"Këmbët" e shpejta të virusit dhe vendnumërimi i deputetëve

Ndonëse kanë kaluar gati katër muaj që prej shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, ende nuk është arritur të miratohet një ligj që rregullon situatën e krijuar.

Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë, është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesi nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

Por edhe pse kanë kaluar gati një muaj, Qeveria e Kosovës  ende nuk e ka shqyrtuar projektligjin në fjalë. Sipas procedurave, ekzekutivi ka kohë deri në fund të javës që të jap mendimin për këtë dhe nëqoftëse nuk kthen përgjigje në afatin kohor 30 ditor, Kuvendi mund të procedojë tutje.

Për këto vonesa partitë opozitare fajësojnë pushtetin, përderia analistët e vlerësojnë si të domosdoshme pasjen e një ligji të tillë.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, në mbledhjen e fundit të Kryesisë  ka shprehur shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë.

Sipas një njoftimi të legjilsativit, Osmani theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji.

Kryeparlamentarja tutje ka paralajmëruar që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e ardhshme të saj që pritet të mbahet gjatë kësaj jave, ka paralajmëruar se do të shqyrtojë projektligjin në fjalë.

Drejtori i Zyrës për Komunikim Publik në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri pati thënë për KALLXO.com se projektligji në fjalë do të shqyrtohet sapo të mbahet mbledhja e parë e qeverisë.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim nga Arben Gashi, Shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,  por ai ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

Gashit i janë përcjell pyetjet edhe me shkrim, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka kthyer përgjigje.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për KALLXO.com se deri në fund të kësaj jave qeveria ka kohë që ta kthejë mendimin për këtë ligj.

Selimi shtoi se nëse qeveria nuk do ta kthejë mendimin, nga java e ardhshme mund të procedojnë me këtë ligj edhe pa mendim të qeverisë. 

Selimi fajin për vonesën e këtij ligji ia lë pushtetit aktual.

“Mendimi i qeverisë nuk është i domosdoshëm, por qeveria ka kohë 30 ditë me kthyer mendimin lidhur me një projektligj, mundet edhe mos me kthy hiq. Nëse për 30 ditë nuk e kthen atë herë vlerësohet se qeveria nuk ka dashtë të kthej mendim dhe vazhdon me procedura tjera”, tha Selimi. 

Selimi tha se qeveria është duke dashtë me vonu sa më shumë këtë ligj dhe sipas tij e ka shfrytëzuar kohën maksimale.

“Atyre nuk iu leverdisë me votu këtë ligj, është ligj i iniciuar nga kryetarja e Kuvendit dhe i mbështetur nga 6 deputetë dhe duket se qeverisë nuk po i leverdisë. Jemi vonu kaq shumë sepse ky ligj është thirr në Kuvend ka më shumë se dy muaj nga kryetarja e Kuvendit por LDK-ja nuk pranonte me procedu asgjë sa ka qenë qeveria Kurti se  thoshin ne nuk pranojmë as mendim të qeverisë së shkarkuar”, shtoi Selimi.

Selim tha Lëvizja Vetëvendosje e ka përkrahur këtë ligj dhe se do ta mbështesin kurdo që të vijë në Kuvend.

“Kurdo që vjen do ta mbështesim ashtu siç e kemi mbështet me nënshkrime. Nuk pres që do të vij nesër në Kuvend sepse nuk kam as informacione që qeveria do të kthejë mendim. Mendoj se prej të hënës e tutje vazhdojmë edhe nëse nuk kthen qeveria mendim”, tha ai.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar miratimin e ligjit anti-Covid.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu bëri të ditur se do ta mbështesin ligjin në Kuvend.

“Kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të veprohet sa më shpejtë që të votohet Ligji Anti-COVID-19. PDK do ta mbështesë këtë iniciativë”, u shpreh Haxhiu në konferencë për media.

Domosdoshmëria e ligjit për pandeminë

Hulumtuesja Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitorin punën e Kuvendit, tregon për KALLXO.com historikun e projektligjit për pandeminë, tash e sa javë nëpër institucionet e Kosovës.

Sipas saj, projektligji për menaxhiminë e pandemisë e inicuar nga kryetarja e Kuvendit dhe e mbështetur nga 5 deputetë të tjerë është proceduar në Kuvend në muajin prill. 

