Jeta Xharra Shpërblehet Për Promovim Të Grave (TV)

Jeta Xharra, drejtoresha e BIRN-it dhe moderatorja e Emisionit Jeta në Kosovë, ka fituar çmimin e parë për gazetari televizive, të ndarë nga UN Women, në bashkëpunim me Grupin për Siguri dhe Barazi Gjinore. 

Çmimi dedikuar grave u nda për nder të hapjes së fushatës së sivjetme të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Xharra ka marrë çmimin për emisionin e saj dedikuar sukseseve të regjisores shqiptare Blerta Zeqiri. 

Gazetarja Antigona Uka e ka marrë çmimin e dytë për storjen më të mirë të publikuar në gazetat e shtypura me artikullin “Përjashtimi i Femrës nga e Drejta e Pronës”, të botuar në revistën Teuta,  ndërsa çmimin e tretë për storjen më të mirë në mediat online e ka marrë gazetari Arbër Selmani, me artikullin “Kosova Pranon Paradë Homoseksualësh”, nga portali Zëri.

Fushata kundër dhunës në baza gjinore do të zgjasë nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.