Kandidati Praktik

Mund të ketë ligjëruar lëndë të mëdha e të gjëra si Historia e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Politika e Jashtme dhe Diplomacia, por Ibrahim Gashi nuk është i njohur për diskutime fundamentale në këto lëmi dhe as për ndonjë studim të njohur të shqiptarëve dhe rrëfimit të tyre, nga këndi i këtyre ekspertizave. Veprimtaria e tij ka qenë shumë më gjithëpërfshirëse për ta lejuar të bëhet Rexhep Qosje a ndonjë model më modern i kërkuesit të thelluar kosovar.

Ibrahim Gashi nuk është as nxitës polemikash si Jusuf Buxhovi me vëllimet e tij të reja nga historia. Është larg më i kalkuluar.

I lindur në Llapushnik të Drenasit më 1963, njeriu që ia ka mësyrë kreut të Universitetit të Prishtinës (UP), ngjan më tepër si titulli i një lënde që drejtonte në katedrën e shkencave politike të këtij universiteti – Praktika Institucionale.

Dr.Gashi është kandidat praktik. Dikush që ka qenë gjatë në këtë universitet dhe ka folur në emër të tij si zëdhënës, që e ka idenë si duken e punojnë universitetet e huaja pasi ka qëndruar një kohë me studime në Austri dhe që ofron diçka që është bërë kusht suksesi në Kosovë – njohjen me politikën.

“Unë mundem me shku edhe te Kryeministri, Presidentja, edhe te ndërkombëtarët edhe të vendorët, për të kërkuar fonde për të përmirësuar gjendjen në UP”, thotë ai.

Dr.Gashi, një nga shtatë kandidatët zyrtarë për rektor të UP-së, post që partitë politike e kanë konsideruar gjatë dekadës së fundit të rëndësishëm për bazën e tyre elektorale, ka qenë nënkryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR) nga viti 2006, deputet në legjislaturën e vendit 2007-2011 dhe anëtar i kryesisë së Kuvendit, këshilltar i Parë Politik dhe Shef i Kabinetit i Presidentit të Kosovës gjatë presidencës së shkurtër të Behgjet Pacollit dhe ish zv.ministër i punëve të jashtme nga muaji Maji 2011 deri në Qershor 2012 kur u vetlargua për t’i çelur rrugë këtij aplikacioni.

Një proverb politik thotë se njerëzit nga akademia në shumicën e rasteve dështojnë në politikë. Po çka bëhet me kahen tjetër, tash kur ai ka një mantel miks?

Gashi thotë se ka konkurruar për të parin e këtij institucioni sepse tërë ngritjen e tij profesionale ia atribuon universitetit dhe se më shumë ka prapavijë akademike sesa politike. “Kam qenë i lidhur dhe jam ende i lidhur me UP-në. Edhe duke pasur një përvojë të gjatë në këtë institucion, mendoj se do t’i shërbej mirë atij”.

Praktik është edhe sa i përket ofertës së tij për UP-në me Rektor Gashin. Ajo është një pako me shumë punë, investime, hapje të UP-së dhe shfrytëzim të kapitalit të tij.
 
“Konsideroj që së pari duhet një njeri që ka përvojë në çështjet e menaxhimit të universitetit, një njeri që është ngritur dhe e ka nda të mirën e të keqen në UP, pra ka bashkëjetuar me hallet e këtij universiteti, dhe një njeri që ka qasje më të lehtë edhe në institucione”, thotë ai.

Për rektor të UP-së kanë konkurruar edhe Valon Murtezaj, Berim Ramosaj, Fadil Maloku, Isa Elezaj, Abdullah Zejnullahu dhe Naser Zabeli. Dr.Gashi e pret me qetësi rezultatin e aplikacionit të vetë. Nëse e merr detyrën ai premton një UP me autonomi në politikat menaxheriale, bashkëpunim ndërkombëtar dhe pandashmëri mes mësimdhënies dhe kërkimit.

Përveç atij dhe disa kandidatëve tjerë të politikës për Rektor, ka pasur edhe njerëz të politikës të zgjedhur për dekanë si Bujar Dugolli dhe Ethem Çeku, ish-zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish- ministra. Por Dr.Gashi, si Rektor i ardhshëm, premton se ndonëse do të mundohet të marrë nga politika për universitetin, nuk do të lejojë politikë në universitet.

“Mendoj që në qarqet akademike më shumë më njohin si Ibrahim, më shumë si profesor, se sa si politikan, sepse gjatë kohës sa kam qenë në politikë kam publikuar katër libra në fushën e historisë dhe libra universitarë’, tha ai.

Poeti Agim Vinca, në një opinion të botuar javën e kaluar në Kohën Ditore, shkroi se Universiteti i Prishtinës pas luftës nuk ka pasur fat me rektorët dhe se në krye të këtij institucioni “kanë qenë njerëz pa kapital shkencor, pa kredibilitet moral dhe pa përgjegjësinë e duhur profesionale”.

Por, siç theksoi Vinca, ndoshta është “kohë e menaxherëve e jo dijetarëve”.