Kandidati i lidhur me NISMA e PDK nisë punën në ATK

Në mesin e 20 inspektorëve tatimorë të punësuar në Administratën Tatimore është edhe Petrit Xani, dhëndër i Naim Gashit që është zyrtar i lartë hetues në Zyrën e Standardeve Profesionale në ATK.

Zyra e Standardëve ku punon Naim Gashi ka për detyrë të hetojë të gjithë punonjësit e ATK-së për shkeljet ligjore si dhe të shqyrtojë deklarimet e pasurisë për të gjithë punonjësit e ATK-së.

Naim Gashi është vëllai i Latif Gashit, ish-drejtor i SHIK-ut dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. Përveç lidhjeve me PDK-në, vet Xani është pjesë e strukturave të Nismës Socialdemokrate.

KALLXO.com, ka tentuar disa herë të bisedojë me Naim Gashin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Latif Gashi dhe vëllai i tij, Naim Gashi

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Gashit në email dhe përmes SMS, por ai nuk është përgjigjur.

Për të verifikuar afërsinë familjare të Xanit, KALLXO.com ka kontaktuar me ish-deputetin e PDK-së, Latif Gashin.

I pyetur nga KALLXO.com se a ka pasur ndikim në punësimin e dhëndrit, Latif Gashi deklaroi se për herë të parë po dëgjon për punësimin e tij. Madje, Gashi edhe dhëndrin e ka vlerësuar në bazë të përkatësisë partiake.

“Ishalla e gëzon atë vend punë, unë qetash po dëgjoj, fare nuk po e di që është hi në punë. Me sa e di unë tybe as Naimi si ka ndihmu se nuk është me partinë tonë hiç ai dhëndri jonë”, tha Gashi.

Ai shtoi se u ka ndihmuar njerëzve në punësime konform ligjit, duke u dhënë këshilla.

“Me pas mujtë me i ndihmu si dhëndër i kisha ndihmu, ku kam mujtë ju kam ndihmu njerëzve në kuptimin ligjor me ja u dhanë ndonjë këshillë, por me ndiku, kurrë”, shtoi ish deputeti i PDK-së.

Petrit Xani është kryetar i rinisë së Nismës Socialdemokrate në Fushë Kosovë. Në Facebook janë të publikuara disa foto të Nismës ku Xani prezantohet si kryetar i të rinjve të kësaj partie në Fushë Kosovë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Milazim Xanin, kandidat për deputet i Nismës nga Fushë Kosova. Kur është pyetur për lidhjet familjare të tij me Petrit Xanin, Milazim Xani ka deklaruar se “koha ka marrë e mirë sot, po nxen dielli”, dhe e ka ndaluar telefonin.

Petrit Xani gjatë një prezantimi në Nismen Socialdemokrate
Petrit Xani gjatë një prezantimi në Nismen Socialdemokrate

Petrit Xani, dhëndri i zyrtarit të lartë në Administratë Tatimore të Kosovës, është renditur i nëntëmbëdhjeti me 74.2% të pikëve. Ai ka arritur të punësohet duke dalë më i mirë se rreth 500 kandidatë të tjerë që i janë nënshtruar testit me shkrim në konkursin e ATK-së për inspektorë. Në këtë konkurs për inspektorë tatimorë kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë.

Në konkursin e ATK-së, për inspektor Tatimor janë punësuar 20 persona.

Për përzgjedhjen e tyre kishte vendosur Ukshin Rrecaj, ish-asamblisti dhe themeluesi i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Bashkë me Ukshin Rrecajn, anëtar të komisionit për përzgjedhjen e inspektoreve ishin edhe Arben Istogu, Teuta Morina, Magbule Shala dhe Tatjana Bojkovic.

Hulumtimet e KALLXO.com zbuluan se të paktën 7 nga 20 të punësuarit si Inspektor në këtë institucion kanë lidhje të forta politike. Pesë nga të punësuarit lidhen me PDK-në, një me AAK-në dhe një me LDK-në.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në gjithë dokumentacionin e komisionit për këtë konkurs, por ATK-ja ka vendosur t’i mbajë sekrete ato.

Disa nga të punësuarit kishin lidhje direkte me PDK-në e udhëhequr nga Kadri Veseli:

Kishte të punësuar edhe persona të afërm me partitë e tjera, përkatësisht AAK-në dhe LDK-në. Ishte punësuar Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.  E punësuar si inspektore ishte edhe Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani .

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit, BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos ta lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!