Kastrati i Nismës përballë sfidës me reduktimet e ashpra të rrymës me të cilat përballej Malisheva
Për tre vite, në tre ditë të javës, qytetarët, bizneset, institucionet e fshatrat e Malishevës janë sfiduar me ndërprerje të rrymës deri në 12 orë në ditë.
Kështu është karakterizuar, në përgjithësi, mandati i parë qeverisës i Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate në Malishevë.
Ndonëse Kastrati më 20.10.2024 kishte njoftuar se kanë përfunduar punimet për vendosjen e përçuesit të ri elektrik përgjatë linjës Malishevë – Rahovec, megjithatë qytetarët e Malishevës, vazhdojnë të sfidohen me reduktime të ashpra të rrymës elektrike.
Madje ai, kishte theksuar se në bazë të të dhënave të KEDS-it qytetarët e Malishevës për herë të parë në këto vitet e fundit do të kenë një dimër pa reduktime të energjisë.
“Kemi mungesë të rrymës nga 12 orë. Kemi reduktime të rrymës të jashtëzakonshëm. Në të gjithë territorin, jo vetëm në shkolla, biznese, komuna, as ekonomitë familjare, asnjë familje nuk ka rrymë, është bllokadë totale e mungesës së rrymës”- tha Kastrati.
Për këtë problematikë, ai thotë se ka hasur në neglizhencë të institucioneve për ndërtimin e një stacioni, i cili sipas tij do t’a zgjidhte këtë problem.
“Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që qytetarët tanë të kenë energji elektrike. Ne kemi pasur takime me KEDS dhe KOSTT. Kemi arritur një marrëveshje me KEDS për vendosjen e përçuesit të ri elektrik përgjatë linjës Malishevë-Rahovec. Sa i përket ndërtimit të nënstacionit kanë nisur procedurat e projektimit dhe jemi në fazën që ZRRE jep leje për ndërtimin e këtij nënstacioni”- tha ai.
Sipas tij, Asambleja ka ndarë një parcelë që i lejohet KOSTT-it të ndërtojë nënstacionin e që KOSTT-i do të duhej që të zhvillonte procedurat për këtë.
“KOSTT-i do të duhej që t’i zhvillonte procedurat ata kanë thënë që deri në vitin 2027 nuk është në plan ndërtimi i këtij nënstacioni”- shtoi kryetari Kastrati.
Derisa emisioni “Jeta në Kosovë”, xhirohej me ndihën e gjeneratorëve, për shkak të mungesës së rrymës në objektin e komunës, fajtorë për këtë, kryetarin e la asamblisti i PDK-së, i cili tha se Kastrati nuk ka bërë asnjë hap që ky problem të zgjidhet.
“Unë mendoj që kryetari i komunës në këtë hap s’ka ba kurrgjë, për shkak se i ka pasur disa takime në KOSTT, KEDS dhe në ZRRE, por një hap konkret nuk e ka bo. Unë mendoj që duhet me marrë edhe masa ligjore përmes avokatit të komunës që ta padisë edhe KEDS-in. Shihi gjeneratorët, ne nuk dëgjohemi mirë për shkak të tyre”- tha asamblisti i PDK-së, Nebih Bibaj.
KEDS më 14.12.2024 njoftoi se pas përfundimit të investimeve, tashmë furnizimi me energji elektrike që nga muaji tetor është stabilizuar edhe në Malishevë
Diskutimet rreth problemeve që qytetarët e Komunës së Malishevës kishin për vite me radhë me ndërprerjet e energjisë elektrike ishin pashmangshëm edhe pjesë e debatit për qeverisjen 3 vjeçare të kryetarit Ekrem Kastrati me asamblenë e komunës në debatin “Jeta në Komunë”, i cili u transmetua më 20.10.2024.
Në këtë debat Kryetari Kastrati u sfidua nga opozita rreth problemeve me të cilat po përballeshin banorët e Malishevës.
Lidhur me diskutimet në debatin “Jeta në Komunë”, KALLXO.com publikoi edhe një artikull të gjatë përmbledhës me të gjitha temat që ishin pjesë e debatit.
Njëjtë ishte edhe tema për problemet që malishevasit kishin me energjinë elektrike.
Lidhur më këtë ka reaguar KEDS, duke sqaruar se problemi i furnizimit me energji elektrike në Malishevë tashmë është zgjidhur dhe se që nga muaji tetor nuk ka më probleme me furnizim me energjisë elektrike për banorët e Malishevës.
“Sqarim rreth shkrimit “Kastrati i Nismës përballë sfidës me reduktimet e ashpra të rrymës në Malishevë”. Në shkrimin e botuar më 12 dhjetor në mediumin tuaj janë përdorur disa të dhëna të para disa muajve, të ofruara nga kryetari i komunës dhe gjatë një mbledhjeje të asamblesë komunale, kritikat e opozitës ndaj tij, me ç’rast është përmendur disa herë edhe KEDS-i. Ju informojmë se nga tetori i këtij viti, prej kur kanë përfunduar punimet e instalimit të përçuesit të ri elektrik, në Malishevë nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike”- thuhet në sqarimin e KEDS-it.