“Në fakt inicimi i kësaj nisme ligjore ka ardhë pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimet e ish – Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të cilat në atë kohë ishin shpallur kundërkushtetuese”, tha ajo.

Haxhiu kujton se  në aktgjykimin e saj, Gjykata pati theksuar se institucionet relevante të Kosovës, në radhë të parë Kuvendi, duhet të ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, të bëhen në përputhje me Kushtetutën. 

“Kjo qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, në mënyrë që autoritetet përkatëse, të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19, në përputhshmëri me Kushtetutën”, shtoi ajo.

Por, sipas Haxhiut, në mungesë të konsensusit mes grupeve parlamentare kjo nismë ligjore nuk është proceduar nga Kryesia e Kuvendit deri me datën 11 qershor. 

“Arsyeja e hezitimit të disa prej grupeve parlamentare për t’i shtyrë përpara këto çështje, sipas tyre, ka qenë për shkak të paqartësive kushtetuese nëse Qeveria Kurti që atëherë ishte në detyrë dhe Kuvendi mund të kenë ndërveprim pas mocionit të sukseshëm të mosbesimit dhe se a mund Qeveria e cila e ka humbur besimin e Kuvendit me anë të mocionit te jap opinion ligjor mbi një nismë të Kuvendit”.

Hulumtuesja thekson se tash duke parë që situata me pandeminë është rënduar ditëve të fundit dhe se Qeveria sërish ka kthyer disa masa të kufizimit të lëvizjes, ky projektligj bëhet i domosdoshëm për tu miratuar sidomos nëse krijohet një situatë e tillë ku kërkohet të ashpërsohen masë sa i takon kufizimi të lëvizjes për të parandaluar përhapjen e mëtutjshme të virusit. 

“Afati i fundit për Qeverinë që të jap mendimin lidhur këtë nismë është fundi i kësaj jave, dhe pas përfundimit të këtij afati Kuvendi mund të procedoj2 tutje me këtë ligj me ose pa opinion ligjor të ekzekutivit”, thotë ajo për KALLXO.com.

Haxhiu shton se në këtë situatë, është e domosdoshme që partnerët aktualë në qeveri të gjejnë gjuhë të përbashkët me opozitën në funksion të arritjes së një konsensusi për kalimin e të gjitha projektligjeve, jo vetëm të këtij projektigji, që mundësojnë luftë më efikase ndaj pasojave shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë.

Në anën tjetër, analisti politik Ramush Tahiri, nuk është shumë kritik sa i përket vonesës së këtij ligji duke thënë së vonesat janë shkaku i procedurave.

Tahiri thotë për KALLXO.com, se Kosova e ka ligjin për sëmundjet ngjitëse infektive, me të cilin parashihen kufizime dhe masa të caktuara por që ky ligj nuk i përgjigjet situatës së pandemisë.

“E kemi pa që Gjykata Kushtetuese ka reagu duke thënë se qeveria po i shkel të drejtat dhe liritë e njerëzve po e shkel Kushtetutën. Tash pasi pandemia po zgjatë ligji duhet me ardh në Kuvend dhe duhet t’i parasheh masat dhe t’iu lejon mundësinë edhe komunave dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të merr vendime të caktuara dhe mos ta shkel Kushtetutën, sepse ato janë vendime të përkoshme, janë penalizuese dhe janë parandaluese me të cilat ne mund ta parandalojmë covidin”, tha Tahiri.

Megjtihatë, politologu e sheh pozitive ardhjen e ligjit anti-Covid në Kuvend.

“Në këtë bazë është mirë që ky ligj po vjen në Kuvend për lexim të parë. Duhet me u votu dhe me dhanë propozime të caktume. Këtu duhet të jenë bashkë pozitë e opozitë nuk është ligj kundër askujt. Virusi po avancon, njerëzit po sëmuren dhe duhet me pas një ligj i cili duhet me pas masa më efikase dhe të shpejta”, shtoi Tahiri.

Tahiri vlerëson që për këtë ligj duhet të jenë bashkë pozitë e opozitë dhe ta votojnë atë.

Kuvendi i Kosovës të enjtën e kësaj jave do të mbajë vazhdimin e dy seancave të papërfunduara dhe një senacë të re, në të cilën pritet të shihet nëse në rend të ditës do të mund të përfshihet edhe projektligji për pandeminë.

Nga pandemia COVID-19 në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar mbi 3 mijë e 800 infektime dhe kanë vdekur më shumë se 80 persona.