Ramadan Mutishi, Banor i Lagjes “Adem Voca”, Mitrovicë

Jetesa e vështirë në kohën e virusit

Pandemia e COVID-19 në Kosovë u shfaq më 13 mars të këtij viti. Që prej asaj kohe, u konfirmuan si të infektuar 2 mijë e 169 raste, 1 mijë e 47 pacientë të tjerë janë shëruar deri më tani ndërsa, 37 persona vdiqën.

Në fillim të shfaqjes së pandemisë, Qeveria e Kosovës pati marr disa masa, duke përfshirë edhe izolimin e qytetarëve. Kështu, shumë qytetarë ndërprenë edhe punën edhe angazhimet e përditshme. Kështu ndodhi edhe me qytetarët e komuniteteve Rom, Ashakli dhe Egjptian.

Ramadan Mutishi është mbajtësi i vetëm i familjes. Ai bën vetëm një punë, mbledhjen e metalit dhe plastikës nëpër kontejnerët e qytetit të Mitrovicës. Nga shitja e tyre, Mutishi blen ushqim për familjen e tij.

Por, që prej kur në vend u shfaq pandemia e COVID-19, ai thotë se nuk mund ta bëj më këtë punë.

“Unë jam vetë i katërti në familje, jam vetë i teti po fëmija janë martu, janë nda. Po hjekim na këtu në mahallë, skamje. S’ka pune, s’ka kurrgjë. Unë dal nëpër kanta nëpër bërllog, po kçyri naj kanaqe a diçka plastikë për me ble bukë”, thotë ai në një intervistë për KALLXO.com.

Mutishi thotë se rritja e pagesës në formë sociali e ka gëzuar pasi kishin mbetur pa punë që tre mauj. Ai pret që me rritje pagën e socialit ta merr edhe në muajit e ardhshëm.

“Na kemi nevojë prej shtetit me na rritë qitë rrogë pak, për ushqim se kallabllaku po të prishë. Veç bukë thatë nuk hahet, a po kupton, duhet me bo diçka, me zi a diçka…Një far ndihme kemi pas prej disa prej mahallës tonë a prej Qeverisë jo valla, veç do pare që na kanë rritë socialin, ia dijmë për faleminderit, prej 80 euro në 160 euro, që tre muaj i kemi marr”, thotë ai.

Ramadan Mutishi, Banor i Lagjes “Adem Voca”, Mitrovicë

Që prej kur në Kosovë u shfaq pandemia e COVID-19, më 13 mars, Qeveria të cilës i printe Albin Kurti, ka marr masa të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Krahas kufizimit të lëvizjes, Ministria e Financave kishte përgatitë një pako emergjente për tu dal në ndihmë qytetarëve të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se pakoja emergjente ka përfshirë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk ka bërë dallime etnike.

“Nga pakoja fiskale emergjente përfitojnë njësoj të gjithë qytetaret e Kosovës dhe pakoja Fiskale emergjente nuk ka për qëllim ndarjen e tyre në komunitete shumicë apo pakicë.

Përfitimi i qytetarëve të Kosovës nga kjo pako është varur sipas masave të caktuara me këtë pako.”, ka thënë ai.

Një raport i OSBE-së i cili pasqyron gjendjen e komuniteteve Rom, Ashakali dhe Egjiptian në Kosovë, e që është botuar në fillim të këtij viti, tregon se këto komunitete pranojnë ndihma nga shteti i Kosovës.

“Në mars të vitit 2019, 2,000 romë (813 burra, 1,187 gra), 3,581 ashkali (1,372 burra, 2,209 gra) dhe 947 egjiptianë (399 burra, 548 gra) kanë pranuar ndihmë sociale nga Prishtina”, thuhet në raportin e OSBE-së.

Gjatë tre muajve të parë të pandemisë, banorët e lagjes “Adem Voca” në Mitrovicë e cila është e banuar kryesisht me komunitetet jo shumicë, Rom, Ashakali dhe Egjiptian, patën problem edhe me furnizimin me barna dhe pajisje mbrojtëse.

Përfaqësuesi i kësaj lagjeje ka thënë se diaspora u kanë dërguar pako ushqimore. Mensur Islami ka kritikuar qeverisjen lokale por edhe atë qendrore për kujdesin për banorët e kësaj lagjeje.

“Me furnizimin e barnave, dorezave dhe maskave nuk na ka furnizuar kurrkush, as qeveria lokale as qeveria qendrore po ne vetë i kemi ble maskat jemi gjind diqysh. Kjo kuzhina është prapa meje, është një kuzhinë humanitare e cila financohet nga diaspora,. Nga komuniteti ashakli por kemi marr nga gjashtë bukë secila familje, na kanë dhanë kaqika, mish e ato çka duhet për një familje. Diaspora neve na ndihmon çdo muaj”, ka thënë ai.

Lagjja “Adem Voca”, Mitrovicë

Islami ka një kërkesë për institucionet kosovare, që mos të bëjnë ndasi ndërmjet komuniteteve që jetojnë në vend por të kujdesën për të gjithë njësoj.

