Kërkohet Dorëheqja e Bill Gates

Tre nga 20 investitorët kryesorë në korporatën Microsoft po lobojnë pranë bordit për të ushtruar presion ndaj themeluesit Bill Gates që të japë dorëheqje nga roli i drejtuesit të kompanisë së sistemeve operative dhe  programeve kompjuterike, të themeluar 28 vjet më parë.

Ndërkohë që shefi ekzekutiv i Microsoft Steve Ballmer ka qenë nën presion për vite me radhë në lidhje me përmirësimin e performancës së kompanisë, duket se kjo është hera e parë që aksionarët kryesorë janë fokusuar tek Gatesi, i cili mbetet një nga figurat më të respektuara dhe më me influencë në teknologji.

Disa burime brenda korporatës i kanë thënë Reutersit se nuk ka asnjë tregues që bordi i Microsoftit do t’i marrë parasysh dëshirat e tre investitorëve, të cilët së bashku mbajnë pak më shumë se 5 për qind të kapitalit të kompanisë. Ata kërkuan që identiteti i investitorëve të mbahet anonim, pasi që diskutimet janë private.

Gates ka rreth 4.5 për qind të kompanisë 277 miliardë dollarëshe dhe është aksionari individual më i madh.

Tre investitorët në fjalë, janë të shqetësuar se roli i Gatesit si drejtor i bordit po pengon adaptimin e strategjive të reja dhe do të limitojë fuqinë e një drejtuesi të ri ekzekutiv për të bërë ndryshime thelbësore.

Veçanërisht ata fokusohen në rolin e Gates-it në komitetin special të korporatës, ku ai ka ndikim në zgjedhjen e zëvendësit të Ballmerit.

Ata janë gjithashtu të shqetësuar se Gates, i cili harxhon më shumë kohë në fondacionin e tij të filantropisë, ka fituar pushtet në disproporcion me aksionet e tij në rënie.

Gates, i cili posedonte 49 për qind të Microsoftit në vitin 1986, tash shet aksione në vlerë prej 80 milion dollarësh për çdo vit sipas një plani të paracaktuar, i cili nëse vazhdon deri në vitin 2018 do ta lë atë pa aksione në korporatë.

Bill Gates ia dorëzoi rolin e drejtorit ekzekutiv, Ballmerit në vitin 2000, ndërsa i dha fund punës së përditshme në zyrë në vitin 2008, për t’u fokusuar në fondacionin 38 milion dollarësh “Bill&Melinda Gates”.

Në anën tjetër, në gusht të këtij viti, drejtori ekzekutiv Steve Ballmer tha se do të largohej brenda 12 muajve për shkak të presionit të punës.

Microsoft është tani në kërkim të një drejtori të ri ekzekutiv, edhe pse bordi ka thënë se strategjia e Ballmer-it do të vazhdohet.

Ai është fokusuar në prodhimin e pajisjeve të reja, si kompjuteri tabletë “Surface” dhe  lojërat Xbox, si dhe programeve kompjuterike.

Por, disa investitorë thonë se një drejtues i ri nuk mund të detyrohet ta ndjekë një strategji të tillë.

Lajmet se disa investitorë po punojnë për largimin e Gatesit nga roli i udhëheqësit ka provokuar reagime të përziera midis aksionarëve të tjerë.

“Është pritur shumë gjatë”, i tha Reutersit Todd Lowenstein, një menaxher në HighMark Capital Manaxhment, i cili zotëron aksione në Microsoft.

”Zëvëndësimi i një roje të vjetër me sy të freskët mundëson oksigjenin e duhur për të vlerësuar saktësisht strategjinë e kompanisë”, tha ai

Kim Caughey Forrest, analiste në “Fort Pitt Capital Group”, sugjeroi se tani nuk është koha për Microsoft të largojë Gatesin, dhe se ai mund të luajë një rol edhe më të madh.

 “Kam menduar që kompanisë i ka munguar një vizionar i teknologjisë”, tha ajo.”Por, Bill (Gates) do ta kryejë punën”.

Microsoft-i është akoma një nga kompanitë më të vlerësuara botërore të teknologjisë, duke bërë një profit neto prej 22 miliard dollarësh në vitin që shkoi.

Por sistemi i tij operativ kryesor Windows dhe në një masë më të vogël programet e zyrave (Microsoft Office) janë në rënie, duke qenë se celularët dhe kompjuterët tabletë po fitojnë më shumë popullaritet.

Aksionet e Microsoftit kanë qenë statike për një dekadë, por kompania ka humbur terren në krahasim me Apple dhe Google në tregun e sistemeve kompjuterike mobile.

Një nga burimet tha se Gates ishte një ndër pionerët më të mëdhenj të teknologjisë, por investitorët mendojnë që ai ishte më produktiv si drejtor ekzekutiv, sesa si udhëheqës bordi.

(Shkrimi bazohet në raportimet e Reutersit, BBC-së, The Independent-it)