Jehonë e Shfaqjes mbi Persekutimin e Gejëve nga Nazistët

Për Alban Ukajn vështirësia e vetme për ta puthur një aktor tjetër mashkull në skenë në shfaqjen “Bent” ishin mustaqet e trasha të Radovan Vujoviqit.

“I urrej ato mustaqe të Radës,” bënte shaka Ukaj, duke iu referuar aktorit që luante rolin kryesor, Maks.

Por kjo vepër, e luajtur në Teatrin Oda në Kosovë, vend ky ku homofobia vazhdon të jetë e rrënjosur, ishte e jashtëzakonshme dhe e guximshme.

Ukaj, shqiptar i Kosovës që jeton në Sarajevë, tha se nuk shqetësohet për reagime të ashpra meqë “teatri nuk përbën rrezik për radikalët.”

Shfaqja e“Bent” për dy natë, më 21 dhe 22 janar, nuk ishte lajmëruar në publik. Audienca e përzgjedhur me kujdes i dha premierës duartrokitje e brohoritje të furishme.

Duartrokitjet që i mori shfaqja mbi persekutimin e gejëve në Gjermaninë naziste ishte në kontrast me reagimin jo edhe aq miqësor ndaj lansimit të publikuar gjerësisht të revistës për seksin të Kosovo 2.0 në dhjetor 2012.

Lansimi ishte sulmuar nga grupe islamikësh dhe huliganësh sportivë, ndërsa ahengu i një organizate LGTB ishte vënë nën shënjestrën e tyre fundjavën vijuese.

Shkruar nga dramaturgu amerikan Martin Sherman dhe shfaqur për herë të parë më 1979, shfaqja “Bent” u performua për audiencën e Prishtinës në gjuhën serbe, me titra në shqip dhe anglisht.

Ajo paraqet historinë e Maksit, një djaloshi gej në Berlin dhe përpjekjet e tij nga persekutimi dhe dashuria.

Andrej Nosov, i cili fillimisht ishte regjisor i shfaqjes në Beograd, shmangu skenat eksplicite seksuale. Në vend të kësaj, u përqendrua në “lidhjen ndërmjet njerëzve.”

“Kjo shfaqje është histori dashurie. Dashuria është gjëja më e rëndësishme. Ajo është e polarizuar dhe ne duhet të kemi të drejtë të dashurojmë,” tha Nosov.

“Ne gjithmonë mendojmë për seksin, jo për lidhjen. Ka më shumë se vetëm pamja e trupave në skenë,” shtoi ai.

Fakti që komunitetet LGBT vazhdojnë të jenë të shtypura dhe në shënjestër në ish Jugosllavi ka disa paralele me atë që kanë përjetuar gejët në Gjermaninë naziste, gjë që e bën këtë shfaqje teatrale edhe më relevante, pohon Nosov.

Homofobët në Gjermani në vitet e 1930-ta dhe 1940-ta dhe ata në Ballkan në ditët e sotme “i kanë të njëjtat ide”, shtoi ai.

Nosov tha se ishte i vendosur që ta drejtojë këtë shfaqje, pavarësisht mosmiratimit që mund ta hasë. “Do ta vazhdoj këtë shfaqje dhe ju mund të bëni çfarë të doni. Vetëm se dilni përjashta,” tha ai.

Pas drejtimit të shfaqjes në Beograd, ai tha se Prishtina ishte lokacioni i natyrshëm i radhës, duke bërë thirrje për më shumë këmbime kulturore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, posaçërisht ndërmjet të rinjve.

“Ne mund të bëjmë më shumë dhe të jemi më të mirë në këmbimin e informatave, posaçërisht ndërmjet njerëzve që kanë lindur pas luftës, të cilët nuk e njohin njëri-tjetrin dhe të cilët vetëm mendojnë se janë armiq,” tha ai.