Kapet Hajnesha e Gjinekologjisë

Hetuesit e stacionit policor jugu në Prishtinë kanë arrestuar, të mërkurën, 39-vjeçaren D. B., shtetase e Republikës së Kosovës, e cila dyshohet për disa raste të vjedhjeve, ka njoftuar policia.

Rastet kanë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shumica prej tyre në repartin e Gjinekologjisë, ku janë vjedhur portofola (me para dhe dokumente personale) , telefona celular të tipave të ndryshëm etj., ka saktësuar Agron Borovci, zëdhënës rajonal i policisë në Prishtinë.
 
“Puna e hetuesve policor, lidhur me rastet e vjedhjeve në QKUK, është finalizuar dje ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarën”.

Pas arrestimit, 39-vjeçarja është dërguar  në Qendrën Rajonale të Paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë, para se ato t’i procedohen gjykatës kompetente.