Karadzici Kërkon Pezullim Njëmujor të Gjyqit në Hagë
Në mocionin që ua dërgoi gjyqtarëve të Tribunalit të Hagës, Karadzici tha se ekipi i tij mbrojtës ka gjetur se prokuroria nuk ka dorëzuar një deklaratë të dhënë nga ish-oficeri jugosllav i inteligjencës, Aleksandar Vasiljevic, që do të kishte qenë “e dobishme për palën mbrojtëse”.
Sipas Karadzicit, deklarata e Vasiljevicit përshkroi se si në vitin 1991, ai u vu në dijeni të “grupeve paramilitare myslimane boshnjake” që kryen krime kundër Armatës Jugosllave.
Karadzici tha gjithashtu se deklarata tregon se serbët e Bosnjës nuk kërkuan ndihmë nga paramilitarët serbe dhe se nuk kryen krime lufte në qytetin boshnjak të Bijeljinës, ku pati luftime të rënda dhe dëbime të joserbëve, në vitin 1992.
Në mocion, Karadzici tha se “shkeljet e vazhdueshme” të prezantimit të provave te pala mbrojtëse tregojnë se metodat e gjykimit në Hagë janë “të dyshimta dhe të pasigurta”.
“Besoj se në këtë pikë, zgjidhja e vetme do të ishte që trupi gjykues të urdhërojë prokurorinë t’i lejojë qasje të plotë ekipit tim mbrojtës në bazën e të dhënave, në mënyrë që ekipi mbrojtës të mund të gjejë informacionin shfajësues”, tha ai në mocion.
Karadzici akuzohet për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera ndaj boshnjakëve dhe kroatëve, të kryera gjatë luftës në Bosnjë. Ai akuzohet gjithashtu për sulme të gjata bombardimi dhe sulme me snajperë në Sarajevë, si dhe marrjen peng të paqeruajtësve ndërkombëtarë.
Gjyqi i Karadzicit është pezulluar disa herë, pasi gjyqtarët e Hagës kanë vendosur se ekipi i tij mbrojtës kishte nevojë për të rishqyrtuar provat, të cilat prokuroria i ka dorëzuar me vonesë.