Ilustrimi: Kallxo.com

Kandidatët për kryeministër: Kush fitoi më së shumti vota në 2010, 2014 dhe 2017?

Kanë mbetur edhe 2 ditë deri në afatin e fundit për certifikimin e koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Partitë politike që duan të bëjnë marrëveshje për të hyrë bashkë në garën për të drejtuar qeverinë e ardhshme, duhet të vendosin deri të premten ora 00:00, nëse duan të shkojnë me një listë të përbashkët.

Deri më tani janë zyrtarizuar dy koalicione parazgjedhore. AAK është bërë bashkë me PSD-në, ku kandidat për kryeministër e kanë nxjerrë kryeministrin në largim, Ramush Haradinajn dhe Nisma bashkë me AKR-në që kanë nominuar për kryeministër Fatmir Limajn.

PDK do t’i hyjë garës me Kadri Veselin si të nominuar për kryeministër, ndërsa LDK, të martën e ka zyrtarizuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre nga radhët e saj.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje pritet që edhe zyrtarisht ta nominojë Albin Kurtin për kryeministër.

LDK dhe VV kanë punuar për arritjen e një marrëveshje parazgjedhore, por që nuk po arrijnë të dakordohen për pozitën e të nominuarit për kryeministër.

Nëse e marrim për bazë situatën aktuale dhe kandidaturat e tanishme, atëherë në zgjedhjet e 6 tetorit pritet që garës për ta udhëhequr Qeverinë t’i hyjnë 5 persona (Vjosa Osmani, Albin Kurti, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani) dhe 5 lista të veçanta të kandidatëve.

Të pesë këta kandidatë janë sprovuar edhe në zgjedhjet e mëhershme. Disa si kandidatë për kryeministër, disa si deputetë e disa si bartës të listës.

KALLXO.com do t’i sjellë numrin e votave të këtyre 5 kandidatëve në 3 palë zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Në zgjedhjet e vitit të 2010 që u fituan nga PDK, kandidati i tashëm i PDK-së për kryeministër nuk kishte qenë fare në listë. Madje Kadri Veseli në atë kohë s’kishe qenë publikisht as pjesë e politikës.

Prej kandidatëve të sotëm për kryeministër, e që garonin në 2010, Fatmir Limaj kishte qenë më i votuari.

Limaj që në atë kohe ishte pjesë e PDK-së, e në listë me numër 2, kishte marrë 75 mijë e 689 vota.

Pastaj Albin Kurti, partia e së cilit kishte hyrë për të parë në garë zgjedhore, kishte marrë numrin më të madh të votave, prej atyre që do të jenë kanididat në zgjedhjet e 6 tetorit.

Votat e të nominuarve për kryeministër në 3 palë zgjedhjet e fundit Foto: KALLXO.com

Në zgjedhjet e 2010, Kurti kishte marrë 58 mijë e 467 vota. Ndërsa kryeministri në largim, Ramush Haradinaj si bartës i listës së AAK-së kishte marrë 54 mijë e 713 vota, rreth 4 mijë vota më pak se Kurti.

Ndërsa kandidatja e LDK-së, e cila gjithashtu kishte garuar për herë të parë në 2010 kishte marrë 9 mijë e 778 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2014, Albin Kurti e kishte rritur bagazhin e tij të votave për rreth 5 mijë, duke marrë 63 mijë e 602 vota, ndërsa Ramush Haradinaj kishte zvogëluar bagazhin për 4 mijë vota. Në 2014 ai kishte marrë 50 mijë e 388 vota.

Në 2014, për herë të parë kishte garuar në zgjedhje edhe Kadri Veseli. Ai mbante numrin 2 në listën e atëhershme të PDK-së dhe kishte marrë 54 mijë e 872 vota apo rreth 4 mijë vota më shumë se Ramush Haradinaj e rreth 9 mijë vota më pak se Albin Kurti.

Në anën tjetër Vjosa Osmani në zgjedhjet e 2014 kishte marrë 39 mijë e 912 vota. Ajo ishte rritur për 30 mijë në krahasim me zgjedhjet paraprake. Në 2014 Osmani kishte rreth 24 mijë vota më pak se Kurti, rreth 11 mijë më pak se Haradinaj, rreth 15 mijë më pak se Veseli dhe rreth 13 mijë më shumë se Fatmir Limaj.

Në zgjedhjet e 2014, Fatmir Limaj sapo ishte ndarë nga PDK dhe kishte vendosur të garojë i vetëm me partinë e tij të sapothemeluar NISMA. Ai kishte arritur të marrë 31 mijë e 431 vota.

Në anën tjetër në 2017, ndodhën bashkëpunime të çuditshme në skenën politike. Ato që sot quhen “koalicionet e natës”. Pak minuta para se të përfundonte afati i fundit i certifikimit të koalicioneve, PDK-AAK-Nisma nënshkruan koalicionin e njohur si PAN, e cila pastaj fitoi zgjedhjet dhe krijoji qeverinë.

Në këto zgjedhje, kandidatja që LDK e nxorri si kandidate për kryeministri, Vjosa Osmanin e kishte renditur të 81 në listën e kandidatëve për deputetë. Mirëpo Osmani kishte marrë rekord të votave në LDK. Ajo kishte siguruar 64 mijë e 147 vota, ndonëse ishte renditur poshtë në listën e kandidatëve.

Në anën tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kishte marrë më shumë se dyfishin e votave që ai i kishte pasur në 2014.

Kurti në 2017, kishte dalë kandidati më i votuar nga të gjithë duke marrë 143 mijë e 621 vota. Kurti kishte marrë rreth 41 mijë vota më shumë sesa kryeministri në largim, Ramush Haradinaj që kishte pasur 102 e 127 vota.

Ndërsa në raport me votat që Kurti i kishte marrë në 2014, rritje e tij ishte bërë për rreth 80 mijë vota.

Në anën tjetër edhe Haradinaj kishte arritur ta dyfishonte numrin e votave të tij, nga 50 mijë në pak mbi 100 mijë vota.

Numrin e votave e kishte rritur edhe Kadri Veseli. Veseli që ishte bartës i listës së koalicionit PAN kishte marrë rreth 130 mijë vota apo rreth 13 mijë më pak se Kurti. Mirëpo, në krahasim me 2014, Veseli ishte rritur për rreth 75 mijë vota.

Rritjen më të vogël të votave nga 2014 në 2017 e kishte pasur Fatmir Limaj. Ai ishte rritur për vetëm 5 mijë vota nga 2014 në 2017.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor.

Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe vet-shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Të hënën, me 26 gusht, presidenti Thaçi shpalli 6 tetorin si ditën e zgjedhjeve.