Jo më “Qeveri Kineze”

Më 20 korrik 2011, në mbledhjen e 24-rt të Qeverisë Kryeministri i cili po e drejtonte mbledhjen, kaloi në pikën e pestë të rendit të ditës. Para se ta ftonte përfaqësuesin e ministrisë që të prezantojë propozimin e ministrisë së tij, Kryeministri ngrit kokën nga letrat që ka para vetes dhe shikon në drejtim të përfaqësuesit të ministrisë. Mundohet disa sekonda që të ia kujtojë emrin, por e ka të pamundur. Në fund dorëzohet dhe i drejtohet vetëm me “urdhëroni zoti zëvendësministër”.

Kryeministri nuk i njeh të gjithë zëvendësministrat me emër! Në një debat në televizionin publik më 2011, Kryeministri pyetet disa herë se sa zëvendësministra ka Qeveria e tij, por nuk pranon të japë përgjigje. Kryeministri nuk e di me saktësi sa zëvendësministra ka Qeveria e tij!

Më 2011, kur në kuadër të Institutit GAP po përgatisnim një raport për Projektligjin për Qeverinë, u përballëm me sfidën e parë: sa zëvendësministra ka Qeveria e Kosovës? Ky informacion nuk gjendej në vebfaqe të ministrive, andaj u detyruam të thërrisnim në telefon në çdo ministri për t’i pyetur se sa zëvendësministra ka në ministrinë tuaj? Në shumicën e rasteve na thuhej së për këtë duhet të bëjmë kërkesë me shkrim! E në disa raste tjera nuk morëm përgjigje. 

Atë kohë dhe tani, e vetmja mënyrë si të kuptosh numrin e zëvendësministrave është përmes leximit të deklaratave të pasurisë të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsion. Nga deklaratat e pasurisë në AKK, mund të nxirret një numër prej 39 zëvendësministrash, 5 zëvendëskryeministrash, 19 ministrash dhe një ministër pa portofol. Qeveria e Kosovës ka së paku 64 poste ministrore. Më shumë se gjysma e përbërjes së Kuvendit prej 120 anëtarëve.

Si erdhëm deri te ky numër i posteve ministrore? Thjesht, duke u munduar të sistemohen pa asnjë kriter të gjithë humbësit e zgjedhjeve në nivel lokal, apo kandidatët për deputetë, apo sistemimi i partnerëve të koalicionit. 

Përbërja e Qeverisë pasqyron një kaos kompetencash e përgjegjësish, keqpërdorim të parasë publike dhe shërben si ombrellë për zyrtarët e partive të akuzuar nga gjykatat për shkelje të ndryshme ligjore. Përveç që shpenzohen mijëra euro paga dhe mëditje për bartësit e pozicioneve ministrore, këta zyrtarë publikë shpenzojnë pa kontroll mjetet buxhetore për dreka zyrtare, karburant për vetura, telefona mobilë, udhëtime jashtë vendit, etj.

Nëse shikoni shpenzimet e zyrtarëve ministror për dreka zyrtare, të dhëna të prezantuara në platformën e GAP “Si i shpenzon shteti paret tona?” vëreni kurdisje të mëdha të faturave sa i përket shpenzimeve për dreka zyrtare. 

Në bazë të rregulloreve në fuqi, një ministër ka të drejtë të shpenzojë deri 500 euro në muaj në dreka zyrtare, zëvendësministri deri 200 euro, këshilltarët politikë deri në 100 euro në muaj. 

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për tetë muaj të 2011-ës kishte shpenzuar 499 euro. Kurse këshilltarët e tij politikë kishin shpenzuar 99.90 euro për muaj. Si mundet i njëjti person të shpenzojë shumën e njëjtë në dreka të njëjta për 12 muaj rresht? 

Ministria ka bërë kurdisje të faturave: nëse njëri anëtar i kabinetit ka shpenzuar më pak se anëtari tjetër, ministria nuk i ka kërkuar atij që ka shpenzuar më shumë që të paguajë nga xhepi i tij për shpenzimin, por ia ka marrë atij i cili ka shpenzuar më pak. Në këtë mënyrë barazohet ai që ka kursyer, me atë që ka shpenzuar pa kontroll.

E mora këtë shembull për të treguar se si kabinetet e shumta ministrore, përveç që nuk janë treguar më efikas në qeverisje, ata nuk janë treguar as të kujdesshëm ndaj parasë publike.

Këtë javë, Instituti GAP publikoi një analizë të detajuar, e cila propozon uljen e numrit të ministrive nga 19 në 13. Uljen e numrit të zëvendësministrave nga 39 në 13 apo më së shumti 20. Uljen e numrit të zëvendëskryeministrave nga gjashtë sa ishin në mandatin e kaluar, në vetëm një zëvendëskryeministër. 

Nëse do të merrej një vendim i tillë, vetëm për paga dhe mëditje dhe shpenzimet tjera të kabinetit qeveritar, brenda një mandati do të kurseheshin së paku 3.6 milionë euro. Andaj, kushdo që merr bekimin e Kuvendit për të formuar Qeverinë e re, duhet të fillojë me një përbërje qeveritare më ndryshe. Dhe që në muajt e parë të qeverisjes, duhet të dërgojë në Kuvend Projektligjin për Qeverinë, i cili kufizon numrin e posteve ministrore dhe ia kalon të drejtën Kuvendit të vendosë për numrin e ministrave dhe zëvendësministrave.

Përveç moskoordinimit dhe shpenzimeve të mëdha, Qeveria e Kosovës ka qenë edhe objekt batutash nga qeveritë tjera të rajonit. Më 2012, kryetari i Zagrebit, Milan Bandiq, ishte tallur me delegacionin kosovar të cilit i printe ish-ministri Dardan Gashi vetë i nënti. Bandiq u kishte thënë se “po dukeshin si qeveri kineze”.

Taksapaguesit kosovarë nuk duhet të paguajnë paga dhe shpenzime tjera përcjellëse për një Qeveri e cila nuk e argumenton aspak madhësinë e saj. Andaj, me qëllim të rritjes së efikasitetit në qeverisje dhe uljes së shpenzimeve publike, mandatari i Qeverisë së ardhshme do të duhej të udhëheqë një Qeveri dukshëm më të vogël. Një Qeveri në të cilën i njeh të gjithë me emër dhe gjithsecili ka një detyrë specifike për të përmbushur.