Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetarë të komunave elaborojnë mënyra për të luftuar ekstremizmin

Në kërkimin e tyre për më shumë vota, kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet e 17 tetorit u është kërkuar të shpërfaqin planet e tyre se si do të përballen me luftën kundër ekstremizmit.

Ishte viti 2017 kur një nga kandidatët për kryetar komune u përgjigj shumë shkurt kur iu kërkua plani i tij për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

“Kjo është çështje e Policisë dhe kryetari i komunës nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje,” tha pakujdesshëm kandidati në debatin televiziv, Jeta në Komunë.

Kjo ishte koha kur qindra të rinj të Kosovës kishin shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah organizatave terroriste si ISIS dhe Al-Nusra, shumë prej tyre së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, duke lënë pas shumë shqetësime nga anëtarët e familjes së tyre dhe një imazh të dëmtuar për vendin e tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, janë 74 fëmijë të kthyer në vitin 2019, nga të cilët 26 janë të moshës parashkollore.

Nga të qenit një tabu, kjo çështje tani është bërë normale për t’u folur nga kandidatët për kryetarë të komunave, temë prej të cilës u shmangën në të kaluarën. 

Kandidatët për kryetar të komunave janë vetëdijësuar se shërbimet sociale të ofruara në çdo qytet dhe sistemi arsimor përmes shkollave që qeverisen nga qyteti, luajnë një rol të madh në krijimin e një atmosfere ku ekstremizmi i dhunshëm ndalohet në fazat e tij të hershme, duke e zbuluar atë sa më herët. 

Përmes një programi të quajtur Programi i Komunitetit të Rezistencës, RCP, i formuar nga katër OJQ, shoqëria civile e Kosovës ka punuar me autoritetet lokale për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe për të inkurajuar procesin e risocializimit të luftëtarëve të kthyer nga Siria dhe Iraku.

Qeverisja komunale në Kosovë është përgjegjëse për sigurinë publike dhe qendrat e punës sociale. Komunat mund të emërojnë një numër të caktuar punonjësish socialë dhe psikologësh, në varësi të nevojave të secilit qytet dhe shkollave publike.

Si pjesë e RCP, BIRN ka pyetur kandidatët për kryetarë të komunave në fushatën aktuale të zgjedhjeve lokale se si ata planifikojnë të rrisin kapacitetet për t’u marrë me ekstremizmin e dhunshëm në komunat e tyre nëse bëhen kryetarë.

Duke marrë parasysh që disa kandidatë për kryetarë të komunave ende e konsiderojnë qeverinë qendrore përgjegjëse për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm, BIRN u ka dërguar një letër të gjithë kandidatëve për t’u kujtuar atyre përgjegjësitë që ka pushteti lokal në trajtimin e kësaj çështjeje.

Sipas Strategjisë Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm që është e vlefshme në Kosovë 2021-2025, kryetarët e komunave kanë mbi 12 obligime për ta parandaluar ekstremizimin.

Në 25 DebatPernime të drejtuara nga BIRN të mbajtura deri më tani, përgjigjet e autoriteteve lokale ndryshojnë. Katër vjet më parë autoritetet lokale pretenduan kryesisht se “ata do t’i linin policisë të merrej me këtë”. Tani kandidatët e kanë kuptuar se ekstremizmi i dhunshëm është një çështje sociale ku dhe ata kanë filluar të ofrojnë zgjidhje për të përmirësuar shërbimet komunale për të ndihmuar komunitetet që duhet të merren me individë të dhunshëm.

 

Lufta për të rivendosur normalitetin

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna lindore e Kosovës, Kaçaniku është një nga qytetet më të prekura nga ekstremizmi i dhunshëm pasi dhjetëra qytetarë të saj kishin udhëtuar në Siri dhe Irak.

Shkelqim Jakupi, kandidat për kryetar komune nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), fajëson komunën për mos sigurimin e hapësirave të mjaftueshme rekreative për të rinjtë.

