Kandidati i partisë së Fatmir Limajt pa familjarë të punësuar

Askush nga familja e tij nuk është i punësuar ndërsa Afrim Bekteshi thotë se e mbanë familjen vetëm me pagën që e merr si Zëvendësministër i Diasporës. NISMA partia e drejtuar nga Fatmir Limaj u kritikua për shumë punësime partiake por ato duket se nuk arritën tek familja e zëvendësministrit i cili e ka gruan të papunë.

Bekteshi në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se kauza e tij nëse do të bëhet deputet, do të jetë ndërhyrja në sistemin arsimor dhe në sektorin e bujqësisë.

“Unë mendoj se çdo gjë që ka impakt apo akces direkt me qytetarin e Kosovës duhet të jetë një kauzë në vete. Por ajo çka unë mendoj që duhet në mënyrë imediate të ngritet si kauzë është ndërhyrja në sistemin arsimor dhe në sektorin e bujqësisë. Mendoj se këto janë dy segmente të cilat ne si deputetë duhet t’i shtyjmë shumë përpara”, është shprehur ai.

Bekteshi është zotuar se nëse bëhet ligjvënës do ta shtyjë përpara Projektligjin për diasporën.

Kandidati i Nismës e ka pasur të vështirë t’i përmend disa nga problemet me të cilën përballen qytetarët e komunës së tij Prizrenit, ndonëse ka thënë se të tilla ka shumë.

Ai është zotuar se asnjëherë nuk do ta ndërrojë partinë, ndërkohë ka shtuar se nuk mendoj që do të vijë ndonjë moment kur ai do të mund të votonte kundër grupit të tij parlamentar.

Bekteshi ka shtuar se në rast se do të bëhet deputet, do të “luftojë” për barazinë gjinore.

Ai është shprehur kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit dhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Bekteshi gjithashtu e kundërshton shitjen e Telekomit të Kosovës, si dhe ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Kandidati për ligjvënës thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por se vlerëson se taksa ndaj produkteve serbe duhet të hiqet.

Ai ka folur edhe për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

“Nuk mendoj që ndoshta do të isha kundër hidrocentraleve sepse tek e fundit hidrocentralet janë ato të cilat sado kudo nuk ndikojnë në ndotjen e ambientit në Kosovë”, u shpreh ai për KALLXO.com.

I pyetur nëse është për apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, ai ka thënë se nuk i kundërshton ato.

“Është vullnet dhe dëshirë individuale dhe nuk e kam të drejtën të ndërhyjë në gjëra të tilla”, është përgjigjur Bekteshi për KALLXO.com.

Zëvendësministri në detyrë shton se është kundër bartjes së shamive në shkolla.

Bekteshi është përgjigjur edhe për pasurinë, punësimet, aktakuzat dhe çështje të tjera.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, Nisma Socialdemokrate garon në një listë të përbashkët me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD), pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor.

