Kërcënohet Gazetari Mefail Bajqinovci

Ai të hënën kishte mbajtur një debat televiziv në të cilin është diskutuar për vrasjet e profileve të larta në Kosovë.

Bajqinovci pretendon se kërcënimi që i është bërë atij të mërkurën rreth orës 11 ka të bëjë me këtë emision.

“Diku rreth orës 10:20 deri në 11:00 kam marrë telefonata nga një person i cili nuk u prezantua dhe filloi të fyej gjithçka”, tha gazetari Bajqinovci.

“E kam pyetur kush po të duhet, por ai nuk donte as me bisedu dhe vazhdonte të shante e kërcënonte”.

Gazeta ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës të cilët e kanë konfirmuar rastin.

“Tek ne ka ardhur një rast kërcënimi. Së bashku më prokurorin ne e kemi hapur rastin dhe tash po vazhdojmë hetimet”, tha Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

Edhe vet gazetari Bajqinovci, thotë se Policia e Kosovës, ka reaguar shumë shpejt ndaj rastit të tij dhe e ka lokalizuar thirrjen se prej nga ka ardhur.

“Thirrja ka ardhur prej një pavijoni të burgut të Dubravës”, tha Bajqinovci.

Rastin e kërcënimet të gazetarit Bajqinovci e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“AGK dënon ashpër këtë akt ndaj Bajqinovcit dhe çdo lloj kërcënimi tjetër që iu bëhet gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.