“Aty, tashmë kur ndodhemi në dimër dhe kur ka rënie të temperaturave, kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, për çka na kanë dëshmuar edhe banorët lokalë, të cilët shprehen të kënaqur me implementimin e projektit kapital të KEDS-it.
Sqarimi i plotë nga KEDS:
Sqarim rreth shkrimit “Kastrati i Nismës përballë sfidës me reduktimet e ashpra të rrymës në Malishevë”
Në shkrimin e botuar më 12 dhjetor në mediumin tuaj janë përdorur disa të dhëna të para disa muajve, të ofruara nga kryetari i komunës dhe gjatë një mbledhjeje të asamblesë komunale, kritikat e opozitës ndaj tij, me ç’rast është përmendur disa herë edhe KEDS-i.
Ju informojmë se nga tetori i këtij viti, prej kur kanë përfunduar punimet e instalimit të përçuesit të ri elektrik, në Malishevë nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Aty, tashmë kur ndodhemi në dimër dhe kur ka rënie të temperaturave, kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, për çka na kanë dëshmuar edhe banorët lokalë, të cilët shprehen të kënaqur me implementimin e projektit kapital të KEDS-it.
Megjithatë, përdorimi i emrit të kompanisë – KEDS-it nga mediumi juaj vetëm për kritika e hesape elektorale në mes të partive politike atje, është i papranueshëm. Njëjtë siç është i papranueshëm edhe konfuzioni i krijuar nga ky artikull te opinioni publik për gjendjen me furnizim me energji elektrike në këtë komunë.
“Nana e nepotizmit”- përballja e Kastratit me opozitën
Në emisionin “Jeta në Komunë”, Kastrati u përballë edhe me kritikat e opozitës për pretendimet për punësime familjare në komunë.
Asamblisti i partisë “GUXO”, Valmir Krasniqi ka akuzuar qeverisjen e Nismës Socialdemokrate për nepotizëm.
“Çerdhja dhe nana e nepotizmit dhe e punësimeve familjare gjendet nën petkun e qeverisjes së Nismës në Malishevë”- është shprehur Krasniqi.
Ai i përmendi dy raste për të cilat thotë se janë punësuar familjarë të kryetarit Kastrati, ndërsa ka theksuar edhe transferimin e gruas së Drejtorit të Urbanizmit nga një çerdhe në tjetër dhe kontratën e përhershme të punës së gruas të drejtorit të Inspektoratit në çerdhen “Zërat e Ëmbël”.
“Do t’i përmend me emra dhe mbiemra punësimet familjare pa asnjë kriter dhe nepotizmin masiv të Nismës Socialdemokrate në Malishevë. Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit ka transferuar në kohë fushate gruan e tij nga çerdhja në fshatin Burim në çerdhen ‘Zërat e Ëmbël’, Hafir Rexha, drejtor i Inspektoratit e ka me kontratë të përhershme gruan e tij si edukatore, e vetmja me kontratë të përhershme në çerdhen ‘Zërat e Ëmbël’… Kryetari Ekrem Kastrati ka punësuar djalin e vëllait të gruas së tij, më pas kryetari Ekrem Kastrati e ka punësuar kushërirën e tij pa konkurs në SHFM ‘Ibrahim Mazreku”- ka thënë ai.
Këto akuza ndaj tij i ka hedhur poshtë kryetari i komunës, duke mohuar se ka nepotizëm në komunën që e drejton.
“Sigurisht kanë kalu në procedurat e rregullta. Është punësuar si arsimtar. Nuk ka këtu familjarizëm apo nepotizëm”- tha Ekrem Kastrati.
Drejtori i Inspektoratit, Hafir Rexha, tha se “bashkëshortja ime është e punësuar që nga viti 2015, është me drejtim përkatës me të gjitha procedurat.
Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina, pranoi transferimin e gruas së tij, por kjo ai tha se ka ndodhur për shkak të mungesës së kuadrove.
“Edhe gruaja ime punon prej vitit 2009, e ke edhe në listën e pagave. Transferet brenda Drejtorisë së Arsimit bëhen në mungesë të kuadrove apo për shkak të shuarjes së paraleleve nëpër shkolla të caktuara”- tha Morina.
Shkollat e Malishevës me ushtrues detyre
Kritika e akuza kundrejt Kastratit të Nismës hodhi edhe pjesëtari tjetër opozitar, asamblisti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Labinot Gashi.
Gashi tha se gjysma e shkollave të Malishevës nuk kanë drejtorë, por udhëhiqen nga ushtrues detyre.
