Katari – Skllavërimi Modern I Punëtorëve Të Huaj

Ky shkrim fillimish është botuar më: 30.09.2013

44 punëtorë sezonalë nga Nepali kanë vdekur derisa po kryenin punë ndërtimtarie në Katar, nga 4 qershori deri më 8 gusht të këtij viti, zbulon një hulumtim, i publikuar për disa ditë në gazetën britanike The Guardian gjatë javës së katërt të shtatorit. 

Katarit po i duhen shumë punëtorë të tillë për të ndërtuar infrastrukturën dhe objektet sportive për kampionatin botëror të futbollit që pritet të mbahet në këtë shtet gjatë vitit 2022, ndërsa gazeta nga hulumtimi ka mësuar se kushtet për punëtorët e huaj në shtetin arab janë shumë të këqija. 

Sipas shënimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2012, Katari është vendi më i pasur në botë, ndërsa Nepali zë vendin e 168-të në listën e 187 shteteve të ranguara. Vlerësimi është bërë në bazë të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) të këtyre shteteve. 

Në Katar, shtetin aziatik me pak më shumë se 2 milionë banorë që kufizohet me Arabinë Saudite në jug dhe Gjirin Persik në pjesën tjetër të territorit të tij, 90 për qind të fuqisë punëtore e përbëjnë të huajt. 

The Guardian-i ka zbuluar se punëtorët në këtë shtet keqtrajtohen deri në shkallën e skllavërisë moderne. 

Pikërisht në këtë kohë, kur u bë e njohur sjellja çnjerëzore e punëdhënësve të Katarit me ata që kërkojnë punë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e Kosovës, shtetit që llogaritet se papunësinë e ka zyrtarisht rreth 35 për qind, planifikon dërgimin e punëtorëve kosovarë në këtë shtet. 

Dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga Nenad Rashiq pati paralajmëruar se do të dërgojë kontingjentin e parë të punëtorëve në Katar në fillim të vitit 2014.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që në fillim të vitit 2014 të dërgojmë kontigjentin e parë të punëtorëve në Katar”, i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë zëvendësi i Rashiqit, Fatmir Shurdhaj, gjatë muajit gusht, duke bërë të ditur se takimi i parë për këtë qëllim me autoritetet e Katarit do të zhvillohet këtë shtator.

“The Guardian-i ka zbuluar se punëtorët në këtë shtet keqtrajtohen deri në shkallën e skllavërisë moderne. 

MPMS-ja nuk ka dashur t’i komentojë, raportimet e gazetës the Guardian për keqtrajtimet e punëtorëve në Katar. Ata nëpërmjet Zyrës për Informim kanë thënë që të vetmen përgjigje për këtë rast e kanë një komunikatë të lëshuar në fillim të shtatorit, kur dolën raportet e para të medieve regjionale lidhur me kushtet e tmerrshme të punës në shtetin aziatik.

“Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet abuzimi, apo shkelja e të drejtave të të punësuarve eventualë në Katar “, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë. Por në këtë ministri, bartëse e nismës për punësimin e kosovarëve me punë sezonale në Katar, nuk kanë treguar se si do të realizohet pengimi i abuzimit të punëtorëve. 

Në Katar vlerësohet që ligjet e punës janë shumë të dobëta, ndërsa organizmi sindikal, një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve karshi punëdhënësve, është i ndaluar që nga viti i kaluar.

Vdekjet më të shpeshta të futbollistëve nëpër fushat e ndryshme të futbollit në botë, kohëve të fundit, shtynë “qeverinë” botërore të këtij sporti-FIFA-n që të mendojë organizimin e kampionateve botërore të kësaj loje gjatë dimrit, e jo gjatë verës siç është vepruar deri më tash, për shkak të temperaturave të larta të kësaj stine dhe rrezikut të lodhjes ekstreme të lojtarëve. 