“Të rinjët kaçanikas nuk kanë palestër të sportit, nuk kanë stadium të futbollit, fusha ndihmëse sportive, shtëpi të kulturës. Mungesa e këtyre na çon në rrezikun shoqëror na çon në devijimin e rinisë” tha Jakupi i cili premtoi ndërtimin e këtyre hapësirave si mjet për të ofruar një alternativë kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Besim Ilazi, kryetari aktual i Kaçanikut nuk u pajtua me Jakupin. Ai pas tij, renditi sallat ekzistuese sportive që janë në dispozicion të të rinjve dhe tha se ndërtimi i hapësirës së re sportive është detyrim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Puna që kemi bërë me Bashkësinë Islame, policinë dhe bashkëpunimin me qytetarët, ne kemi arritur që nga viti 2015 që të mos kemi asnjë rast të të rinjve që të shkojnë apo të përpiqen të shkojnë në vatrat e luftës”, tha Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës , PDK.

Kandidati i pavarur i Kaçanikut, Kastriot Bushi, ka një plan tjetër. Ai konsideron se për risocializimin dhe riintegrimin në shoqëri, të rinjtë duhet të mbështeten për krijimin e bizneseve.

Jeton Raka, kandidati i Vetëvendosjes në Kaçanik tha se mbështetja e shoqatave të alpinizmit, klubeve sportive, organizatave të ndryshme që krijojnë konkurse komunale, aktiviteteve letrare, panaireve të librit dhe digjitalizimit të bibliotekave është një mënyrë për t’i shërbyer të rinjve.

Përkundër këtyre planeve për të mposhtur këtë fenomen, Shukri Luta, kandidat i pavarur, mohon se Kaçanik ka një problem me ekstremizmin e dhunshëm ose se është “qendra e xhihadizmit“, siç u etiketua në kulmin e luftës në Siri dhe Irak.

“Unë mendoj se ne duhet t’i risocializojmë ata njerëz [të riatdhesuarit]. Ata që vijnë [nga zonat e luftës] kanë frikë kur kthehen, ne duhet t’u sigurojmë atyre një amnisti dhe kthim të sigurt sepse ata janë njerëzit tanë, ata janë shqiptarë,” tha Raka.

I njëjti problem me numrin më të madh të njerëzve që shkuan në Siri dhe Irak u theksua gjithashtu në komunën e Ferizajt. Por, kandidatët për kryetarë të komunave po planifikojnë të përmirësojnë situatën përmes ligjëratave dhe mekanizmave komunal.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sibel Halimi, kandidate e Ferizajt nga LDK u zotua se nëse bëhet kryetare e komunës, do t’i fuqizojë të rinjtë përmes aktiviteteve të ndryshme dhe programeve rinore.

“Një nga mekanizmat që do të krijoj brenda Komunës do të jetë Këshilli Komunal për Sigurinë në Komunitet, i cili do të përfshijë të gjitha grupet kyçe të qytetarëve dhe institucionet e Kosovës që do të punojnë për të parandaluar radikalizimin,” tha Halimi.

Ndërsa kryetari aktual, Agim Aliu nga PDK, tha që për të parandaluar këtë fenomen kanë organizuar ligjërata, trajnime nëpër shkolla dhe me imamë e me banorët e Ferizajt. 

Njëra prej komunave që kishte edhe qytetarë që kishin shkuar për të luftuar në zonat e luftës është Gjilani, e cila aktualisht ka një mekanizëm referues për ekstremizmin. Ky mekanizëm nënkupton që mësuesit lokalë dhe punonjësit e komunitetit ta referojnë rastin nëse shohin një tendencë midis individëve për ekstremizëm të dhunshëm.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari aktual Lutfi Haziri nga LDK, theksoi se Gjilani do të vazhdojë të parandalojë përhapjen e ekstremizmit dhe terrorizmit përmes këtij mekanizmi referues. Ndërkohë Lulzim Behxheti, kandidati i pavarur për kryetar të Gjilanit, tha se ai do ta zhdukë ekstremizmin përmes një “strategjie ndërkombëtare”.

