Karaxhiqit i Jepen 300 Orë për t’u Mbrojtur

Karaxhiqi, ish-lideri serb i Bosnjës, pritet të fillojë të prezantojë provat më 16 tetor.

Fillimisht, ai kërkoi t’i lejoheshin orë shtesë, përveç 300 orëve, që është e njëjtë me kohën që prokuroria kërkoi për të prezantuar rastin .

Karaxhiqi ka kërkuar për 300 orë shtesë në mënyrë që të sfidojë faktet e gjyqeve të mëparshme, që janë përfshirë në dosjen e rastit si provë kundër tij. Sidoqoftë, trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtari O-Gon Kwon, refuzoi kërkesën.

Në një mocion të mëparshëm, Karaxhiqi tha se donte të ekzaminonte 600 dëshmitarë të mbrojtjes, por gjyqtarët kanë kërkuar që ai numër të zvogëlohet, duke thënë se dëshmitë e propozuara, ose nuk janë relevante për rastin, ose janë përsëritje.

Gjatë prezantimit të provave prokuroria ekzaminoi një total prej 195 dëshmitarësh dhe përfshiu të njëjtin numër dëshmish kur shkroi dosjen për rastin.

Karaxhiqi do të ftojë dëshmitarët sipas rendit kronologjik të vendosur në aktpadi, siç bëri prokuroria.

Ai planifikon të adresojë akuzat në lidhje më krimet në Sarajevë, pas dyshimeve se ka persekutuar joserbët në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke marr peng stafin ndërkombëtar, dhe në fund gjenocidin në Srebrenicë.

Karaxhiqi nuk përjashtoi mundësinë për të dëshmuar personalisht në mbrojtje të tij, në fund të procesit të prezantimit të provave.

Në qershor, Karaxhiqi është përpjekur të rrëzojë të gjitha akuzat kundër tij. Trupi gjykues vendosi se prokuroria ka prezantuar prova të mjaftueshme për dhjetë nga 11 akuzat në aktpadi.

Sidoqoftë, trupi gjykues e liroi Karaxhiqin nga akuzat se ka kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1992, duke thënë se prokurorët nuk kanë vërtetuar ekzistencën e qëllimit për të shkatërruar totalisht, ose pjesërisht, popullatën joserbe në shtatë komuna.

Karaxhiqi akuzohet për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.