Keqmenaxhimi shoqëron edhe ndërmarrjet publike lokale

Kosova numëron mbi 20 ndërmarrje publike, të cilat disa menaxhohen nga niveli qendror, disa nga niveli lokal.

Shumica e ndërmarrjeve në vend operojnë pa fitim e më humbje ndërsa për t’i kryer obligimet financiare ndaj punëtorëve, shteti shpesh duhet t’u ndajë subvencione.

Ndërmarrjet publike lokale, sikur ato qendrore, kanë një ligj cili e rregullon mënyrën e funksionimit, Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Për dallim nga ndërmarrjet e qendrore, ato lokale fillimisht kanë një komision të aksionarëve, i cili përbëhet nga asamblistë dhe drejtorë komunalë. Ky komision, zgjedh bordin e drejtorëve përmes një konkursi publik ndërsa bordi pastaj zgjedh menaxhmentin i cili menaxhon me ndërmarrjen.

Humbjet vjetore të ndërmarrjeve publike kapin shifrën rreth 28 milionë euro. Kështu a thënë në emisionin “Kallxo Pernime”, Arvita Zyferi, udhëheqëse e Divizionit për Auditimin e Ndërmarrjeve Publike në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA).

“Sistemi financiar i menaxhimit nëpër ndërmarrje publike nuk është në gjendje të mirë dhe ka nevojë për shumë përmirësime, prej 14 ndërmarrjeve publike që i kemi audituar në vitin 2020, për vitin paraprak, në 12 prej tyre ne kemi dhënë opinione negative, që në gjuhën e popullit do të thotë se opinionet përfshijnë shumë probleme. Shumica prej ndërmarrjeve publike operojnë me humbje, që në total kjo arrin në 28 milionë euro, për të gjitha ndërmarrjet”, ka thënë Arvita Zyferi nga ZKA.

Arvita Zyferi, Udhëheqëse e Divizionit për Auditimin e Ndërmarrjeve Publike në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Po mos të ishte ndihma e shtetit, po mos të ishin subvencionet e shtetit, këto ndërmarrje do të falimentonin. Nuk ka një plan, nuk ka një strategji prej menaxhmenteve të këtyre ndërmarrjeve për të dalë nga kjo situatë për ta kthyer kompaninë në një kompani profitabile”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se janë disa hapa që kompanitë publike, lokale dhe qendrore, duhet t’i ndërmarrin në mënyrë që të kenë sukses.

“Duhet të bëhet një strategji, duhet të reduktohet stafi dukshëm, do të duhej të reduktoheshin shpenzimet e panevojshme dhe të bëhet një menaxhim më i mirë. Ne kemi shembuj të mirë, për shembull në vitin 2008 Telekomi i Kosovës”, ka thënë Arvita Zyferi, udhëheqëse e Divizionit për Auditimin e Ndërmarrjeve Publike në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Për tri vite, pjesë e bordit të drejtorëve në ndërmarrjen publike Trafiku Urban ishte Genc Broqi. Për këtë kohë, ai ka thënë se kanë vërejtur shumë parregullsi.

“Shpenzimet e panevojshme, punësime të cilat janë bë, sidomos në kohën e fushatave zgjedhore. Për shembull, para zgjedhjeve të vitit 2019 janë punësu 57 persona, është edhe në raportet e auditimit të brendshëm. Unë i kam identifiku dhe i kam raportu te aksionari. Ne e kemi kuptu më vonë këto punësime, por gjatë auditimit pastaj i kemi pa”, ka thënë Broqi në “Kallxo Pernime”.

“Atje (Trafik Urban), është ndreq pak sepse nuk ka pasë fare menaxhim, po kur jemi shku ne si bord është marrë veçse edhe kredia nga BERZh-i, por problemet kanë vazhdu. Raportet e Auditimit tregojnë për gjendje jo të mirë, për shembull me prona ka telashe Trafiku Urban”, tha ai.

Genc Broqi, ish-anëtar i Bordit të Trafiku Urban, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në vitin e fundit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ka auditur 14 ndërmarrje publike, prej tyre katër kompani rajonale dhe katër të tjera lokale. Aktualisht, ZKA po auditon 12 ndërmarrje publike, dy pre të cilave janë lokale.

Sipas këtij institucioni, nga auditimet deri më tani 60 raste kanë përfunduar në Prokurori të Shtetit për hetime të mëtutjeshme, ndërsa 20 prej tyre janë nga ndërmarrjet publike.

Besnik Krasniqi, i cili është drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, ka thënë se mbikëqyrja për ndërmarrjet lokale është më keq se në ato qendrore.

“Prej asaj që kemi pa, për dallim nga ato qendrore ndërmarrjet lokale qëndrojnë edhe më keq në aspektin e mbikëqyrjes sepse kemi shumë raste kur anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve pa i kaluar procedurat e rekrutimit emërohen nëpër pozita. Kemi raste kur edhe anëtarët e bordeve emërohen drejtpërdrejt nga kryetari i komunës, që është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se përbërja e komisioneve të aksionarit dhe bordeve nga njerëz joprofesionalë po i dëmton ndërmarrjet publike lokale.

, Besnik Krasniqi, Drejtor tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“E kemi një rast, një agronom i cili është kryesues i një bordi  të ujësjellësi që nuk ka të bëjë kurrgjë me profesionin e tij. Ne kemi nisur plotësim-ndryshimin ligjor për ndërmarrjet publike dhe shpresojmë që të kalojë në Qeveri e në Kuvend. Njësia që drejtoj nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në borde e me ligjin e ri ka një rol ekzekutiv i cili do t’i parandalojë keqmenaxhimet”, ka deklaruar Besnik Krasniqi.

Së fundmi, me kompani publike lokale është bërë edhe komuna e Obiliqit. Në këtë ndërmarrje publike pritet të punësohen rreth 50 punëtorë. Kështu ka thënë Ibush Mjekiqi, nënkryetar i Komunës së Obiliqit.

“Ne jemi në fillim të krijimit të një kompanie publike lokale dhe tani jemi te krijimi i komisionit të aksionarëve. Kompania do të quhet “Kastrioti” e cila do të merret me mirëmbajtje të shesheve, rrugëve, mbledhje të mbeturinave, mirëmbajtje të varrezave dhe shërbimeve tjera. Ne këtë e kemi themeluar në bazë të një analize të bërë më herët. Më datën 3 me vendim të kryeminisrit veç është themeluar kompania. Plani i biznesit i cili është haruar nga njerëz me përvojë, në bazë të palnit të biznesit ne mendojmë që do të startojmë me 40 deri 50 punëtorë e brenda 3 viteve të ardhshme mendojmë që mbi 100 punëtorë t’i ketë kompania”, ka thënë ai.

Ibush Mjekiqi, nënkryetar i Komunës së Obiliqit, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com