Katari, u zgjodh si një vend që ka mundësi që të organizojë kampionatin botëror të futbollit në dimër. 

Katarin si organizator të kampionatit në vitin 2022, FIFA  e përcaktoi gjatë 2010-ës.

Por, kreu i FIFA-s Sepp Blater, por edhe ai i UEFA-s Michel Platini u thanë mediave sportive se zgjedhja e Katarit u bë nga presionet politike dhe ekonomike. 

Ndërkohë, më shumë se gjysma e 44 punëtorëve nga Nepali në Katar, sipas hulumtimit të the Guardian-it, vdiqën nga sulmet e zemrës gjatë muajve të nxehtë të verës, në kohën kur po ndërtonin arena sportive që mendohej se do të kursenin jetën e futbollistëve, të rrezikuar nga sulme të tilla. Disa nga punëtorët u ankuan se punëdhënësit në Katar nuk u japin as ujë për të pirë, edhe pse punojnë në nxehtësi tropikale. 

Në Katar, temperaturat në dhjetor kur planifikohet të mbahet kampionati botëror, pas më shumë se nëntë vjetësh, sillen prej 16 deri 25 gradë celsius, temperatura ideale për lojën me top këmbe mes dy portave. 

Publikimi i informatave për sjellje të këqija ndaj punëtorëve në këtë shtet ngjall dyshime se vendimi për organizim të garës në Katar ishte i gabuar. 

Pacolli kritikon projektin

Projekti për punësim sezonal të kosovarëve në Katar, që sipas komunikatës së fillim shtatorit nga MMPS-ja, nuk është zyrtarizuar ende me këtë shtet, është kritikuar nga zëvendëskryeministri i parë kosovar, Behgjet Pacolli.

Pacolli thotë se në Qeverinë e Kosovës nuk ka pasur asnjë kërkesë konkrete nga Katari, përveç shprehje dëshirash për këtë projekt.

“Një iniciativë e tillë është e pamundur për shkak të konkurrencës së madhe të krahut të lirë të punës dhe pagave të ulëta”, thotë Pacolli dhe shton se Katari ka fuqi të tepruar punëtore, kryesisht nga Bangladeshi, India, Pakistani dhe nga shtetet e ASEANIT.  

Vendet themeluese të Asociacionit të Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) janë Indonezia, Malajzia, Tajlanda, Filipinet, Singapori. Kësaj organizate pastaj i janë bashkuar Brunei, Burma, Laosi, Vietnami dhe Kamboxha. 

Pamundësinë e realizimit të nismës për punësim, Pacolli e shpjegon edhe me faktin se nuk ka organizim shtetëror nga shteti aziatik për import të fuqisë punëtore, por këtë e bëjnë kompanitë private të kontraktuara për të kryer punë.

“Nuk e besoj se një projekt i tillë siç është prezantuar në publik do të jetë i implementueshëm, duke u nisur edhe nga fakti se askush nga Kosova s’është i interesuar të punojë në ato kushte dhe me ato paga që janë më të ulëta sesa paga minimale në Kosovë.”, thotë Pacolli, duke mos treguar se sa paguhen punëtorët e huaj në Katar. 

“Një iniciativë e tillë është e pamundur për shkak të konkurrencës së madhe të krahut të lirë të punës dhe pagave të ulëta. Behxhet Pacolli

Punësimin e kosovarëve në këtë shtet, Pacolli megjithatë nuk e sheh të pamundshëm, por sipas tij që kjo të ndodhë, duhet që të krijohet një konsorcium i kompanive të specializuara kosovare, për të marrë përsispër ndërtimin e veprave të mëdha. 

Pacolli gjithashtu, duke u nisur nga përvoja personale me kompaninë e ndërtimeve Mabetex, thotë se kosovarët nuk duhet të marrin punë, e as të çojnë fuqi punëtore, duke u marrë vesh me nënkontraktorët. 

