së majtë, SDP.

“Kolegët e mi s’do ta bënin kurrë këtë, por ata e mbështesin këtë gjë sepse e kuptojnë mesazhin”, tha Zubciç.

Megjithatë, ai beson se këshilltarët e tjerë në Zarë, kryesisht nga qendra e djathtë e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, me siguri mendojnë se veprimet e tij janë marrëzi.

“Por unë nuk mendoj është marrëzi sepse kam gjetur një mënyrë për të dërguar një mesazh dhe i bëra institucionet të bëjnë atë që duhet të bëjnë”, tha ai.

I denoncuar nga një ankimues anonim

Në dhjetor 2018, kur Zubciç ndryshoi për herë të parë grafitin anti-serb, ai shkoi të shpjegohej në polici. Fillimisht, shkoi mirë.

“Ata ishin vërtet të ndërgjegjshëm. Nuk pata probleme me policinë, por më vonë, mora një ankesë penale anonime”, tha Zubciç.

“U denoncova nga një person anonim për dy vepra penale. Njëra është shkatërrimi i pronës së dikujt tjetër dhe tjetra është, për ta parafrazuar – sepse nuk e kam këtu dokumentin – për veprën penale të mashtrimit të njerëzve që anëtarët e publikut kroat janë ksenofob”, tha ai.

Zubciç tha se ai nuk kishte folur me mediat për marrjen e tij në pyetje për herë të parë nga policia, sepse e trajtuan mirë, por pas herës së dytë, e cila ishte e domosdoshme për shkak të denoncimit anonim, ai foli me gazetarët për ta ftuar denoncuesin të dilte publikisht dhe për ta ftuar atë ta diskutonte këtë problem me të.

“Nëse dikush mendon se kam bërë një krim, le të përballemi me argumentet, pa ndonjë zemërim, pa urrejtje, pa ndonjë intolerancë”, shpjegoi Zubciç.

Paditësi megjithatë nuk e kontaktoi kurrë atë dhe ai supozon se çështja është pushuar sepse nuk ka dëgjuar më shumë për këtë nga policia.

Ndërkohë ai kujtoi rastin e një njeriu që vizatoi një çekiç dhe drapër në një monument të ish-presidentit kroat Franjo Tudjman dhe u arrestua dhe tani është në gjyq, duke thënë se incidenti nxori në pah se në Kroaci operojnë me standarde të dyfishta.

“Ne kemi një situatë kur policia menjëherë reagon ndaj shkatërrimit të një monumenti për presidentin e parë kroat dhe në Zarë, policia nuk reagoi ndaj një krimi të gjuhës së urrejtjes derisa ai u bë publik”, tha ai.

“Reagime të dobëta gjyqësore” ppër krimet e urrejtjes

Këshilli Kombëtar Serb, i cili përfaqëson pakicën serbe në Kroaci, tha se raporti i tij vjetor me titull “Revizionizmi Historik, Gjuha e Urrejtjes dhe Dhuna kundër Serbëve në vitin 2018”, botuar në maj të këtij viti, kishte 33 grafiti ose slogane që përmbanin gjuhë urrejtjeje dhe intolerancë etnike në 2018. Pati 35 incidente të ngjashme në 2017, 24 në 2016 dhe 14 në 2015.

Që nga lufta e Kroacisë kundër forcave të kombinuara të Ushtrisë Jugosllave dhe rebelëve serbë të Kroacisë, tensionet kanë vazhduar midis shumicës kroate të vendit dhe pakicës serbe, me një rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj serbëve, siç paralajmëroi Komisioni i Këshillit të EUropës kundër Racizmit dhe Intolerancës në 2018.

Këtë verë pati disa incidente të dhunshme, më të fundit që ishin dy sulme të ndara ndaj serbëve të Kroacisë të cilët po ndiqnin një ndeshje futbolli të Yllit të Kuq të Beogradit në lokalet në fshatrat Uzdolje dhe Djevrske kur hynë agresorët e tyre. Pesë persona, përfshirë njëi mitur, u plagosën lehtë.

I pyetur nëse ai mendon se intoleranca ndaj pakicave etnike ka arritur kulmin në Kroaci, Zubciç tha se “sinqerisht shpresoj që ky të jetë një lloj kulmi”, por se ai “druhet se mund të mos jetë e tillë”.

“Kam frikë sepse shoh reagime të dobëta ose asnjë reagim gjyqësor ndaj krimeve të tilla”, tha ai.

Zubciç është i vetëdijshëm se intoleranca ndaj kombësive të tjera nuk është problem vetëm në Kroaci. Ai foli për këtë në televizionin publik serb RTS më 2 nëntor, por tha se një pjesë e intervistës ishte e prerë – pjesa në të cilën  ai tha se është në interes të HDZ-së në pushtet në Kroaci dhe të Partisë Progresive Serbe në pushtet në Serbi që urrejtja të nxitej nga mediat vendase.

Kur bëhet fjalë për qytetin e tij, Zarën, ai tha se ka pasur disa incidente gjuhe urrejtje dhe dhune.

“Është ajo pakica, dua akoma të besoj, e cila jo vetëm që bën grafiti anti-serbe, por gjithashtu brohoret nëpër ndeshje sportive ose nëpër evente të ndryshme publike”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi: “Nga ana tjetër do të thosha se, përsa i takon shumicës, kjo intolerancë nuk ekziston. Jo të gjithë, por shumica e madhe nuk i urren kombësitë e tjera.”