Janez Jansha, mareshali paranojak slloven i Twitter-it

I fiksuar – ashtu sikurse aleati i tij Donald Trump – me një shtet brenda një shteti që do ta shkatërrojë atë, Kryeministri Slloven është po aq i varur sa edhe Trump nga mediat sociale – duke e parë atë si një platformë të përsosur për të përçuar pikëpamjen e tij konspirative të një bote armiqësore.

 

Gjatë kohës kur rezultati final i zgjedhjeve presidenciale të SHBA ishte ende i panjohur, Kryeministri i krahut djathtist të Sllovenisë, Janez Jansa, përmes Tëitterit përgëzoi Donald Trumpin për fitoren.

Duke vepruar kësisoj, Jansha jo vetëm që legjitimoi diskursin e vetë Trumpit – se zgjedhjet janë legjitime vetëm nëse ai i fiton ato – por gjithashtu provokoi reagime të dhunshme si në Slloveni ashtu edhe jashtë saj.

Por nëse shumë organizata ndërkombëtare dhe politikanë janë të tmerruar nga metodat e komunikimit të Kryeministrit Slloven, në Slloveni, qytetarët atje ndjehen më të befasuar. Stili i tij i udhëheqjes bazohet në supozime të gabuara dhe teori konspirative, të cilat në një botë post-reale politikanë si Trump dhe ai mund të gjejnë strehë.

Për të kuptuar stilin e udhëheqjes së Jansha, dhe posaçërisht komunikimet e tij në Twitter, ne duhet të rikthehemi në kohë në vitin 1991, kur Sllovenia fitoi pavarësinë po atë 1991, kur Jansha ishte një nga protagonistët kryesorë të reformës së sistemit të atëhershëm socio-politik.

Edhe atëbotë, ai besonte se vetëm ai mund të udhëhiqte kombin dhe të krijonte alternativën ndaj trashëgimisë së regjimit komunist Jugosllav. Por, pasi ishte anëtar i ish Lidhjes qeverisëse të Komunistëve, ai donte të hiqte qafe këtë etiketë dhe të gjitha lidhshmëritë negative që do ta bënin atë pjesë të ish sistemit – sa më shpejt aq më mirë.

Problemi që u shfaq si pasojë e kësaj ishte se Jansha kurrë nuk kishte pasur një vizion të qartë të tij për transformimin e institucioneve shoqërore dhe politike. E tëra që ai dëshironte ishte pushteti dhe kjo mbizotëroi mbi nevojën për të krijuar kushte për transformimin demokratik të shoqërisë.

Pavarësisht se pjesën më të madhe të karrierës së tij politike e kishte kaluar në stolin e opozitarit, ai është bërë Kryeministër tri herë. Por, qoftë si deputet i opozitës apo si Kryeministër, Jansha nuk ka ndryshuar kurrë stilin e tij të komunikimit në Twitter.

Jansha përfshihet çdo ditë me politikanë, reporterë, intelektualë dhe madje edhe me qytetarë të zakonshëm që guxojnë ta kritikojnë atë dhe partinë e tij. Ai i fyen reporterët femra nga televizioni publik kombëtar, tërheq kolumnistë të pavarur nëpër gjykata dhe në të njëjtën kohë themelon mediat e tij, në mënyrë që ato të raportojnë për të vërtetën e tij.

Duke nxitur fyerje në Twitter ndaj atyre që nuk pajtohen me pikëpamjet e tij, ai shumë kollaj përdor gjuhë urrejtjeje.

Shumica e cicërimave (tweet-eve) të tij shfaqen si përgjigje ose reagim ndaj diskursit dominant në shoqëri. Është një mënyrë e artikulimit politik të një njeriu që e sheh veten si të nënprivilegjuar, ose siç e përshkruan ai vetë, “të klasit të dytë”.

Praktikisht i gjithë komunikimi i tij në Twitter përfaqëson një prapakthim – antitezën e parimeve humaniste të dijes racionale, të justifikuar, të provuar dhe të bazuar në shkencë.

Cicërimat e tij përfaqësojnë një rrëfim të formuluar artificialisht të ndërtuar me synimin për të interpretuar një ngjarje ose një seri ngjarjesh si rezultat i përpjekjeve të fshehta të një grupi njerëzish të cilët Jansha, ashtu sikurse Trump, i quan “shtet brenda shtetit”.

Teoritë e tij të konspiracionit adresojnë elementet më paranojake të shoqërisë. Ato synojnë të prodhojnë në shoqëri një mosbesim të përgjithshëm dhe paranojë që do të justifikojë zbatimin e masave ekstreme për të zgjidhur situata krizash – mbylljen e kufijve, delegimin e kompetencave policore tek ushtria, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, etj.

Ky koncept është i pajtueshëm me një ideologji nacionaliste të bazuar në emocione irracionale – pakënaqësi dhe frikë ksenofobike nga ajo që Jansha e percepton si një kërcënim – migrimi, zhdukja e kombit ose humbja e identitetit.

Jansha shpesh ricicëron mesazhet e organizatave të ndryshme nacionaliste që po përpiqen të ndryshojnë të kaluarën antifashiste dhe i shpallë si heronj kombëtarë individët që shtrëngojnë duart dhe bëjnë fotografi me fashistët. Monopoli i tij i afërt i pushtetit politik i mundëson atij të instrumentalizojë të gjitha institucionet e rëndësishme shoqërore, nga policia dhe gjykatat deri tek mediat. Ai angazhohet publikisht me përfaqësuesit e këtyre institucioneve në Twitter.