“Është mandati i dytë që shkollat, mbi gjysma e shkollave në Komunë të Malishevës nuk kanë drejtor shkolle, kanë ushtrues detyre. Imagjinojeni çka mundet me ba kur një institucion nuk e ka udhëheqësin përkatës”- tha Gashi.
Gashi foli edhe për rekrutimet në pozita të caktuara, për të cilat thotë se ka vonesa.
“Në momentin kur po flasim, ke orë të pambuluara në arsim… këto janë shqetësime dhe probleme të sistemit në arsim”- vazhdoi tutje Gashi i LDK-së.
Ndërsa, kryetari Kastrati për këtë tha se e kanë anuluar konkursin për drejtor për shkak të disa “deformimeve procedurale”.
“Ne e kemi pasur një konkurs mirëpo kemi pa gjatë rrugës që konkursi ka pasur deformime procedurale edhe e kemi anuluar konkursin. Tash së shpejti do të kemi një konkurs të ri për drejtorë të shkollave. Ka pasur deformime sepse një kandidat për me i bo argat shokut të vet ka konkurruar në tri shkolla dhe e kemi pa që kjo është një formalitet dhe e kemi anuluar konkursin”- tha Kastrati.
Shiriti i Kastratit me rrugët e plasaritura
Ndërtimi i parqeve, trotuareve, asfaltimi i rrugëve, renovime të shkollave, janë disa prej materialeve që kanë përshkuar rrjetet sociale të kryetari të Malishevës, Ekrem Kastrati.
Mirëpo, verifikimi i ekipit të KALLXO.com në këtë komunë, në këto promovime të kryetarit, gjeti mangësi, shkelje e cilësi të dobët të punëve të kryera.
Në maj të vitit 2022, komunarët e Malishevës kishin njoftuar për vazhdimin e ndërtimit të trotuarit në fshatin Terpezë ku sipas njoftimit trotuari do të shtrohej nga shkolla e këtij fshati, në drejtim të brendësisë së fshatit.
Dy vite pas, KALLXO.com pa se në këtë vend kishte ende puseta të hapura që rrezikojnë këmbësorët, të cilët e frekuentojnë këtë trotuar.
Bari kishte depërtuar në kubëzat e betonit, ndërsa disa prej kubëzave ishin thyer.
Përveç kësaj, kubëzat e këtij trotuari kishin filluar të rrëshqisnin në disa pjesë të këtij trotuari.
“Ato fotografi që janë ba, nuk janë ba në momentin kur kanë përfundu punimet se unë pajtohem që brenda një afati të shkurtë nuk duhet të kemi dëmtime, mirëpo sidomos në disa vendbanime apo lokacione të ndryshme shpesh herë për shkak të makinerive, mekanizmave bujqësorë, në momentin kur punojnë në ara kemi nganjëherë dëmtime në trotuare”- u arsyetua drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina.
Promovimi tjetër i kryetarit ishte ai i publikuar në gushtin e vitit 2022, ku Kastrati reklamonte asfaltin në lagjen “Stapanica” në Kijevë.
Pas dy viteve, gjendja kishte ndryshuar. Asfalti ishte plasaritur, e i cili në disa zona kishte “fjetur”.
“Ne e kemi shtruar pjesën e parë, ku normalisht operatori ku ka plasaritje duhet të intervenojë, t’i bëjë riparimet edhe me u shtru shtresa e dytë e asfaltit në atë rrugë”- u arsyetua drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina.
Rubrika “Shiriti” gjeti parregullsi edhe në shkollat e Malishevës.
Në shtator të vitit 2023, komuna e emëroi si shkollën më të mirë të Malishevës, shkollën e re në fshatin Panorc.
Anipse në terren punët nuk kishin hasur probleme dhe ishin kryer mirë, megjithatë shkolla model, nuk përmbushte standardet.
Kjo, pasi kjo shkollë nuk ofron qasje për personat me aftësi të kufizuar në katin e dytë.
Hallet e qytetarëve të Malishevës me ujërat e zeza
Në emisionin “Jeta në Komunë” qytetarët e kësaj komune treguan shqetësimet e tyre edhe për gjendjen e ujërave të zeza, për çka thonë se komunarët nuk po i marrin me prioritet kërkesat e tyre.
“Problemi jonë është problem që tre-katër vite prej se kemi fillu me ndërtu, kanalizimet i kemi të hapura gjashtë familje. Kam ba kërkesë më shkrim në komunë, tre herë kam ba kërkesë më shkrim në komunë direkt në Drejtori të Urbanizmit, deri tash përgjigje nuk kam marrë, prej tre vitesh”- është ankuar Agim Berisha nga fshati Gurbardh.
Mirëpo, drejtori i Urbanizmit thotë se komuna tashmë ka lidhur kontratë për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit dhe se së shpejti ky problem do të zgjidhet.
