Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN. Fotot e Emiljano Shullazit dhe gjyqtares Saida Dollani nga LSA.

Kërcënime dhe procedurë: Si e gjunjëzoi drejtësinë Emiljano Shullazi

Ditën kur gjyqtarja Saida Dollani e Apelit për Krime të Rënda u caktua kryetare e trupës në çështjen kundër Emiljano Shullazit, bashkëshorti i saj mori si mesazh një pistoletë në gojë.

Mbrëmjen e 23 prillit 2019, Kristaq Prifti ishte duke tymosur një cigare në ambientet e jashtme të një lokali në afërsi të shtëpisë, kur një djalë i ri, i veshur me të zeza iu afrua me shpejtësi, i bllokoi këmbën e majtë dhe me një të shtyrë në kraharor, e rrëzoi përtokë.

Pamjet e kërcënimit, të fiksuara nga një kamera në zonë tregojnë se si agresori i vendosi pistoletën në gojë Priftit dhe i përcolli një mesazh. Një mik i Priftit në vendngjarje u përpoq më kot të largonte autorin e kërcënimit, duke e tërhequr atë nga mbrapa.

Sipas denoncimit të bërë më pas në polici, kërcënimi kishte si objekt punën e gjyqtares Dollani. “Ti me atë shk**dhatën tënde, mos harro se i ke dy djemtë në… [vendin ku studiojnë djemtë e gjyqtares],” ka kërcënuar agresori, para se të largohej me vrap në anën e djathtë të rrugës.

Gjyqtarja Dollani është vetëm një prej zyrtarëve të drejtësisë që u kërcënua familjarisht në mënyrë mafioze në kohën kur Gjykata e Apelit për Krime të Rënda po përpiqej të ngrinte një trupë gjyqësore për çështjen “Shullazi”.

Më 15 maj 2019, edhe gjyqtari Sokol Binaj u gjend përballë makinës së djegur në pronësi të bashkëshortes së tij, ndërsa gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arben Vrioni mori një urdhër mbrojtjeje në kohën që u komandua si pjesë e trupës gjyqësore në çështjen kundër Shullazit.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi krijimin e një atmosfere frike  dhe shantazhi në paskuintat e procesit gjyqësor ndaj Shullazit, braktisjen e gjyqtarëve të kërcënuar nga institucionet dhe kolegët e tyre si dhe dështimin e hetimeve për zbardhjen e autorëve, pavarësisht se këta të fundit u fiksuan nga kamerat e sigurisë.

Kërcënimet nga “autorë të panjohur” duket se i shtruan rrugën largimeve në seri të gjyqtarëve dhe zhytjes së çështjes Shullazi drejt kolapsit –një situatë e shoqëruar me mbyllje sysh nga institucionet e drejtësisë.

Gjyqtarja Saida Dollani dhe gjyqtari Sokol Binaj nuk pranuan të komentonin për BIRN kërcënimet, me argumentin se nuk mund të jepnin qëndrime për shkak të detyrës së tyre. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi gjithashtu të jepte shpjegime mbi masat mbrojtëse ndaj gjyqtarëve të kërcënuar, duke e konsideruar këtë informacion “sekret shtetëror”.

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe mohoi që klienti i tij të kishte lidhje me kërcënimin e bashkëshortit të Dollanit apo dijeni mbi kërcënime të gjyqtarëve të tjerë në një komunikim me BIRN.

“Policia ka pasur të gjithë mundësinë të identifikojë autorin apo autorët [e rastit Dollani], pasi gjithçka është zhvilluar nën objektivin e një kamere që ka filmuar gjithçka,” tha Meçe, duke aluduar se ngjarja mund të ishte një inskenim.

Avokati i Shullazit shtoi gjithashtu se “shkeljet ligjore të gjyqtarëve janë denoncuar gjithmonë në rrugë ligjore dhe institucionale”, ndërsa i konsideroi gjyqtarët e caktuar në këtë proces të pabesueshëm për të qenë të drejtë dhe të paanshëm.

Pushim dhe pezullim hetimesh

Kur bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani u kërcënua me armë zjarri, problemet për familjen e tyre sapo kishin filluar. Sipas një kallëzimi të dytë të dorëzuar nga Dollani në Prokurori, kërcënimi i të shoqit u pasua nga një fushatë sulmi nga një portal lajmesh në internet.

BIRN mësoi se gjyqtarja Dollani kallëzoi portalin online Pamfleti, duke pretenduar se përmes shkrimeve të publikuara gjatë muajit maj 2019 nga autorë të panjohur, është shpifur për personin e saj, me qëllim pengimin e ushtrimit të detyrës nëpërmjet dhunës psiqike.