Behxheti planifikon të parandalojë ekstremizmin duke rekrutuar staf të kualifikuar i cili do të merret posaçërisht me këtë kategori, ku do të përfshijë praktikat që ka parë në Norvegji. Ai pretendoi se do ta bënte këtë përmes një agjencie të vendosur në Helsinki, Finlandë.

Leonora Morina Bunjaku, kandidate e PDK -së në Gjilan tha se ajo do ta trajtojë çështjen e ekstremizmit përmes këshillit komunal të sigurisë dhe organeve të tjera përkatëse komunale.

Të njëjtin mendim ndan edhe Alban Hyseni, kandidati i Vetëvendosjes për komunën e Gjilanit. Hyseni tha se komuna duhet të thellojë bashkëpunimin me Policinë, zjarrfikësit dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Me organizata joqeveritare përmes të cilave mund të organizojnë  ligjërata publike ose kampanja sensibilizimi. Ne do të anagazhohemi që të krijojmë mekanizma të veçantë të sigurisë që do të merren me këtë çështje”  shpjegoi Hyseni.

Riintegrimi përmes shoqërizimit

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Prizren, në mungesë të një plani konkret, kandidatët për kryetarë të komunave po pretendojnë të çrrënjosin terrorizmin përmes risocializimit dhe po përpiqen ta mbajnë sigurinë në kompetencën e institucioneve të sigurisë.

Shaqir Totaj, kandidati i PDK -së për kryetar të Prizrenit, tha se ata do të përpiqen ta parandalojnë këtë fenomen para se të bëhet shqetësim për sigurinë.

“Ne do të ofrojmë mundësi për biznes, sport, rekreacion,” tha ai.

Institucionet e sigurisë janë gjithashtu opsioni për Zafir Berishën, kandidatin nga Nisma Socialdemokrate “Nisma”.

Pa një plan konkret, Afrim Tejeci, kandidati nga Aleanca Kosova e Re, AKR, tha se të kthyerit do të riintegrohen në shoqëri duke iu afruar atyre.

Mytaher Haskuka, kryetari aktual nga Vetëvendosja, tha se ka sondazhe që po bëhen në shkollat ​​komunale dhe se “veprimet do të ndërmerren bazuar në gjetjet dhe analizat nga këto anketa”.

“Në luftimin e radikalizimit forma më e mirë është arsimi, sporti dhe kultura. Ne gjatë katër viteve qeverisjes kemi katërfishuar fondet për aktivitete rekreative”  shtoi Haskuka.

 

“Psikologët në ajër”

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mungesa e psikologëve në shkolla është problematikë si për autoritetet kombëtare ashtu edhe për ato lokale. Mungesa e profesionistëve të tillë në institucionet arsimore i lë adoleshentët pa trajtim të duhur socio-psikologjik në të gjithë Kosovën.

Përveç kësaj situate, Gazmend Muhaxheri, kryetar aktual i Pejës nga LDK, i cili po kërkon edhe një mandat tjetër, nuk përmendi një plan konkret për të luftuar këtë fenomen, por të paktën tha se do të përpiqen të punësojnë psikologë në secilën shkollë.

Sipas legjislacionit të Kosovës, çdo institucion arsimor që ka mbi 1000 nxëëns duhet të ketë së paku një psikolog ose një pedagog. Sidoqoftë, një psikolog-pedagog mund të angazhohet gjithashtu në disa institucione arsimore në një komunë, kur disa institucione së bashku arrijnë numrin e 1.000 nxënësve.

Përfshirja e psikologëve në shkolla u konsiderua e padiskutueshme nga kandidati nga Kreshnik Husaj, Partia Demokratike e Unitetit, kandidat për kryetar të komunës së Pejës. Ai tha se përveç psikologëve në shkolla, është e nevojshme të mbështeten shoqatat kulturore dhe artistike në mënyrë që të rinjtë të përqendrohen në aktivitete.

