Kandidati i PDK-së: Qeveria duhet të ketë më shumë se 15 ministri

Kujtim Gashi, si kandidat për deputet të Kuvendit nga PDK-së, ka premtuar se korrupsioni dhe nepotizmi do të jenë kauzat e tij kryesore  gjatë mandatit katër vjeçar si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në intervistën dhënë për KALLXO.com, Gashi ka premtuar se do të mundohet që të jetë zëri i qytetarëve në postin e deputetit.

Gashi ka folur edhe rreth taksave të cilat sipas tij duhet të ulen dhe të rriten në Kosovë.

“Mendoj se të gjitha taksat të cilat favorizojnë ndërmarrësit e ri, njerëz që kanë ide kreative për të zhvilluar biznesin duhet që fillimisht të mos ngarkohen me taksa, ndërsa duhet të rriten për kompanitë e lluksit si sallonet e dasmave dhe pompat e derivateve’’, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se cilat do të jetë tri amandamentet e para të cilat ai do t’i propozoj.

“Do të kërkoj përmes amandamentit qe mosha rinore e kufizuar në 24 të shkoj në 30 vite, dhe të miratohet ligji për rini, në kuadër të këtij ligji do të njihet puna dhe përvoja vullnetare e çdo aktivisti dhe si përvojë punë më mënyrë që  ai ta ketë më të lehtë të konkurroj në vende të punës dhe përmes amandamentit të ligjit për sponsorizime do të mundohem që për përfshihet edhe sektori i kulturës në Kosovë me 30% dhe sektori i rinisë me 30%”, ka thënë Gashi.

Gashi ka folur edhe për tri problemet kryesore të Komunës së Prizrenit.

“Mendoj se papastërtia është njëri prej problemeve akute në Prizren, probleme të madha në sektorin e arsimit dhe mungesa e investimeve, si dhe investimet e vogla në pjesët urbane e po ashtu në pjesën e qytetit”, ka thënë ai.

“Asnjëherë deri në vdekje’’, ishte përgjigja e Gashit kur është pyetur nëse do të largohej ndonjëherë nga PDK, duke treguar nëse ndonjëherë do të votonte kundër grupit të tij parlamentar.

“Mendoj se kur je pjesë e një grupi parlamentar të gjitha dilemat duhet të diskutohen në grup parlamentar dhe aty të mos pajtohemi por kur dalim në kuvend vota duhet të jetë unike sepse duhet të jetë vendim i shumicës së deputetëve në kuadër të grupit parlamentar”, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar se cilat grupe do të kenë përkrahjen e tij si deputet.

“Të gjitha ato grupe që kanë nevojë për një deputet, për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe institucione do ta kenë mbështetjen time, me theks të veçantë rinia, kultura dhe sporti, e po ashtu personat me nevoja të veçanta”, ka thënë Gashi.

Në rast se zgjidhet deputet, Gashi ka treguar se cilat do të jenë veprimet e tij për përmirësimin e ambientit.

“Përmes iniciativave të ndryshme do të mundohem që në kuadër të kuvendit të ketë korniza ligjore e cila e pamundëson që në Kosovë të kemi ndotje të ajrit, dhe korniza ligjore e cila i jep mundësi që përmes projekteve të reja të ulet ndotja në vendin tonë’’, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë, kundër përdorimit të qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, e po ashtu kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Në këtë intervistë, Gashi ka folur edhe për shitjen e Telekomit të Kosovës.

“Jam për një privatizim i cili paraprakisht do ta ketë një studim të fizibilitetit dhe i cili do të shndërrohet në një ndërmarrje të fuqishme ekonomike për vendin tonë’’, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu ka treguar edhe qëndrimin e tij për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

“Jam për një fizibilitet fillimisht dhe për një rrugë e cila është funksional dhe i shërben qytetarëve të Dukagjinit, padyshim se është shumë rrugë e ngarkuar dhe ka nevojë për një investim të ri’’, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe kundër heqjes së tarifës ndaj Serbisë, ku ka folur edhe për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

“Paraprakisht duhet të ketë një studim të mirëfilltë, aty ku nuk dëmtohen lumenjtë dhe ku nuk dëmtohet mbarëvajtja e lumenjve mendoj se duhet të ketë investime të tilla’’, ka thënë Gashi.

Kur është pyetur nëse është për mbylljen e Universiteteve Publike nëpër Komuna nëse programet e tyre nuk akreditohen nga Agjencia e Akreditimit, Gashi ka thënë se ‘’duhet të ketë një analizë të mirëfilltë dhe Universitet Publike duhet të funksionojnë në çdo komunë’’.