Kjo është intervista me kandidatin për deputet të Nismës Socialedemokrate: Afrim Bekteshi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Afrim Bekteshi: Unë mendoj se çdo gjë që ka impakt apo akces direkt me qytetarin e Kosovës duhet të jetë një kauzë në vete. Por ajo çka unë mendoj që duhet në mënyrë imediate të ngritet si kauzë është ndërhyrja në sistemin arsimor dhe në sektorin e bujqësisë. Mendoj se këto janë dy segmente të cilat ne si deputetë duhet t’i shtyjmë shumë përpara.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Afrim Bekteshi: Konsideroj se kjo varet më shumë edhe prej organeve të larta të partisë. Puna e deputetit është organi më i lartë i shtetit dhe është privilegj të jesh një deputet në Parlamentin e Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Afrim Bekteshi: Të gjitha ato taksa të cilat e prekin interesin e qytetarit, sidomos shtresën e mesme mendoj që duhet të ulen. Mendoj që janë të shumta. Ndërsa ato taksa që duhet të ngritën janë taksat ndaj bizneseve apo afaristëve të cilët mendoj që ajo që lidhet direkt me qytetarin mendoj që gjithçka duhet të ulet.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Afrim Bekteshi: Ka të shumta, por ndoshta mishërimi im gjatë mandatit tim në Ministrinë e Diasporës, në cilësinë e zëvendësministrit, me diasporën tonë në përgjithësi, mendoj që gjënë e parë që do ta shtyj është Projektligji për diasporën. Për të cilin projektligj kemi punuar jashtëzakonisht shumë gjatë kësaj qeverisje që jemi në detyrë ende. Dhe ky projektligj ka bart një kosto goxha të madhe financiare dhe marr parasysh një buxhet shumë të vogël që e kam përfaqësuar dhe në fund fare është një ligj që nuk ka kaluar dhe si rrjedhojë ka rënë në pikën zero tashmë. Konsideroj se do të ishte njëri nga amendamentet që do të tentoja  t’i shtyja sepse diaspora jonë ballafaqohet me problematika të ndryshme dhe të shumta. Dhe unë mendoj se ne jemi duke e bërë të paktën për ata që i kemi atje dhe derisa ata janë një numri madh, deri në 800 mijë që i kemi nëpër botë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Afrim Bekteshi: Si çdo komunë në Kosovë edhe komuna e Prizrenit ka probleme të shumta. Për momentin s’po më kujtohet ti apostrofoj një nga një. Por ka të shumta.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Afrim Bekteshi: Asnjëherë. Unë jam shumë krenar që jam njëri ndër themeluesit e Nismës.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Afrim Bekteshi: Nuk mendoj që do të vije në një moment ku do të merret një vendim kundër subjektit tim politik.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Afrim Bekteshi: Unë mendoj që barazia gjinore ose si të them do të luftoja të them figurativisht për barazi gjinore.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Afrim Bekteshi: Gjithçka që do të ishte në dëm të ambientit do të isha kundër kësaj. Mendoj se do të jem ambientalist dhe për këtë do të hartojë edhe subjekti im politik politika të qarta për ambientin në përgjithësi në Kosovë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Afrim Bekteshi: Po, jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Afrim Bekteshi: Po, jam kundër sepse edhe kjo ndikon në ndotjen e ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Afrim Bekteshi: Po jam kundër sepse edhe kjo krijon një ndotje të ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Afrim Bekteshi: Jam kundër shtijes së Telekomit të Kosovës, ngase konsdieroj se Telekomi i Kosovës dhe duhet të mbetet një aset shtetëror.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Afrim Bekteshi: Po jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Afrim Bekteshi: Absolutisht jam kundër shkëmbimit të territoreve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Afrim Bekteshi: Tarifa apo taksa ndaj produkteve serbe dhe ndaj produkteve Bosnjës e Hercegovinës ka prodhuar efektin e vet. Ndoshta duhet të vijmë në një momentum kur unë mendoj që duhet të hiqet për momentin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Afrim Bekteshi: Nuk mendoj që ndoshta do të isha kundër hidrocentraleve sepse tek e fundit hidrocentralet janë ato të cilat sado kudo nuk ndikojnë në ndotjen e ambientit në Kosovë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Afrim Bekteshi: Varet nga komuna në komunë. Unë jam për t’i mbyllur disa nga universitetet nëpër komuna ku nuk është e nevojshme.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Afrim Bekteshi: Jam kundër monopolit në çfarëdo forme jo vetëm në homologim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Afrim Bekteshi: Jo nuk jam kundër martesave. Është vullnet dhe dëshirë individuale dhe nuk e kam të drejtën të ndërhyjë në gjëra të tilla.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Afrim Bekteshi: Prapë po them është e drejtë individuale e secilit dhe jeta individuale e secilit duhet çmuar dhe vlerësuar. Mendoj që në këtë rast do të isha kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Afrim Bekteshi: Jam për me tërë qenien time.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Afrim Bekteshi: Po, jam për, për faktin se kjo çështje lë për të dëshiruar.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Afrim Bekteshi: Gjithsesi jam për heqjen e kartonit të gjelbër sepse konsideroj që kjo është e turpshme që ka ekzistuar deri më tani një gjë e tillë.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Afrim Bekteshi: Gjithçka çka lejohet përmes ligjit, financimi i partive politike edhe Nisma pra  e lejon një gjë të tillë. Nuk është në domenin tim, nuk jam ai i cili e kam këtë informacion për ta vënë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Afrim Bekteshi: Momentalisht kam vetëm një vend pune, pra jam ende zëvendësministër në detyrë. Nuk kam asnjë të punësuar në familjen time, jam i vetëm jam mbajtës i familjes kam gruan dhe tre fëmijë. Unë nuk mendoj që, përveç nëse kërkohet nga institucioni përkatës që të mbaj dy poste ose dy detyra apo dy punë përndryshe nuk do të preferoja ti mbaja dy punë për faktin se konsideroj që nuk mund të jesh efikas dhe efektiv nëse je i fokusuar në dy detyra.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Të hyrat mujore janë diku 1 mijë euro si zëvendësministër dhe pasuri time kam një banesë 90 metra katrorë dhe një truall trashëgimi pra nga familja 3 ari në Prishtinë. Banesën e kam në Prizren, jetoj dhe veproj në Prizren.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Afrim Bekteshi: Normalisht po meqë jemi bashkë, pasuria i takon të gjithëve. Edhe gruas edhe mua. Jo në fakt [nuk e kemi të regjistruar. E kuptova, thjesht ku godet pyetja. Nuk do të hezitoja fare që gjithë pasurinë çka e kam t’ia delegoja ose të ishte në emrin e gruas.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Afrim Bekteshi: Fatbardhësisht nuk mbaj mend që kam qenë në spital, por sa herë që kam pas probleme me shëndetin thjesht janë kuruar ose kam kërkuar shërbim nga institucionet tona shëndetësore në Kosovë.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Afrim Bekteshi: Në Kosovë. Varet prej natyrës së sëmundjes se zori të çon gjithkah, megjithatë i besoj njohurive dhe potencial që kanë mjekët tonë në Kosovë.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Afrim Bekteshi: Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Afrim Bekteshi: Unë jetoj me gruan dhe tre fëmijë, gruaja është e papunë dhe nuk mendoj që me ardhjen time në pushtet do të fokusohesha në punësimin e familjarëve të mi. Mendoj se kjo dukuri është shumë e dhimbshme dhe e keqe në Kosovë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Afrim Bekteshi: Unë mendoj që Trepça apo asetet që janë shtetërore siç është Trepça duhet të jenë gjithmonë asete shtetërore dhe normalisht do të votoja kundër privatizimit.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Nuk mendoj që do të vijë ndonjë situatë e tillë për ta kushtëzuar votën për buxhetin për ndonjë temë të caktuar. Eventualisht veç nëse  cenohet integriteti apo sovraniteti i vendit tim.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me te cilën keni me lanë gjurmë/trashegimia juaj si deputet?

