Këshilli Antikorrupsion Tashmë në Letër

Këshilli Kundër Korrupsionit, idenë për të cilin e ka dhënë presidentja Atifete Jahjaga, tashmë ka një strukturë në letër, dhe pritet të themelohet në fund të janarit.

Presidentja Jahjaga tashmë e ka gati përbërjen e Këshillit, me të cilin synon ta luftojë korrupsionin, shkruan Express.

Në Këshill do të jenë Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Brendshme, institucionet gjyqësore dhe organizata joqeveritare.

Burime të kësaj gazete në Presidencë kanë bërë të ditur se janë përzgjedhur institucionet, të cilat do të marrin pjesë në luftën e Jahjagës kundër korrupsionit.

“Kryesisht do të marrin pjesë institucionet e pavarura të drejtësisë si: Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe organizata të ndryshme joqeveritare”, ka thënë një zyrtar, në kushte anonimiteti.

Kryetari i KGJK-së, Enver Peci, ka thënë se është i pajtimit në parim që këshilli që ai udhëheq të marrë pjesë në “Këshillin e Jahjagës”. Por, ai saktëson se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në këtë këshill.

Kurse zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, thotë se ky do të jetë një këshill konsultativ dhe se do t’i përgjigjen ftesës për pjesëmarrje.

Por ai thekson se Qeveria mbetet në “vijën e parë të fronit” në luftën kundër korrupsionit, sepse këtë e përcaktojnë ligjet dhe Kushtetuta e vendit.