Fjolla Muhaxhiri Agusholli

‘Jeta është e bukur’: Shkrimtarja kosovare me shikim të dëmtuar nuk njeh kufij

Jeta në Kosovë për personat me nevoja të veçanta mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë, mirëpo poetja me shikim të dëmtuar Fjolla Muhaxhiri Agusholli thotë se nuk do të dorëzohet.

Si e re, Fjolla Muhaxhiri Agusholli ishte një shkrimtare e spikatur dhe studente e farmacisë. Më pas, në moshën 20-vjeçare, e humbi shikimin.

“Tani jam një mbretëreshë e natës, e zhytur në mes të shkretëtirës”, shkruan Muhaxhiri Agusholli në përmbledhjen me poezi që vetë botoi këtë vit me titullin ‘Mbreteresha e Natës’.

17 vite më parë Fjolla zbuloi një ndërlikim të sëmundjes së diabetit dhe si pasojë, qysh atëherë, ajo ka mbetur e verbër. Më pas Fjolla ndaloi së daluri dhe “u ndje sikur jeta e saj kishte përfunduar dhe gjithçka ishte errësirë”.

Vetëm në vitin 2021 ajo e rizbuloi pasionin e saj për të shkruarit, kur Fjolla si 37 vjeçare, ishte në mesin e 11 autorëve me shikim të vështirësuar që do të botoheshin në ‘Rreshtat e Bardhë’ nga OJQ-ja “Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës”.

Një vit më parë, qeveria e Kosovës e shpalli vitin 2022 si vit të personave me nevoja të veçanta, ndonëse Fjolla thotë se pak ka ndryshuar në kuptim të përshtatjes së infrastrukturës dhe ofrimit të mundësive për punësim për personat me shikim të dëmtuar.

Tashmë një autore e botuar me një punë me orar të plotë duke paketuar ëmbëlsira për pastiçerinë e familjes së bashkëshortit të saj, Fjolla thotë se nuk pranon të kënaqet me më pak vetëm sepse nuk ka mundësi shikimi.

“Gëzoj të drejtën të jem këtu në këtë lokal, duke pirë një cigare dhe një kafe pa njerëz që pëshpëritin, më shikojnë dhe befasohen se si mund ta bëj këtë”- tha ajo për BIRN. “Nuk duhet të mbyllemi brenda vetëm pse nuk mund të shohim”.

Trotuar i bllokuar nga pengesa dhe makinat në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë

Të gjithë në mbështetje

Gjatë muajve të parë pasi humbi shikimin, Fjolla thotë se mezi dilte nga shtëpia e saj në Gjakovë. Megjithatë, ishte  shoqja e saj më e mirë ajo e cila kishte ide të tjera.

“Shoqja ime më i mirë kishte takuar një grup njerëzish, njëri prej të cilëve ishte i palëvizshëm dhe ishte i lidhur me karrige me rrota. Ajo i pyeti ata nëse do të ishin të gatshëm të takoheshin me mua në mënyrë që të kuptoja se jeta ime nuk ka marrë fund”- kujton Fjolla.

Takimi, megjithatë, rezultoi me diç më shumë sesa thjesht me ngritjen e humorit të saj.

“Kur e takova, ishte hera e parë qysh kur humba shikimin që nuk doja të shkoja në shtëpi. Nuk doja që nata të mbaronte”- thotë Fjolla për njeriun në karrigë me rrota të cilin e takoi atë natë. “Kemi qenë bashkë që atëherë”.

Burri i saj ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte luftuar gjatë luftës së Kosovës 1998-99, duke u plagosur në moshën 22 vjeçare dhe që atëherë nuk kishte mundur të ecë.

“Kur e takova për herë të parë burrin tim, isha në një situatë shumë të keqe, si në aspektin emocional ashtu edhe në atë mental. Nuk mendoja se mund të bëja asgjë”- thotë ajo. “Megjithatë vazhdova të mendoja, ‘Ai ia del edhepse është në një situatë më të vështirë se unë’”.

