Kaq vota kishin në zgjedhjet e kaluara prijësit e listave të partive politike

Dje shumica e partive politike të Kosovës kanë bërë publike listat me emrat e kandidatëve për deputetë me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Me përjashtime të rralla, në krye të listave janë kryesisht njerëzit kyçë të subjekteve politike.

Dallimin më të madh e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, e cila në krye të listës përveç emrit të liderit, Albin Kurti, ka vendosur  edhe babanë e aktivistëve të ndjerë të LVV-së, Arbënor e Astrit Dehari, Avni Dehari, si dhe viktimën e dhunës seksuale të luftës, Vasfije Krasniqi.

Në këto zgjedhje Vetëvendosje garon së bashku me iniciativën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila në listë është e dyta.

Edhe LDK-ja ka formuar listë të përbashkët me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Listat i kanë publikuar edhe PDK dhe AAK.

Risi te partia e Ramush Haradinajt është numri 2, mjeku Shemsedin Dreshaj, i cili deri më tani nuk ka qenë pjesë e asnjë gare zgjedhore.

Ndërsa, te PDK-ja në krye të listës janë kryesisht emra të njohur të partisë.

7-të parët e LVV-së, njerëzit më të votuar në zgjedhjet e kaluara

Prijësi i listës së kandidatëve të LVV-së, Albin Kurti  është edhe njeriu më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kurti grumbulloi 183,952 vota.

Numri dy i listës së LVV-së është Vjosa Osmani.

Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kishte kandiduar për postin e kryeministres në kuadër të LDK-së duke marrë 176,016 vota në total.

Glauk Konjufca, i cili mban numrin 3 në listën e LVV-së kishte qenë njeriu i 5-të më i votuar në zgjedhjet e kaluara.

Ai në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ka marrë 72,686 vota.

Gruaja e dytë me e votuar në Kosovë në zgjedhjet e kaluara është ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu e cila në listën e LVV-së ka numrin 6, në zgjedhjet e kaluara kishte marrë hiç më pak se 46,831 vota.

Ish- ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili në listën e LVV-së mban numrin 7, në zgjedhjet e fundit ka marrë 26,106 vota.

LDK-ja e prirë nga Avdullah Hoti e Kujtim Shala

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit pritet të garojë në listë të përbashkët me Aleancën Kosova e Re (AKR).

Kësaj liste do t’i prijë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili sipas të dhënave të KQZ-së është njeriu i 12-të më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e kaluara.

Hoti në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kishte marrë 26,094 vota.

Më shumë vota se Hoti kishte marrë ish-deputeti Kujtim Shala, i cili në listën e LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit është i dyti.

Shala në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 38,921 vota.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, e cila në listën e LDK-së mban numrin 3, në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 8,344 vota.

Kryetari AKR-së, Behgjet Pacolli, do të ketë numrin 5 në listën e përbashkët me LDK-në.

Pacolli në zgjedhjet e kaluara kishte kandiduar në listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate.  Në ato zgjedhje kishte marrë 10,512 vota.

Numrin 6-të në listën e LDK-së e ka kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 8,664 vota.

Enver Hoxhaj njeriu i 4-të më i votuar në PDK

Nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 më së shumti vota pas kryetarit Kadri Veseli, kishte pasur ish-deputeti Uran Ismaili.

Ismaili, i cili në listë për zgjedhjet e 14 shkurtit është i dyti, kishte marrë 28,188 vota.

Pas Ismailit më së shumti vota kishte marrë ish-deputeti Bedri Hamza, 15,599 vota.

Enver Hoxhaj i cili do t’i prijë listës së PDK-së, në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 11,052 vota.

52 vota më pak se Hoxhaj i kishte marrë ish-deputeti Memli Krasniqi.

Ndërsa ish-deputetja Eliza Hoxha kishte marrë 9,258 vota.

Ramush Haradinaj, prijësi i listave të AAK-së

AAK-ja në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kishte kandiduar së bashku më PSD-në.

Edhe në këto zgjedhje listës i kishte prirë ish-kryeministri Ramush Haradinaj duke marrë 76,163 vota.

Numrin 3 në listën e AAK-së e ka ish-deputetja Time Kadrijaj, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 8,122 vota.

Bekë Berisha mban numrin 4 në listën e AAK-së. Berisha në zgjedhjet e fundit kishte marrë 11,959 vota.

Ndërsa zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri kishte marrë 5.247 vota.

Albena Reshitaj, e cila në listën e AAK-së ka numrin 6, në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 6,018 vota.