Gashi ka treguar se është kundër monopolit në homologim, dhe kundër martesave në mes gjinisë së njëjtë, ndërsa ka treguar se është për bartjen e shamive në shkolla.

Gashi ka shprehur edhe qëndrimin e tij nëse është kundër kuotës për deputet nga diaspora.

“Mendoj se diaspora duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk e di nëse është e qëlluar që ata të shkojnë me kuotë por kandidatëve nga diaspora duhet t’u jepet mundësi nëpër lista zgjedhore të partive politike dhe ata të bëhen pjesë e Kuvendit me votat e qytetarëve të Kosovës’’, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se është për ridizajnimin e skemës për veteranët e luftës, e poashtu për heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Fushatën zgjedhore, Gashi ka treguar se është duke e financuar vetë së bashku me disa donator të vegjël.

Gashi ka treguar se tani ka një vend pune, dhe ka premtuar se në rast se zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës do ta mbajë po ashtu vetëm një vend pune.

Në këtë intervistë, Gashi ka folur edhe për të hyrat e familjes së tij.

“Të hyrat e familjes sime janë diku rreth tre mijë euro ku përfshihen pensionet e dy prindërve te mi, sepse babi ka punuar në Gjermani, paga ime si dhe e bashkëshortes’’, ka thënë Gashi, ku ka treguar se pronar i gjithë pasurisë është babai i tij.

Deri më tani, Gashi ka treguar se në rastet kur ka pasur nevojë për shërim, ka shkuar në Spitalin Regjional të Prizrenit, e këtë ka premtuar se do ta bëjë edhe pasi që të bëhet deputet.

Gashi ka treguar se deri më tani fëmijët e tij kanë qenë në shkolla publike por nuk do të vazhdojnë mësimin në ato shkolla.

“Deri këtë vit kanë qenë në shkolla publike, tani janë në përfundim të shkollës fillore dhe sigurisht se do të zgjedhin njërën nga shkollat pak më të avancuara ndoshta shkolla private por që punojnë që e kanë plan programin e Ministrisë e Arsimit’’, ka thënë Gashi, duke treguar se asnjë familjar i familjes së tij të afërt nuk ka nevojë për punësim.

Në këtë intervistë, Gashi ka treguar qëndrimin e tij edhe për fatin e Trepçës.

“Trepça duhet të jetë aset i Republikës së  Kosovës, kurse investimet duhet të jenë edhe nga kompani të fuqishme ndërkombëtare, por duhet të jetë aset shtetëror’’, ka thënë Gashi, duke treguar se cilido projekt i cili është në përputhje me kërkesat e votuesve, ai do të loboj për realizimin e tij.

Ai ka treguar se do të bëjë pyetje parlamentare sa herë që do të ketë nevojë, e po ashtu do të mbajë edhe takime me qytetar.

Gashi ka folur edhe për importimin e veturave në Kosovë.

“Paraprakisht çdo makinë duhet të ketë një kontroll nga shërbime adekuate, të jenë funksionale dhe të jenë makina qe nuk e dëmtojnë ambientin’’, ka thënë Gashi.

Gashi ka premtuar se çdo  aktakuzë që ngritët ndaj tij që ka të bëjë me korrupsion dhe afera të sanksionuara me ligj, ai do të jap dorëheqje e po ashtu do të votoj për rrëzimin e qeverisë nëse ndaj kryeministrit ngritet aktakuzë.

Sipas Gashit, Qeveria duhet të ketë më shumë se 15 ministri.

“Besoj që Kosova do të ketë më shumë se 15 ministri, por duhet të kërkohet që disa nga ministritë të cilat janë të panevojshme të shuhen, përndryshe vlerësoj se numri do të jetë pak më i madh se 15’’, ka thënë Gashi ku ka vazhduar të flas për numrin e zëvendësministrave të cilët duhet të jenë në ministri.

“Përveç disa ministrive që janë të ngarkuara si Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, mund të kenë 2 ose 3 zëvendësministra përndryshe të gjitha ministritë që mbulojnë më pas sektor duhet të kenë një zëvendësministër’’, ka thënë ai.

Gashi ka premtuar se nuk do të votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike persona të cilët nuk i plotësojnë kushtet për emërim.

Ai ka premtuar se do të bëjë publike në çdo rrethanë fondet e partisë, e po ashtu do të hap faturat e shpenzimeve sa herë që do të jetë e nevojshme.