Njëri prej shkrimeve aludonte se gjyqtarja Dollani e kishte sajuar kërcënimin e të shoqit me qëllim kalimin e procesit të vetingut. Ndërsa një artikull i dytë publikonte fotot e djemve të gjyqtares dhe adresën e shkollës ku ata studionin jashtë shtetit –një fakt ky i përmendur edhe gjatë kërcënimit me armë të të shoqit.

Kallëzimet e bashkëshortëve Prifti dhe Dollani u bashkuan në një procedim të vetëm më 3 qershor 2019 dhe Prokuroria e Tiranës i nisi hetimet për akuzat e “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Por brenda një muaji, çështjet u ndanë sërish nga prokurorja Ida Ahmetlli, e cila brenda një kohe të shkurtër pezulloi hetimet për kërcënimin me armë të Kristaq Priftit dhe pushoi hetimet për artikujt e publikuar në portalin Pamfleti.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se çështja e kërcënimit të Z.Prifti u pezullua për shkak të dështimit të identifikimit të autorit. Ndërsa kallëzimi i gjyqtares Dollani ndaj portalit Pamfleti u pushua me argumentin se çështja mund të konsiderohej shpifje, por jo kërcënim me qëllim pengimin e ushtrimit të detyrës.

Prokuroria konkludoi se artikujt e publikuar ndaj gjyqtares Dollani nuk kanë përmbajtje kanosëse serioze për jetën dhe shëndetin e saj apo të familjarëve dhe nuk parashikohen nga ligji si vepra penale. Ahmetlli shprehet se këto artikuj mbeten në nivelin e shpifjes dhe se duhet të ndiqet drejtëpërdrejt nga viktima akuzuese në gjykatë.

Gjyqtarja Dollani dhe bashkëshorti i saj, Kristaq Prifti i kundërshtuan vendimet e Prokurorisë së Tiranës, duke pretenduar se nuk ishin kryer as hetimet më minimale. Ata i kërkuan gjykatës që të detyrojë Prokurorinë të shterojë hetimet për të dy rastet- duke i konsideruar të lidhura ngjarjet me njëra-tjetrën.

Gjykata e Tiranës i ka rrëzuar vendimarrjet e prokurorisë në të dyja rastet. Lidhur me vendimin e pezullimit të hetimit për kërcënimin e Kristaq Priftit, gjyqtarja Armela Hasantari i kërkoi prokurorisë që të verifikonte kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes dhe në rrugën prej nga u largua agresori, me qëllimin e identifikimin e autorit.

“Ankimi i Kristaq Priftit është gjykuar më datë 12 nëntor 2019 dhe se është vendosur pranimi i kërkesës dhe urdhërimi i prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë të rifillojë hetimet penal nr. 3539 të të vitit 2019. Mësohet se vendimi i gjykatës është pa të drejtë ankimi dhe prokuroria është e detyruar të rifillojë hetimet,” deklaroi Gjykata e Tiranës për BIRN.

Më 11 tetor 2019, Gjykata e Tiranës e konsideroi gjithashtu të padrejtë vendimin për pushimin e kallëzimit të gjyqtares Dollani ndaj portalit Pamfleti.

Gjyqtarja Shefkie Demiraj ka çmuar se prokuroria duhet të identifikojë artikullshkruesin dhe ta pyesë atë në lidhje me rrethanat e çështjes, qëllimin e artikujve, burimin e informacionit në lidhje me gjyqtaren Saida Dollani. Gjykata parashikon se nëse nuk identifikohet artikullshkruesi, duhet të pyetet përfaqësuesi i portalit online Pamfleti.

Përfaqësuesit e portalit Pamfleti nuk ishin të arritshëm për koment deri në publikim e këtij shkrimi. Ndërsa prokurorja Ahmetlli refuzoi të komentonte për BIRN vendimarrjen e saj për çështjet që kanë lidhje me gjyqtaren Dollani.

“Është shkelje etike të komentoj për çështjet e mia për të cilat kam marrë vendim,” tha prokurorja në një komunikim telefonik.

Djegia e makinës, pa autor

Më 15 maj 2019, makina në pronësinë e bashkëshortes së gjyqtarit Sokol Binaj u gjet e djegur në Tiranë. BIRN mësoi se gjatë kallëzimit penal në polici, gjyqtari Binaj deklaroi se ditën e ngjarjes, makina përdorej prej tij dhe se dyshonte që akti lidhej me detyrën si gjyqtar, duke përjashtuar çdo problem të natyrës private.

