Kaosi muzeor në Kosovë

Muzetë në Kosovë po përballen me probleme të ndryshme. Mungesa e bazës ligjore, mungesa e planeve menaxhuese, themelimi i muzeve pa kritere, janë tre nga faktorët kryesor që kanë krijuar një kaos në fushën e muzeologjisë, thonë njohësit e fushës.

Përveç që nuk dihet numri i saktë i artefakteve që ruhen në muzetë kosovare, pjesa dërmuese e muzeve nuk kanë stafe profesionale dhe kushte për restaurimin dhe konservimin e artefakteve.

Arkeologu Arben Hajdari, kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se gjendja e muzeve në Kosovë  është e keqe dhe kjo, sipas tij, vjen si pasojë e shumë problemeve.

Mungesa një bazës ligjore, sipas Hajdarit ka krijuar një kaos sa i prektë muzeve në Kosovë.

“Mungesa e një baze të mirë ligjore, që është ligji për rrjetin e muzeve ka shkaktuar një kaos, dhe kjo ka bërë që pastaj të hapen muze pa një bazë të qartë ligjore dhe për pasojë kemi muze të cilat nuk i plotësojnë kriteret për të qenë muze”, ka thënë Hajdari.

Ai ka thënë se shumë prej muzeve nuk kanë kuadro dhe një pjesë e tyre nuk janë të konceptuar në kuptimin e organizimit dhe kuptimin e narracionit-prezantimit.

Sadik Krasniqi, kryetar i Shoqatës së Muzeologëve të Kosovë, shef i Seksionit të Historisë në Muzeun e Kosovës, thotë për KALLXO.com se në pjesën dërmuese të muzeve të Kosovës mbretëron një gjendje e keqe.

“Diku 60 për qind e muzeve në Kosovë, janë në gjendje të keqe, sidomos sa i përket pjesës së koleksioneve, ku me vite të tëra mbesin të pakonservuara dhe në një gjendje të rëndë. Gjendje më e mirë mbretëron në Muzeun Kombëtar, sa i përket gjendjes së koleksioneve arkeologjike, por edhe aty ka shumë probleme”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, arkeologu, Milot Berisha ka pohuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës përmes ekspozitës bazë, prezanton në mënyrë solide kujtesën kolektive të vendit tonë, përmes artefakte arkeologjike, etnografike e historike.

“Megjithatë, prezantimi i trashëgimisë së luajtshme kulturore, në vitrina apo postamente enkas të dizajnuar për vepra apo fakte arti me vlera muzeologjike, duhet të plotësohet edhe me interpretimet apo narracionet për këto eksponate e që mendoj se duhet të jenë interaktive me vizitorët, por edhe duhet të prezantohen verbalisht nga ciceronët e përgatitur enkas për pritjen dhe përcjellën e vizitorëve vendor e të huaj”, ka thënë  ai.

Berisha tha se edhe Parku Arkeologjik i Ulpianës, që sipas tij është një muze në qiell të hapur, çalon dukshëm në pritjen dhe përcjellën e vizitorëve nga mungesa e ciceronëve kompetent e të përgatitur edhe me njohjen e gjuhëve të huaja.

Në gjithë vendin llogaritet të jenë 14 muze të nivelit kombëtar, regjional dhe lokal.

Muzeu Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, Muzeu Etnologjik në Prishtinë dhe ai i Lidhjes Shqiptare në Prizren, janë tre prej muzeve më reprezentativ dhe më të vizituar në vend.