Kërkohet dyfishimi i çmimit të rrymës

Çmimi i energjisë në Kosovë mund të dyfishohet në vitin 2022 nëse kërkesa e bërë për të hyrat maksimale nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) pranohen në tërësi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. 

Në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, të dy kompanitë kanë kërkuar që të hyrat e tyre të rriten për 95% krahasuar me vitin 2021.

“Kërkesa e KESCO-së për rritje të të hyrave është 95% apo në vlerë financiare 313 milionë euro, duke përfshirë të gjitha kostot e bartshme të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), në vlerë prej 300 milionë euro”, thuhet në sqarimin e Rregullatorit të Energjisë.

Një pjesë e këtyre të hyrave që janë kërkuar janë kosto e importit të energjisë që është realizuar gjatë vitit 2021 dhe në muajt e parë të vitit 2022 e të cilat nuk janë mbuluar nga tarifat e vitit 2021.

KEDS-i dhe KESCO aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave e kanë bërë në aplikacione të ndara.

Të hyrat e KESCO-s i mbulojnë kostot e gjithë sektorit, pra blerjen e rrymës më shumicë, kostot e KEDS-it dhe KOSTT-it. Por, në aplikimin që KESCO ka bërë nuk i ka përfshirë gjitha kostot e KEDS-it, sidomos kostot e vitit 2021 që nuk kanë qenë të mbuluara në tarifat e vitit të kalur. 

Kostot e pritshme të KESCO-s, sipas aplikacionit të tyre, për vitin 2022 janë 479.45 milionë euro. Të hyrat e pritshme me tarifat aktuale, sipas tyre, janë 329.8 milionë euro apo 149.65 milionë euro më pak të hyra për të mbuluar kostot e pritshme për vitin 2022. 

“Me qëllim të vlerësimit të saktë të kostove të sistemit, FShU-ja në vlerësimet e tij për kostot e bartshme ka vlerësuar një rritje prej 41.38% të tarifave të OSSh-së dhe OST-së, e cila është e bazuar në nevojën e rritjes së FShU-së për vitin 2022 pa përfshirë kostot e bartshme”, theksohet në kërkesën e KESCO-s.

Por, në aplikimin që ka bërë KEDS-i, që ka të njëjtin pronar me KESCO-n, kostot e bartshme ishin dukshëm me të larta.

“Kërkesa e KESCO-s për rritje të të Hyrave është 45% apo në vlerë financiare 150 milionë euro, duke mos përfshirë të gjitha kostot e bartshme të OSSh-së në vlerë prej 300 milionë euro, por vetëm 145 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së. 

Tutje Zyra e Rregullatorit ka thënë se KEDS-i ka kërkuar një rritje të të hyrave prej 193%, që në vlerë financiare i bie 198 milionë euro.

KEDS ka kërkuar që të hyrat maksimale për vitin 2022 të jenë 300.5 milionë euro.

Kjo kompani në aplikimin që ka bërë ka sqaruar se me tarifat aktuale të hyrat e pritshme për vitin 2022 janë 102 milionë euro, apo 198 milionë euro më pak se të hyrat e nevojshme për operim për vitin 2022 dhe mbulimin e kostove që kishte kjo kompani në vitin 2021 e të cilat nuk ishin të mbuluara me tarifat aktuale.

KEDS-i ka kërkuar rritje të tarifave të energjisë në muajin shkurt në mënyrë që të sigurojë të hyra prej 300 milionë euro gjatë vitit 2022.

“Vonesat e mundshme në reflektimin e drejtë të tarifës së pritshme do të vazhdojë të rëndojë tutje stabilitetin financiar të OSSh-së, dhe përkatësisht mund të lind nevoja për shqyrtim të jashtëzakonshëm përseri”, thuhet në aplikimin e bërë nga KEDS-i.

Një prej arsyeve kryesore për këtë rritje të të hyrave sipas KEDS-it është çmimi i lartë i energjisë që pritet të importohet që parashihet të jetë një çmim mesatar prej 226 euro/MWh.