Sokol Binaj ishte një ndër gjyqtarët e parë të caktuar me short në procesin “Shullazi”, por qëndroi si anëtar i trupës gjykuese vetëm për gjashtë seanca. Në mars 2019, ai dorëzoi një kërkesë për dorëheqje në Apelin e Krimeve të Rënda, me argumentin se kishte gjykuar një tjetër çështje më parë.

Procedimi penal për djegien e makinës në pronësi të bashkëshortes së Binajt është regjistruar në korrik 2019 në Prokurorinë e Tiranës dhe çështja vazhdon të qëndrojë e hapur, por pa rezultate.

Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se “çështja është ende në hetim për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr”.

Njësoj si në rastin e kërcënimit të bashkëshortit të gjyqtares Dollani, edhe autori i djegies së makinës së gjyqtarit Binaj është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Megjithatë, nëntë muaj pas ngjarjes, autori i këtij krimi vazhdon të jetë i paidentifikuar nga institucionet ligjzbatuese.

Një burim në dijeni me hetimin i tha BIRN në kushtet e anonimatit se pamjet filmike të kamerave të sigurisë së semaforëve kanë arritur të kapin një pamje të plotë të personit që i ka vënë zjarrin makinës së familjes Binaj. Nga verifikimi i pamjeve të këtyre kamerave të sigurisë, është identifikuar edhe lloji i makinës, një Fuoristradë, që ka pritur autorin dhe më pas janë larguar deri në kryqëzimin e 21 Dhjetorit.

Megjithatë, ngjarja vazhdon të mbetet ende pa autor.

Kolapsi i gjyqit “Shullazi”

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, dhe anetaret gjate nje mbledhje te Keshillit te Larte Gjyqesor, KLGJ, ku emeruan si gjyqtare 15 magjistrate./r/n/r/nHead of HJC, Naureda Llagami, and members during a meeting of High Judicial Council, HJC, where 15 magistrates were appointed as judges.

Emiljano Shullazi, personazh mjaft i lakuar i botës së krimit në Tiranë, përfundoi në pranga në prill 2016, pas denoncimit se ishte përfshirë në garën për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tiranës përmes kërcënimit të kandidatit Mynyr Koni.

Më 13 nëntor 2018, Shullazi u dënua me 14 vjet burg për zhvatje pasurie, kërcënime dhe grup të strukturuar kriminal pas një procesi me shumë zvarritje në shkallë të parë, që shënoi si pikë kulminante edhe zhytjen në kolaps të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Katër të akuzuarit si anëtarë të bandës së tij, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi u dënuan me 41 vjet në total.

Vendimi i shkallës së parë u apelua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda si nga Prokuroria, ashtu edhe nga të pandehurit. Megjithatë, shqyrtimi gjyqësor ka mbetur në vendnumëro prej më shumë se një viti.

Gati 2/3 e seancave gjyqësore kanë dështuar për shkak të mungesës së avokatëve të zgjedhur apo të caktuar kryesisht. Ndërsa pjesa tjetër e seancave dështuan për shkak të pamundësisë së formimit të trupës gjyqësore.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga 17 gjyqtarë të Apelit të përfshirë në çështjen “Shullazi”, 11 u larguan me dorëheqje dhe 6 gjyqtarë u përjashtuan nga procesi pas breshërisë së kërkesave për përjashtim nga të pandehurit.

Në total, anëtarët e grupit Shullazi dorëzuan 25 kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve, kryesisht me argumentin se ata kishin shqyrtuar më parë çështjen e ish-hotel Vollgës.

Në janar 2019, procesi “Shullazi” në Apel nisi me trupën e drejtuar nga Fehmi Petku dhe anëtarë Sokol Binaj dhe Nure Dreni. Por gjyqtari Petku u shkarkua nga vetingu, Binaj u largua me dorëheqje, ndërsa gjyqtarja Dreni u përjashtua nga trupa me kërkesë të të pandehurve.

Më 23 prill 2019, kryetare e trupës gjyqësore u caktua gjyqtarja Saida Dollani, ndërsa anëtare gjyqtaret Albana Boksi dhe Valdete Hoxha.

Përveç kërcënimit të të shoqit, gjyqtarja Dollani u përball edhe me një mori kërkesash brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, për përjashtimin nga trupa gjykuese. Nga data 24 prill deri më 17 qershor 2019, të pandehurit depozituan 14 kërkesa për përjashtimin e Dollanit.

“Dorëhiquni, se vetëm kështu mund të zhbllokohet procesi,” i tha i pandehuri Gilmando Dani gjyqtares Dollani më 6 qershor. “Të nesërmen do jemi bashkë për ballafaqim në gjykatë se ju jeni për burg,’ shtoi i pandehuri tjetër Blerim Shullazi.

