Karaxhiqi Lejohet të Apelojë Akuzën për Pengmarrje

Trupi Gjykues i Tribunalit të Hagës, ICTY, e lejoi apelin e Karaxhiqit duke thënë se çështja e statusit të paqeruajtësve të OKB-së ka një efekt të konsiderueshëm në procedurat e drejta dhe efikase dhe rezultatin e gjyqit.

Më 5 korrik, Karaxhiqi, lideri serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës, kërkoi leje që të bëjë një apel në bazat se ushtarët e OKB-së, të cilat ushtria e Republikës Srpska mori peng, ishin luftëtarë dhe pjesëmarrës në aktivitete luftimi.

“I pandehuri do të mohojë dyshimin se duke u marrë peng, luftëtarët u bënë anëtarë të një grupi të mbrojtur. Është e palogjikshme që një autor krimet lejohet të vrasë një luftëtar, ndërsa ta kërcënojë me vdekje, ose burgim, konsiderohet krim”, shkruan Karaxhiqi, në mocionin e tij.

Në qershor, Karaxhiqi u përpoq të rrëzonte 11 akuza kundër tij. Trupi Gjykues vendosi që prokuroria ka prezantuar prova të mjaftueshme për dhjetë nga 11 pikat në aktpadi, duke përfshirë atë në lidhje me marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë.

“Trupi Gjykues ka vendosur se, edhe pse anëtarët e OKB-së ishin luftëtarë menjëherë para se të kapeshin, ishin jashtë luftimit dhe kishin të drejtën për mbrojtje minimale”, thuhet në vendimin e Trupit Gjykues.

Sidoqoftë, Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari O-Gon Kwon, vendosi se qëndrimi i Dhomës së Apelit në lidhje me pyetjen nëse luftëtarët e marrë peng kishin të drejtën për mbrojtje do të influenconte vazhdimin e mëtejshëm të gjyqit, dhe kjo është arsyeja pse pranuan kërkesën e Karaxhiqit për apel.

Karaxhiqi, ish-presidenti i Republikës Srpska dhe komandant Suprem i forcave të armatosura, mohon akuzat për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Më parë, prokuroria ka bërë apel kundër vendimit të Trupit Gjykues se prokurorët kishin dështuar të jepnin prova të mjaftueshme për pikën e parë në aktpadi, që e akuzon Karaxhiqin për gjenocid në shtatë komuna në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992.

Avokatët mbrojtës do të fillojnë prezantimin e provave në tetor.