Çmimi i importit, arsyja e rritjes së çmimit të rrymës

Në kërkesën për të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2022 të KESCO-s thuhet se kriza globale e energjisë elektrike pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022 sipas parashikimeve të çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, çmimi jashtë pikut parashihet të jetë 384.19 euro për MWh ndërsa çmimi i pikut parashihet të jetë 108 euro më shtrenjtë apo 492.20 euro për MWh. Çmimi parashihet të bie në tremujorin e dytë dhe të tretë dhe prapë të rritet në tremujorin e fundit të vitit 2022.

Në kërkesën e KESCO-s e cila është dorëzuar në ZRrE thuhet se kostot e blerjeve me shumicë për nevojat e saj për vitin 2022 janë 235 milionë euro për 5,081 GWh të pritshme. Nga KEK-u do të sigurohet shumica e energjisë elektrike apo 4,103 MWh në vlerë 121 milionë euro; prej BRE-ve 662 MWh në vlerë 27 milionë euro dhe 316 MWh do të sigurohen nga importi, vlera e të cilave do të jetë 87 milionë euro.

Edhe KEDS-it kërkesën për rritje të buxhetit e ka bazuar në kriza globale e energjisë elektrike e përhapurgjatë vitin 2021, e cila pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2022. KEDS ka vlerësuar se kostot e nevojshme për vitin 2022, marrë për bazë prodhimin e pritshëm sipas draft-bilancit të vitit 2022 dhe pritshmërisë reale të energjisë në hyrje të sistemit të shpërndarjes. 

Energjia e pritur në nivel të shpërndarjes për vitin 2022 është 6,594 GWh ndërsa kostot e pritshme për humbjet e lejuara janë 225.4 milionë euro, me një çmim mesatar prej 226.3 euro/MWh.

Parashikimet e KEDS-it për blerjen e humbjeve të lejuara sipas draft-bilancit për vitin 2022 vetëm për tremujorin e parë të vitit 2022 janë 94.4 milionë euro, me një çmim mesatar të importit të parashikuar prej 440.6 euro/MWh, sipas parashikimeve të tregut hungarez për tremujorin e parë të vitit 2022. Ndërsa të hyrat e pritshme për tremujorin e parë të vitit 2022 janë 31.1 milionë euro.

“Kostot e pritshme për tremujorin e parë të vitit 2022 tregojnë një kosto prej 112.6 milionë euro, me një përqindje të pambulueshmërisë prej 72%”, vazhdon kërkesa e KEDS-it.

Në kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshme, të cilën e ka dorëzuar KEDS-i në ZRrE, ka thënë theksuar se nëse merren parasysh edhe kostot e tjera për 3 muajt e parë të vitit 2022, komfor kostove të përcaktuara për vitin 2022 në periudhën e dytë rregullative, kostot e parashikuara të KEDS-it arrijnë vlerën prej 108.9 milionë euro.

“Kostot totale të OSSh-së për periudhën janar-mars arrijnë vlerën prej 127.05 milionë euro, me një përqindje të pambulueshmërisë prej 76%”, theksohet në kërkesë.

ZRrE me 13 dhjetor 2021 ka hapur procesin për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për KEDS-in, KESCO-n dhe KOSTT-in. 

Rregullatori ka sqaruar se në fillim të muajit shkurt pritet të publikohet raporti konsultativ i vlerësimit për të hyrat masimale të lejuara, në të cilin ekspertët e rregullatorit shqyrtojnë arsyeshmërinë e kërkesave të bëra nga KEDS, KESCO dhe KOSTT.

“Ne këtë raport palët e interesit mund te paraqesin komentet e tyre”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.

Rregullatori ka thënë se pas pranimit të komenteve nga palët e interesit pritet të vendos për tarifat që do të aplikohet gjatë një viti të plotë.

“Aplikimi për të hyrat e lejuara është bërë për periudhën njëvjeçare, pas përcaktimit të të hyrave të lejuara, do të përcaktohen tarifat të cilat do të aplikohen për vit relevant tarifor”, thuhet në përgjigjet e Rregullatorit të Energjisë.

Kërkesa për rritje të çmimeve të energjisë elektrike është bërë në kohën kur në Kosovë janë kthyer reduktimet e energjisë elektrike. Kufizimet e energjisë kanë filluar në pjesën e dytë të muajit dhjetor të vitit 2021, pasi kishte ulje të prodhimit të energjisë nga KEK-u ndërsa çmimet e importit kishin arritur deri në 400 euro për megavat në orë.