Gjyqtarja Saida Dollani refuzoi të jepte dorëheqjen, por u përjashtua nga procesi më 13 qershor 2019 përmes një vendimi të kolegut të saj, Gjovalin Përnoca. Ndaj këtij vendimi është ushtruar rekurs në Gjykatë të Lartë nga Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda- por nuk ka ende një vendim.

Pas përjashtimit të Dollanit, të pandehurit tentuan edhe largimin e gjyqtares Albana Boksi përmes pesë kërkesave për përjashtim, por pa sukses.

“Është në të mirën tuaj të jepni dorëheqjen se keni gjykuar edhe Vollgën. Edhe të tjerët që e kanë gjykuar atë çështje e kanë dhënë dorëheqjen. Nëse dorëhiqeni, do të bëni të mundur të zhbllokoni edhe procesin,” i tha Dani në një seancë gjyqtares Boksi.

Gjyqtarët Valdete Hoxha dhe Astrit Kalaja u larguan gjithashtu nga procesi. Ndërsa për gjyqtarin Arben Vrioni u dorëzuan 5 kërkesa për përjashtim, por ai u largua më 22 nëntor 2019 nga vetingu.

Në garë me kohën

Vazhdimi i bllokadës së procesit të Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë në Apel mund t’u sigurojë atyre një biletë të parakoshme lirie. Sipas nenit 263 të Kodit të Procedurës Penale, paraburgimi e humbet fuqinë nëse 9 muaj pas vendimit të shkallës së parë nuk merret një vendim i formës së prerë.

Për të shmangur lirimin e të pandehurve, gjyqtarët i kanë pezulluar disa herë afatet e paraburgimit në rastet kur shkak për shtyrjen e gjyqeve janë bërë mungesat e avokatëve. Në rastet kur shkak për shtyrje bëhet mungesa e gjyqtarëve, një mundësi e tillë mungon.

Pavarësisht rrezikut të lartë të lirimit të të pandehurve nga qelia, Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka pasur të pamundur në javët e fundit të gjejë gjyqtarë për vazhdimin e procesit “Shullazi”.

Shkak është bërë ngritja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe pengesat ligjore për të caktuar përkohësisht aty gjyqtarë nga Apelet e tjera.

Përmes një letre të dërguar më 31 dhjetor 2019 në adresë të qeverisë dhe parlamentit, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon ndryshime ligjore për të adresuar problematikën në çështjen “Shullazi”, por edhe përgjysmimin e gjyqtarëve në Gjykatat e Apelit në tërësi.

KLGJ kërkon me urgjencë ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili nuk lejon transferime të përkoshme ose të përhershme gjyqtarësh, pa plotësuar më parë kushtet e sigurisë. Ndryshe nga kolegët e tjerë, gjyqtarët në Gjykatat e Posaçme japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive bankare dhe komunikimeve telefonike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson gjithashtu se kuadri ligjor për gjykatat e posaçme nuk është plotësuar ende, përsa i përket kompensimit të tyre me pagë shtesë nga qeveria.

“Nisur sa më sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor konsideron t’ju kërkojë ushtrimin me urgjencë të nismës për ndryshime ligjore… pikërisht për adresimin e problematikave sensitive në lidhje me plotësimin e pozicioneve të lira në gjykatat e apelit, ato me juridiksion të përgjithshëm dhe ato me juridiksion të posaçëm,” thuhet në kërkesën e KLGJ-së.

Është e paqartë sesa kohë do të marrë adresimi i shqetësimeve të KLGJ-së në një proces legjislativ. Në të kundërt, mund të ndodhë që Emiljano Shullazi dhe të pandehurit e tjerë të shfrytëzojnë vakuumin në sistem për një lirim të mundshëm nga qelia.

Më 21 janar, Shullazi dhe grupi i tij testuan Gjykatën e Posaçme të Apelit me një kërkesë për lirim, me argumentin se po mbahen në burg nga një institucion i ri. Gjyqtarja e vetme, Albana Boksi i rrëzoi kërkesat e tyre si të pabazuara – por kjo ishte vetëm përpjekja e parë.

Avokati Meçe i tha BIRN se nuk është synim i avokatëve dhe i klientëve të tyre që të përfitojnë nga afatet e përcaktuara në ligj për kohëzgjatjen e paraburgimit, ndërsa fajësoi gjykatën dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për bllokimin e procesit.

“Është e turpshme që ky proces nuk ka filluar akoma dhe këtu s’kanë të bëjnë fare as kërcënimet dhe as kërkesat tona për përjashtim, por mosfunksionimi i gjykatës dhe sot edhe i KLGJ-së,” përfundoi Meçe. (reporter.al)