Kanceri i gjirit, një betejë që kërkon kujdes e kurajo

Muaji tetor, tashmë ka marrë epitetin e muajit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, e cila po merr përmasa të gjëra të përhapjes. Janë me qindra raste të reja vjetore, në nivel vendi që rezultojnë të dignostikuara.

Besa Hoxha – Beqiri, është një qytetare e prekur nga kjo sëmundje, dhe ka zgjedhur këtë muaj të jep një mesazh për të gjithë të atakuarit nga kanceri i gjirit.

“Keni besim në shërimin tuaj dhe jeni optimist nëse doni të keni sukses”, përçon ajo mesazhin e rëndësishëm nëpërmes KALLXO.com.

Hoxha – Beqiri, është diagnostikuar me kancer në vitin 2012 dhe tashmë vetën e quan mbijetuese.

“Po, unë jam mbijetuese e kancerit të gjirit”, thotë Hoxha – Beqiri.

E mbijetuara e sëmundjes së shpeshtë në Kosovë, por edhe gjithandej nëpër botë, thotë se, pos e rëndë, ajo është një sëmundje mjaftë sfiduese.

“Është sëmundje që kërkon vetëbesim dhe gjithashtu, që të kesh shpresë. Suksesi në mjekimin e saj, varet jo vetëm nga koha e zbulimit, terapitë, por edhe nga vullneti i vetë pacientit”, thotë ajo.

Raste të shpeshta të kancerit të gjirit në Kosovë

Shkalla e prekshmërisë së qytetarëve në Kosovë me këtë sëmundje, është goxha e lartë. Kështu thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi. Janë mbi 370 raste të diagnostikuarëve, në më pak se një vit.

“Nga tetori i vitit të kaluar e deri në shtator të këtij viti janë 370 persona që janë prekur nga kanceri i gjirit. Shumica nga ta janë në stadin e tretë dhe të katërt të sëmundjes”, thotë Kurtishi.

Pos te gratë, kjo sëmundje shfaqet edhe te burrat.

“Në këtë numër përfshihen edhe 6 burra të prekur me këtë lloj kanceri”, thotë ai për KALLXO.com.

Çështja e stadit të sëmundjes, për mësimdhënësen Hoxha – Beqiri është ndër etapat më të rëndësishme, megjithatë.

“Më e vështirë është koha e pritjes së rezultateve të biopsisë, me anë të së cilës e dinë se në cilën stad je, gjë që përcakton gjasat e mbijetesës”, thotë ajo.

E njëjta, në kohën kur ishte e prekur nga ky kancer, shumicën e shërbimeve i kryente në Kosovë, mirëpo rrezatimin i duhej ta kryente në Tiranë. Spitaleve të Kosovës, u mungonin asokohe aparatet e rrezatimit.

Ajo tregon se kjo ia vështirësonte dhe i mërziste edhe më shumë familjarët e saj. Fat më të mirë se Hoxha – Beqiri, kanë 370 pacientët e prekur nga kanceri i gjirit në 11 muajt e fundit.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë thotë për KALLXO.com se asnjë nga pacientët e fundit nuk është dërguar për shërim jashtë vendit.

“Të gjitha rastet janë trajtuar në Klinikën e Onkologjisë me të gjitha format e sofistikuara të mjekimit”, ka thënë Kurtishi duke treguar se edhe mjekimet e shtrenjta kryhen në këtë klinikë.

Kosto e lartë financiare e sëmundjes

Sëmundja e kancerit të gjirit, është e mundimshme, e rrezikshme për jetën por edhe ka kosto mjaft të lartë të trajtimit terapeutik. Kurtishi thotë se për trajtimin e disa rasteve të caktuara, shërbimet shkojnë edhe deri në 50 mijë euro.

“Këto trajtime shumë të veçanta dhe të kushtueshme aplikohen në Klinikën tonë e që sigurohen nga Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë i pari i Klinikës së Onkologjisë.

Gjithsesi, sipas Kurtishit, është një fat që Klinika që ai drejton, nuk ballafaqohet me mungesa të mëdha të medikamenteve.

“Ka kohë kur tri – katër ilaçe mund të mungojnë për dy – tri javë, jo më shumë”, nënvizon ai, duke shtuar se në periudha të caktuara të vitit furnizimi me barna të listës esenciale arrin deri 90% të nevojave.

Rikthimi i sëmundjes

Kanceri i gjirit kërkon një kujdes të vazhdueshëm, pasi jo rrallë ka raste kur ai rikthehet. Kështu i ka ndodhur edhe Lindita Sejdiu – Rugova, një gruaje që po përballet me sëmundjen.

Asaj kanceri iu përsërit pas 10 vjetësh, por në një formë tjetër.

“Mjekët mendojnë se është kthim i të njëjtit tumor dhe përsëri po e sulmojnë me terapi të ngjashme, sikur edhe më parë”, tha për KALLXO.com, Sejdiu – Rugova.

Gjithë terapinë ajo thotë se po ia siguron Ministria e Shëndetësisë.

“Terapitë kushtojnë shumë shtrenjtë dhe jam e lumtur që po i marr falas për momentin, meqë janë në listën e barërave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë”, thotë ajo.

Fat i mirë, megjithatë sipas Kurtishit është se rikthimi i sëmundjes, nuk është i shpeshtë.

“Janë dy – tri raste, nuk ka më shumë”, thotë ai.

Sejdiu – Rugova, udhëheqëse e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se kanceri i gjirit, është një sëmundje tinëzare.

“Ajo prek në momentet që nuk pritet. Nuk pyet për moshë e as për tip njeriu”, thotë Rugova, porse shton se tashmë e ka mësuar mënyrën më të lehtë për t’u përballur me këtë problem shëndetësor.

“Për ta mposhtur këtë sëmundje duhet të jesh e fuqishme dhe të kesh besim në vete. Unë për momentin po ia dal sepse kam besim në veten time. Kjo është rruga e vetme!”, thotë ajo.