Kandidatja e Vetëvendosjes mendon për Nënat kërkon paga të vogla për deputetët
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi ka deklaruar se ndër 3 amendamentet e para që ajo do t’i propozoj nëse bëhet deputete është ajo për zgjatjen e pushimit të lehonisë për gratë.
Ajo poashtu ka deklaruar se do të kërkojë të ndërrohet edhe amendamenti për pagat e deputetëve. Sipas Rexhepit, deputetët nuk kanë nevojë që të paguhen jashtë pagës së deputetit.
Duke folur për autostradën e Dukagjinit e cila pritet të ketë një kosto prej rreth 1 miliard euro, Rexhepi thotë se është kundër, duke shtuar se ato para do të ishte mirë të investoheshin në atë rajon për bujqësi dhe zhvillimin ekonomik të rajonit të Dukagjinit.
Kauza e saj, nëse bëhet deputetë do të jetë edhe ndërtimi i çerdheve të reja.
Rexhepi është deklaruar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë më qymyr në Kosovë, ndërsa ka thënë se është pro ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, pasi që sipas saj janë më pak ndotës të ambientit.
Tutje Rexhepi ka thënë se do ta kushtëzoj votën për kalimin e buxhetit me projekte madhore për qytetin e Gjilanit, nga ajo vjen.
Sa i përket numrit të zëvendës ministrave për një ministri, ajo thotë se duhet të jenë të paktën 2.
Duke folur për taksat, Rexhepi thotë taksat ndaj bizneseve të vogla duhet të ulen.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me kandidaten e LVV-së, Arijeta Rexhepi:
KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?
Arijeta Rexhepi: Kauza që do ta shtrojmë është që të kemi banka zhvillimore, që të kemi çerdhe sa më shumë për fëmijë si dhe të kemi banesa për çifte të reja.
KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?
Arijeta Rexhepi: Mendoj vetëm deputete.
KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?
Arijeta Rexhepi: Taksat e bizneseve të vogla duhet të jenë më të ulta, e me u rritë ato që kanë zhvillim më të madh.
KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?
Arijeta Rexhepi: Varet prej cilave ligje kishin me rrjedhë, p.sh të mos ketë pagesat për deputetë jashtë pagës që e marrin, pushimi i lehonisë të zgjasë më shumë por edhe heqja e taksave për atdhetarët që na vijnë në Kosovë.
KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?`
Arijeta Rexhepi: Më kryesorja është uji i pijshëm, ujërat e zeza dhe zhvillimi i bizneseve të vogla.
KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?
Arijeta Rexhepi: Asnjëherë.
KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?
Arijeta Rexhepi: Varet prej vendimit çfarë është, por besoj se do të kemi konsultim me grupin dhe kemi me ardhë me një vendim të përbashkët.
KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?
Arijeta Rexhepi: Gratë por edhe familjet në nevojë.
KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?
Arijeta Rexhepi: Do të kërkojë nga Qeveria që të kontrollojë ndotësit më të mëdhenj dhe të vendos filterët për të mbrojtur ambientin.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?
Arijeta Rexhepi: Kish qenë mirë me investu në bujqësi dhe me zhvillu Ekonominë atje. Jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?
Arijeta Rexhepi: Aty duhet të bëhet një mendim i grupit politik të Vetëvendosjes për të parë se cila është më emirë duke e marrë parasysh reciprocitetin.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?
Arijeta Rexhepi: Është mëse e nevojshme hidrocentrale dhe përderisa janë më pak ndotëse për ambientin janë të mirëseardhura.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?
Arijeta Rexhepi: Kjo varet nga zhvillimi ekonomik se sa kemi nevojë për ato universitete. Nëse është e nevojshme duhet të jenë të hapura, nëse është nevoja duhet të mbyllen.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?
Arijeta Rexhepi: Kundër.
KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?
Arijeta Rexhepi: Jam për ridizajnimin.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?
Arijeta Rexhepi: Jam për heqjen e kartonit të gjelbër.
KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?
Arijeta Rexhepi: Personalisht vet.
KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?
Arijeta Rexhepi: Tani kam dy vende pune, ndërsa si deputet, vetëm deputet.
KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?
Arijeta Rexhepi: Mesatarisht 700 euro dhe pasuria e përbashkët me bashkëshortin, bashkë me shtëpinë rreth 170 mijë euro.
KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?
Arijeta Rexhepi: Do ta regjistrojmë bashkërisht.
KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?
Arijeta Rexhepi: Në spital publik.
KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?
Arijeta Rexhepi: Vetëm në atë publik.
KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?
Arijeta Rexhepi: Në shkolla publike.
KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?
Arijeta Rexhepi: Ka edhe të papunë dhe të punësuar por ata do të punësohen vetëm nëse e meritojnë.
KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?
Arijeta Rexhepi: Nën qeverisjen shtetërore.
KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?
Arijeta Rexhepi: Projekte madhore dhe projekte që janë në leverdi të rajonit të Gjilanit.
KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?
Arijeta Rexhepi: Me siguri kanë me qenë investimet në komunën e Gjilanit për ujin e pijshëm.
KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?
Arijeta Rexhepi: Do të jenë sa më shumë dhe sa më të nevojshme.
KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?
Arijeta Rexhepi: Për çdo ditë.
KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?
Arijeta Rexhepi: Nuk kam një vit të caktuar por me atë se çfarë e parasheh ligji.
KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?
Arijeta Rexhepi: Aq sa është e nevojshme.
KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?
Arijeta Rexhepi: Patjetër.
KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?
Arijeta Rexhepi: Me siguri që po.
KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?
Arijeta Rexhepi: Jo, vetëm deri në 15.
KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?
Arijeta Rexhepi: Të paktën 2.
KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?
Arijeta Rexhepi: Jo, asnjëherë.
KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?
Arijeta Rexhepi: Gjithmonë.
KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?
Arijeta Rexhepi: Patjetër.