“Peja ka një numër të shoqatave kulturore-artistike por nuk ka shumë të rinj të Pejës që angazhohen në këto shoqata. Kjo ndodh për shkak të mungesës së angazhimit të komunës për t’i përkrahur ata,” u ankua Husaj.

“Angazhimi i të rinjve në aktivitete kulturore dhe rinore është mënyra e vetme për t’i larguar ata nga këto fenomene,” shtoi ai.

Ndryshe nga Husaj dhe Muhaxhiri, Gazmend Agusholli, kandidati i Pejës nga Vetëvendosja, tha se komuna duhet të organizojë fushata sensibilizuese për të parandaluar radikalizimin.

Agusholli thotë se për të luftuar indoktrinimin nga ekstremizmi fetar, Policia e Kosovës duhet të ketë bashkëpunim më të madh me komunat.

Ndërsa kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Rrustem Berisha nuk zbuloi ndonjë strategji konkrete, përveçse tha se ky fenomen kërkon trajtim të veçantë dhe qasje serioze.

 

Ëndrrat për zhdukjen e varfërisë

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në debatin e organizuar për komunën e Lipjanit, kandidatët për kryetarë të komunës shpalosën planet për parandalimin, riintegrimin dhe risocializimin e të kthyerve nga lufta.

Adnan Rrustemi, kandidat i VV -së në Lipjan theksoi se ka lexuar deklaratën dhe detyrimet e autoriteteve lokale që BIRN u ka dërguar kandidatëve dhe, pasi është pajtuar me ta, ai do të marrë parasysh masat e propozuara.

Përveç kësaj, Rrustemi gjithashtu planifikon të merret me shkaqet që çojnë në ekstremizëm, e që është  kryesisht varfëria.

“Varfëria dhe kushtet e dobëta sociale dhe duhet të ndërhyhet përmes programeve sociale e qendrës për mirëqenie sociale. Për risocializim duhet të marrim masa tjera si mbështetja për të hyrë në tregun e punës, aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive për t’u përfshirë në jetën sociale, ”  tha Rrustemi. 

Ndërkohë, Bashkim Budakova, kandidat i AAK -së në Lipjan planifikoi të hapë thirrje vjetore për aktivitete që merren me kulturën, rininë dhe rekreacionin për të rinjtë.

Përveç kësaj ai shtoi, “ne kemi parë që këto raste [të ekstremizmit]  ndodhin për shkak të varfërisë. Pra, ne duhet të përqëndrohemi në këtë pjesë të shoqërisë. Në këtë kontekst, ne duhet të luftojmë varfërinë ekstreme përmes bashkëpunimit me organizatat”.

Një nivel tjetër parandalimi është planifikuar nga Hyzret Rizani, një kandidat i PDK -së në Lipjan, i cili pretendon se nëse bëhet kryetar i komunës, ai do të krijojë një platformë arsimore online, ku prindërit, mësuesit dhe nxënësit do të kenë qasje.

“Ne do të ndërtojmë një strukturë emergjente kur të trajtohen të gjitha rastet e ekstremizmit dhe do të shtojmë stacionet policore në fshatrat Gadime, Dobrajë dhe Sllovi për të qenë më afër qytetarëve,” tha Rizani.

Përkundër mundësive për të parandaluar përhapjen e terrorizmit përmes aktiviteteve socio-kulturore, duke mbështetur të rinjtë, kryetari aktual, Imri Ahmeti nga LDK, e konsideron ekstremizmin si një kafshatë të madhe për komunat.

Ahmeti theksoi se një fenomen i tillë duhet të adresohet në nivelin qendror dhe pastaj autoritetet qendrore të mbështesin ato lokale për t’u marrë me të.

Programi i Komunitetit të Rezistencës është duke u zbatuar nga BIRN, Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN), Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe mbështetur nga Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës i Komunitetit (GCERF) me financim nga USAID dhe Mbretëria e Holandës.