Ai është i bindur për misionin e tij historik – një përballje finale me shtetin brenda shtetit që e lidh atë me njerëz nga ish-regjimi komunist. Ligjërimi i tij të kujton atë të Trump dhe për të cilin betohen edhe miqtë e tij të Evropës Lindore, Viktor Orban i Hungarisë, udhëheqësi çek Andrej Babish, Mateusz Morawiecki i Polonisë dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë.

Qëllimi i tij politik është ta vendosë Slloveninë pranë Grupit të Vishegradit – Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke – pasi vetëm në një shoqëri të tillë Jansha mund të veprojë siç vepron në Twitter.

Shumica e cicërimave të Janshas burojnë nga mashtrimet e tij personale dhe mohimet e vazhdueshme të përgjegjësisë së tij. Gjithçka që i ndodh, ai e sheh kryesisht përmes pozicionit të një viktime në rrezik të shkatërrohet nga forcat e një shteti brenda shtetit.

Këto besime të rreme u japin kuptim ngjarjeve dhe veprimeve përtej kontrollit të njeriut.  Metoda e tij e udhëheqjes ndërlidh ngjarjet e rastësishme si të para-planifikuara, duke injoruar rastësinë dhe pasojat e padëshiruara të vendimeve politike dhe ngjarjeve shoqërore.

Ai kërkon të fajësojë situatën rreth Covid-19 ndaj opozitës dhe medias kryesore, e cila, sipas tij, i nxiti njerëzit të shpërfillnin masat e marra nga qeveria e tij.  Sikur të mos pritej një “valë e dytë” e epidemisë, duke pasur parasysh situatën me sezonin e verës në Slloveni dhe jashtë saj.

Ai i komunikon masat për të përmbajtur krizën e Covid-19 në Twitter.  Argumenti i tij, që Twitter është një platformë e përshtatshme për të marrë informacione të shpejta, nuk është plotësisht bindës, pasi Jansha ka bllokuar shumë të tjerë në Twitter, zakonisht ata që përpiqen ta konfrontojnë atë për pasojat e veprimeve të tij.

Ai etiketon politikanë dhe figura tjera publike të cilët fusin hundët në cicërimat e tij si sulmues që e kërcënojnë atë dhe në mënyrë rutinore e thërret avokatin e partisë për ndihmë, përsëri në Twitter, duke u kërkuar nga ata që të ngrenë padi.

Pse Jansha preferon këtë lloj komunikimi?  Ai i poston cicërimat e tij kundër një sfondi me agresivitet, frikë, duke u ndjerë i pafuqishëm dhe të kërcënuar, të gjitha këto e kanë karakterizuar atë që prej shumë kohësh në të kaluarën.

Ai e konsideron veten më superior sesa njerëzit e tjerë.  Formulimi i paaftësisë midis politikanëve të tjerë i nënshtrohet supozimit se ai vetë është më kompetenti. Dhe mbështetësit e tij e besojnë këtë.

Kulti i personalitetit të udhëheqësit në këtë rast u shfaqet mbështetësve të tij në formën e një shpëtimtari, i përgjegjshëm ndaj të gjitha dëshirave, frikës dhe zhgënjimeve të tyre. Në të njëjtën kohë, Jansha përpiqet vazhdimisht të zvogëlojë zhgënjimet e tij duke treguar, sipas tij, pjesët malinje (të këqija) të shoqërisë, e të cilat, sipas tij, janë fajtore për dështimin e tij.

Cicërimat e Janshas kanë funksionuar veçanërisht mirë gjatë krizës së Covid-19, një fenomen i paqartë për njerëzit, nga i cili njerëzit kanë frikë.

Slogani me të cilin ai përpiqet ta gozhdojë përgjegjësinë e tij mbi të tjerët është se “njerëzit po vdesin”.  Për shkak se kjo duhet të parandalohet në çdo mënyrë të mundshme, qëllimi justifikon mjetet. Faji u transmetohet të tjerëve, por kur situata përmirësohet pak, Jansha shpall fitoren ndaj virusit në Twitter.

Andaj, cicërimat e tij e sigurojnë një pjesë të caktuar të popullsisë me një shpjegim të thjeshtë, një jetë të sigurt dhe të parashikueshme të menaxhuar nga forcat e padukshme të shtetit mbi shtetin të cilat, nëse ekspozohen për atë që janë dhe çfarë bëjnë, do të zgjidhnin shumë probleme.

Kjo logjikë, sipas së cilës Jansha duhet të jetë gjithmonë fituesi, ndërsa të gjithë të tjerët janë humbës, është një postulat themelor në metodën e tij të udhëheqjes.  Shumica e cicërimave të tij e ndjekin të njëjtën retorikë.

Kuptimi i Janshas për politikën është i ngjashëm me atë të Trump.  Ai pretendon të jetë një demokrat i madh, por dëshiron që vetëm votat që ai merr të numërohen në zgjedhje.  Ai natyrshëm ka pranuar, pa hezitim, pretendimin se demokratët donin ti vidhnin zgjedhjet në SHBA.

Ai asnjëherë nuk e shtroi pyetjen pse dikush dëshiron ti vjedhë zgjedhjet. Supozimi i tij është se njerëzit janë të çoroditur dhe duan ta shkatërrojnë atë.  Ai vetë është i aftë ta mposhtë Covid-19, por po pengohet nga opozita dhe media;  ai mund ta shëndrrojë Slloveninë në një Zvicër të dytë, mirëpo janë forcat e shtetit mbi shtet ato që nuk e lejojnë ta bëjë një gjë të tillë.  Me fjalë të tjera, ajo që Jansha sheh tek të tjerët nuk është asgjë tjetër përveçse vetes së tij – Janez Janshes.

 

Dr. Alem Maksuti është politolog nga Lubjana, Slloveni.

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.