Rreth katër vjet pasi humbi shikimin, Fjolla udhëtoi për në Zvicër me bashkëshortin e saj për një kontroll mjekësor. Udhëtimi, thotë ajo, e shpërfaqi hendekun në cilësinë e jetesës për personat me shikim të dëmtuar ndërmjet Kosovës dhe Evropës Perëndimore.

“Ata ishin në gjendje të bënin gjithçka vetë dhe kishin ndihmën dhe infrastrukturën tashmë të krijuar nga shteti”- shton Fjolla.

“Në Kosovë, ndryshe nga sa kam parë në Zvicër, ne kemi vetëm ndihmën e familjes. Familja ime është në gjendje të bëjë gjithçka që të më dalë në ndihmë. Atje, shumica e njerëzve që takova me dëmtim të të shikuarit jetojnë të vetëm”.

Shqetësime të përditshme

Rrugët dhe infrastruktura publike e Kosovës janë dukshëm të vështira për t’u përshkuar, megjithatë njerëzit me nevoja të veçanta e kanë edhe më të vështirë lëvizjen përreth: qasja në platformë është e rrallë, pak kafene apo restorante janë përshtatur për nevojat e atyre që janë të lidhur me karrige me rrota dhe është pothuajse e pamundur të përdoret një shkop ecjeje për shumë gjatë në trotuare.

“Trotuaret në Gjakovë nuk i kanë pllakat e duhura që të mund të eci plotësisht vetë”- thotë Fjolla. “Semaforët janë në mungesë të zërit i cili do të na tregonte nëse mund ta kaloj rrugën apo jo”.

Në maujin dhjetor, një OJQ me seli në Kosovë për personat me shikim të dëmtuar i quajtur Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës, KGVK, prodhoi një video përmes së cilës tregoheshin vështirësitë me të cilat përballen njerëzit që kanë problem më të shikuar duke u përpjekur t’i përshkojnë rrugët në qendër të qytetit të Prishtinës. Gruaja në video nuk është në gjendje të ecë as disa metra me ndihmën e një shkopi ecjeje pa u ndeshur me ndonjë automjet të parkuar në trotuar, me në ndonjë objekt e ujërave të zeza ose me ndonjë semafor që nuk ka audiosinjale.

Dy muaj më parë, në vendimin e parë të këtij lloji në Kosovë, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi pjesërisht në favor të një rasti diskriminimi të ngritur nga Faruk Kukaj, i cili kishte lindur me paralizë cerebrale, duke i detyruar autoritetet lokale në kryeqytet që ta kompensojnë atë për kufizimet e vendosura mbi jetën e tij për shkak të dështimit nga ana e tyre për ta përshtatur qytetin me nevojat e personave që i përdorin karriget me rrota. Gjykata i dha urdhër qytetit tëPrishtinës që t’ia paguajë 5500 euro për dëm jo material.

Fjolla thotë se me përcaktimin e vitit 2022 si vit i personave me nevoja të veçanta, qeveria e ka subvencionuar punën praktike për persona të tillë, porse pak punëdhënës do të mendojnë ndonjëherë t’i punësojnë të njëjtit.

Fjolla shton se e ka shfrytëzuar këtë rast për të aplikuar për punë praktike në farmaci, në përputhje me shkollimin e saj.

“Ishin të befasuar që një i verbër mund të punojë në një farmaci”- kujton ajo. “U shpjegova atyre se shumica e ilaçeve kanë shpjegime në transkript dhe ka disa gjëra që mund t’i bëj pavarësisht”.

Një farmaci më në fund pranoi ta merrte Fjollën si praktikante, mirëpo deri atëherë Fjolla tha se ajo ndihej e padëshiruar. “Kështu që fillova punën në një pastiçeri të njohur të familjes së burrit tim”- shton ajo. “I paketoj tortat për dorëzim dhe më pëlqen shumë. Është ndjenjë e mirë kur shkon në punë dhe flet me kolegët si gjithë të tjerët”.

Publikimi i poezisë së saj ka qenë qershia mbi tortë. Tani ajo po e shkruan romanin e saj të parë.

“Jeta është e bukur”- ka thënë Fjolla, “dhe kemi të drejtë ta jetojmë atë”.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.