“Kosovarët janë mëse të gatshëm për sfida të tilla, por me kushtet që përcaktohen me kontratën e kontraktuesit gjeneral, e jo të dilerëve (nënkontraktuesve) të krahut të punës të cilët në përgjithësi janë të paskrupullt”, thotë Pacolli. 

Ministria e Punës nuk ka dashur t’i komentojë fjalët e Pacollit, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme nuk u është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë, lidhur me kritikat e biznesmenit kosovar të futur në politikë. 

Të dy ministritë janë të përfshira në projektin për punësim të përkohshëm të kosovarëve në Katar. 

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ende nuk e ka ftuar për shpjegime rreth këtij projekti, ministrin Nenad Rashiq, edhe pse anëtarë të komisionit kanë njohuri për raportet mediale të skllavërimit modern të punëtorëve në Katar. 

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Time Kadriajaj thotë se “për ta thirrur ministrin dhe për t’u marrë drejtpërsëdrejti me projektin, na duhen raste konkrete të ankesave të kosovarëve që janë kthyer nga Katari”. Por kosovarët në mënyrë të organizuar, ende nuk kanë shkuar atje. 

ITUC: Në Katar do të vdesin 4 mijë punëtorë deri në vitin 2022

Bashkimi i Konfederatave Ndërkombëtare të Tregtisë (ITUC), organizatë që përfaqëson 178 milionë punëtorë në 156 vende të botës deklaroi për “Reuters”-in  në vitin 2012 se “norma e lartë e vdekjeve në vendpunishtet e Katarit, shkel sandardet globale të punës”. 

Menjëherë pas publikimeve të The Guardian-it, kjo organizatë ka dalë me një deklaratë publike ku thotë që në qoftë se nuk ka reforma në  Katar sa u përket punëtorëve të huaj, “ne do të presim një rritje të ngjashme të përqindjes së viktimave”.

“Më shumë se 4 mijë punëtorë rrezikojnë të humbasin jetët e tyre gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, për ndërtimin e objekteve të Kupës Botërore”, thotë Burroë Sharan, sekretar I ITUC-së.

Sipas tij, numri i vdekjeve të punëtorëve nëpër vendndërtimet e Katarit mund të mbërrijë shifrën e 600 personave në vit dhe disave prej tyre në javë.

“[Bëni presion] të zgjidhni një vend të tjetër për Kupën e Botës, ku të drejtat e punëtorëve respektohen. Burrow Sharan

Katari për ndërtimet që lidhen me objektet sportive të Kampionatit Botëror 2022, ka kërkuar rreth 500 mijë punëtorë nga Nepali, India dhe vende të tjera të Azisë e Afrikës. Kjo përbën një rritje prej 50 për qind të fuqisë punëtore në këtë vend, ndërsa Burroë Sharan thotë se nëse ky vend nuk bën reforma në ligjet dhe tregun e punës, edhe viktimat e ndërtimeve do të rriten për 50 për qind. 

Rreth 1 milion e 200 mijë persona nga Nepali e India punojnë në Katar, ndërsa 400 prej tyre vdesin gjatë një viti. 

Katari është shteti numër një në botë për numrin e punëtorëve që nuk janë shtetas të tij, në raport me popullsinë vendase. Numri i vdekjeve të punëtorëve në Katar është tetë herë më i madh se vdekjet e tilla në vendet tjera të zhvilluara. 

Investimet për kampionatin botëror pritet t’i kushtojnë Katarit 100 miliardë dollarë. 

Sekretari i Bashkimit të Konfederatave Ndërkombëtare të Tregtisë (ITUC), Burrow Sharan mendon se kjo garë sportive nuk duhet të mbahet në Katar, për të kursyer jetën  e punëtorëve që mund të vdesin në të ardhmen. Ai ka një mesazh për tifozët. 

“[Bëni presion] të zgjidhni një vend të tjetër për Kupën e Botës, ku të drejtat e punëtorëve respektohen”, përfundon ai.