Afrim Bekteshi: Si deputet i ardhshëm do të tentoja me këmbëngulje që do të lija gjurmë gjithçka që lidhet ose që ka të bëjë me diasporën tonë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Afrim Bekteshi: Po tash varet prej punimeve të seancave, sa seanca do të ketë. Po e them 50, 60 varet.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Afrim Bekteshi: Do të insistoja që çdo ditë. Varet prej mundësive, prej punës dhe angazhimeve. Së paku 1 gjatë ditës.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Afrim Bekteshi: 10, 12, 13 vite pse të mos jetë. Prej praktikave të vendeve të zhvilluara, ekziston kjo.  

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qenë pjesë?

Afrim Bekteshi: Sa herë që do të kërkohej dhe do të shtrohej nevoja për ti nënshtruar konsultimeve publike për ndonjë ligj të caktuar do të insistoja inicimin e këtyre konsultimeve.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Afrim Bekteshi: Gjithsesi po, por unë nuk mendoj që do të vjen deri aty.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Afrim Bekteshi: Po, mendoj se posti i kryeministrit është një nivel i cili duhet të jetë shumë me kredibilitet dhe po, gjithsesi po.

 KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Afrim Bekteshi: Ndoshta po, për faktin se varet sa ka nevojë shteti ynë, për sa dikastere.  

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Afrim Bekteshi: Mendoj së paku një gjithsesi por edhe 2 nuk do të ishte ndonjë kiamet.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Afrim Bekteshi: Jo, gjithçka çka është ndesh me ligjin jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Afrim Bekteshi: Po mendoj po. Nisma e ka demonstruar një gjë të tillë.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Afrim Bekteshi: Pse jo, nëse është diçka që duhet të hapen pse jo. Gjithçka çka  i ndihmon transparencës për të mirën e qytetarit. Pse jo.