“Sa i përket trajtimi të ujërave fekale, është një problem, që komuna për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore nuk e ka mundësinë që të intervenojë në të gjitha problemet që ballafaqohemi. Ajo çka është e mirë, është që tashmë kemi lidhur kontratë edhe për vendosjen e rrjetit të ri të kanalizimeve apo mbetjeve fekale, por njëkohësisht edhe intervenimin në ato vende ku kemi prishje të rrjetit”.
Ai thotë se kompania e ujësjellësit “Hidroregjioni”, njësia në Malishevë, në bazë të autorizimeve që i’a ka dhënë qeveria, e ka obligim mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe jo qeverisja komunale.
Përveç ujërave të zeza, qytetarët thonë se përballen edhe me mungesën e ujit.
“Problemin me ujë e kemi qysh prej fillimit kur gypat i kanë shpërnda gjoja që me pasë krejt Drenoci ujë, mirëpo lagjet e tjera kanë ngapak e lagjja jonë s’ka hiç”- është ankuar banori nga fshati Drenoc, Brahim Krasniqi.
Vetë kryetari thotë se Malisheva ka mungesë të akumulimit të ujërave dhe se i duhet asistencë prej ujëmbledhësve për t’a rregulluar këtë çështje.
“Edhe me i pasë mjetet financiare na duhet me dalë me operu me KRU “Gjakovën” të cilën e menaxhon Qeveria e Kosovës. Kanali për shtrirje të gypit duhet të kalojë nëpër dy komuna, të Gjakovës dhe të Rahovecit që na duhet leja qeveritare, gjithsesi”- tha tutje kryetari Kastrati.
Megjithatë, kryetari thotë se komuna e ka një projekt të kahmotshëm që Komunës së Malishevës i mundësohet të furnizohet nga sistemi i furnizimit të Radoniqit.
Tutje, ai thotë se përkundër kësaj kanë gjetur përkrahje për të marrë kredi nga një bankë në Austri, për të realizuar projektin e cila ka kërkuar garancion shtetëror dhe se më 23.09.2022 i ka bërë kërkesë Ministrit të Financave, Hekuran Murati për këtë, por që thotë se nuk kanë marrur asnjë përgjigje.
Përveç kësaj ai tha se më të njëjtën kërkesë i’u kanë drejtuar edhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, por se thotë se kanë hasur në vesh të shurdhër.
Performanca e dobët, shkak “pakujdesitë procedurale”
Të dhënat e Raportit të Performancës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e radhitin Komunën e Malishevës të 30-tën në fushën e barazisë në punësim dhe shërbime sociale e familjare.
Malisheva zë vendin e 26-të në mirëmbajtjen e hapësirave publike, në vendin e 18-të në fushën e transportit publik, në vendin e 17-të në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe në vendin e 11-të në fushën e kujdesit primar shëndetësor.
Ndërkaq, me zero pikë MAPL-ja e ka vlerësuar Malishevën sa i përket funksionimit të këshillave lokal dhe punësimit të personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale.
Për këtë, Kastrati thotë se mund edhe të ketë “pakujdesi procedurale”, por se sipas tij këshillat lokalë në Malishevë, janë aktivë dhe funksionojnë.
“Ndoshta ka një pakujdesi procedurale, mirëpo ne këto këshille i kemi funksionalizu”- tha ai.
Njëjtë foli edhe për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, për çka tha se në mandatin e tij ka punësuar dy persona me nevoja të veçanta.
“Gjatë këtij mandati unë i kam marrë dy persona me aftësi të kufizuara”- tha ai.
Ndërkaq, Auditori në këtë komunë ka gjetur se punimet për ndërtimin e sheshit të qytetit në Malishevë, kishin nisur pa i pasur të gjitha paratë e mjaftueshme komuna.
Këtë e kundërshtoi, Kastrati, i cili tregoi se vlera e këtij projekti është 8.2 milionë euro dhe se të gjitha punët e parapara për ndërtimin e këtij sheshi janë buxhetuar.
“Të gjitha situacionet, të cilat janë ndërtuar deri më tash ne i kemi buxhetu edhe janë duke u kryer pagesat”- tha kryetari.
“Plani është që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm ta përfundojmë”- përfundoi tutje Ekrem Kastrati.
(Shënim: Teksti është edituar, duke ju shtuar sqarimi nga KEDS më datë 14.12.2024. KEDS përmes këtij sqarimi ka njoftuar se pas përfundimit të investimeve, tashmë furnizimi me energji elektrike që nga muaji tetor është stabilizuar edhe në Malishevë. Po ashtu është edituar edhe titulli duke treguar që problemet ishin në tri vitet e qeverisjes së KAstratit – Koha e editimit: 15:16 – 14.12.2024).