“Kërkesa ime është që sa më shpejtë të angazhohen, edhe kuvendi komunal edhe ministria edhe komplet shefi i ekzekutivit, z. Avdullah Hoti, që mos të kçyrin njërën anë e të mshelin sytë në anën tjetër, nuk është ajo e duhura”, deklaron ai.

Edhe Enver Beqiri, banor i lagjes 28 në Fushë Kosovë, ka thënë se pandemia ia ka vështirësuar jetesën. Beqiri ka mirëpritur rritjen e ndihmës sociale nga Qeveria e Kosovës por ka thënë se ajo duhet të vazhdoj edhe muajve në vazhdim.

Enver Beqiri, Banor i Lagjes 28 në Fushë Kosovë

“Për ne është pak më vështirë se nuk kemi të ardhura, veç ndihmë sociale, anëtarë të familjes jemi bukur shumë, punë s’ka me dal nuk mundemi. Me mujt me na ndihmu pak më shumë që ka mundësi. I kemi marr ndihmat, pati me shku mirë kjo Qeveri, po çka ndodhi nuk e di. Ne jemi nevojtar më së shumti, se jemi pa punë, ne me këto blejmë ilaçe…”, ka thënë Beqiri për KALLXO.com.

Njëra nga Organizatat Jo-Qeveritare e cila është kujdes që tu dal në ndihmë komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas është Ballkan Sunflowers Kosova.

Muhamet Arifi, “Balkan Sunflowers Kosova”

nga kjo organizatë thotë se telashet e komuniteteve ishin të shumëfishta gjatë pandemisë.

“Nuk kanë mujt me punu punë ditore, punë fizike që kanë punu nëpër biznese apo kudo tjetër, nuk kanë mujt me dal nëpër semaforë, nuk kanë mujt me dal me mbledhë mbeturina e shumë sende tjera. Të ardhurat e tyre janë ndalu përnjëherë, në momentin kur janë ndalu të ardhurat u ka munguar edhe ushqimi pas një jave apo dy jave, nuk kanë pas mjete financiare dhe çmimet kanë hyp në formë drastike dhe nuk kanë mujt me u furnizua me ushqime bazike”, ka thënë Arifi.

Ai ka treguar edhe për ndihmat që janë bërë deri më tani por edhe ato që pritet të bëhen.

“Kemi shpërndarë, me ndihmën e donatorëve, KFOS-in, UNICEF-in, Ambasadën Gjermane, diku mbi 100 mijë euro ndihma humanitare, pako ushqimore e higjienike, ua kemi pagu diku 60 familjeve internet e kemi në plan edhe për 200 familje të tjera. Diku gati 1 mijë familje i kemi në plan për pako mësimore, fletore lapsa”, deklaroi ai në një bisedë për KALLXO.com.

Drejtuesi i organizatës Sunflowers Kosova ka thënë se janë në pritje që Qeveria e Kosovës të zbatoj një pikë të pakos emergjente e cila prek komunitet Rom, Ashakali dhe Egjiptian.

“Sa e di unë, Qeveria e Kosovës ka planifikuar me i nda 2 milionë euro për komunitetet jo shumicë, faktikisht unë nuk e di që dikush ka marr dhe ka shpërnda nga kjo pako. Ne ishim si organizatë në rrethin e ngushtë për me marr projektin, por ditën që u bë Qeveria e re, në ora 9:00, më thanë që kemi probleme teknike. Ne nuk e kemi nënshkruar kontraten. Çka do të bëhet në të ardhmen nuk e di”, vlerëson Arifi.

Në një bisedë për KALLXO.com, Elbert Krasniqi, deputet i Kuvendit të Kosovës i cili përfaqëson komunitetin egjiptian ka thënë se pandemia ishte vështirë për tu përballuar nga komunitetet Rom, Ashakali dhe Egjiptian.

“Pandemia ka krijuar probleme shtesë për komunitetet që jetojnë në Kosovë por edhe për komunitetin që unë përfaqësoj, atij egjiptian, jo vetëm të komuniteve në fakt, po për të gjithë ata që kanë qenë të lënë anash nga dora e shtetit, situata me pandeminë e ka vështirësuar jetesën e tyre. Pra, ata të cilët punojnë sot për tu ushqyer sot”, thotë deputeti Krasniqi.

Deputeti egjiptian ka lavdëruar masat e Qeverisë së kaluar për ndihmë ndaj rasteve sociale.

Ai tha se po presin që të zbatohet edhe pika e nëntë e pakos emergjente.

“Duhet me përmend ngritjen e asistencës sociale, ka qenë shumë e mirëseardhur dhe ka qenë shumë e shpjetë dhe shumë efektive. Pjesa e keqe është se jo të gjithë ata që kanë nevojë kanë mund të përfitojnë nga asistenca sociale për shkak të një ligji. Kemi masën e nëntë e cila është dedikuar drejtpërdrejtë për komunitete nuk kam informacione të sakta, deri ku është implimentu. E di që ka ardh një thirrje publike edhe jemi përkujdese që të haëtr por tash e tutje të shohim”, tha ai.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë. Kështu, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë në Kosovë, ashkalitë 0.89 për qind dhe egjiptianët 0.66 për qind.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.