Keqpërdorte Seksualisht 16-Vjeçaren

Marrëdhënia e ndaluar ishte zbuluar nga policët, pasi ata e kishin ndaluar për kontroll të sigurisë në trafik, një automjet të tipit “Opel” me targa “KS”, në fshatin Likovc, të cilin po e ngiste 46-vjeçari, kurse në veturë ndodhej dhe e mitura.

“Policët e vëmendshëm, derisa po regjistronin shënimet e ngasësit të automjetit për skadim të afatit të regjistrimit të automjetit, në veturë kanë vërejtur shenjat e shqetësimit të pasagjeres, një vajzë e re”, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

Policët e kanë pyetur vajzën për shqetësimin dhe për marrëdhëniet e saja me ngasësin e automjetit, ndërsa ajo ishte ngatërruar duke mos gjetur një arsyetim.

Për shkak të dyshimit lidhur me raportin e të dyshuarit me vajzën nën 16 vjeçe, policët patrullues kanë urdhëruar që të dytë  të shoqërohen në lokalet policore në Skenderaj, për të sqaruar rrethanat e paraqitura.

Pas intervistës së zhvilluar në lokalet policore nga hetuesit policorë, e mitura ka pranuar se ishte takuar me të dyshuarin disa herë dhe se “ishte e përfshirë në marrëdhënie seksuale me të”.

E mitura është intervistuar nga hetuesit rajonal të policisë në prezencë të zyrtarëve për punë dhe mirëqenie sociale.

Kurse ndaj 46-vjeçarit, me vendim të prokurorit publik, është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, për dyshim të përfshirjes së tij në vepër penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjet” të paraparë nga neni 198 i Kodit Penal të Kosovës.