Grafika: Rrahman Ramaj/KALLXO.com

Janar - nëntor 2022, 1.1 miliard euro remitanca nga diaspora në Kosovë

Nga janari deri në nëntor të vitit 2022, remitancat apo dërgesat e mërgimtarëve në Kosovë kaluan 1.1 miliard euro përkatësisht 1 miliard e 102 milionë euro.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve apo 642.3 milionë euro në Kosovë erdhën nëpërmjet agjencive për transferimin e mjeteve që në dërgesën e përgjithshme bëjnë pjesë me mbi 58 për qind, nëpërmjet kanaleve tjera të dërgimit, në Kosovë erdhën 273.4 milionë euro me një pjesëmarrje rreth 25 për qind dhe në një masë më të vogël vetëm rreth 186.9 milionë euro janë dërguar përmes bankave me një pjesëmarrje prej 17 për qind.

Sipas të dhënave preliminare të BQK-së, për njëmbëdhjetë muajt e vitit 2022, vlerë më e lartë mjeteve të dërguara është regjistruar në muajin gusht me 131.6 milionë euro përderisa vlerë më e ulët evidentohet në muajin janar me 70.5 milionë euro.

Në Kosovë mesatarisht erdhën 100.3 milionë euro çdo muaj.

Në raport me njëmbëdhjetë muajt janar-nëntor të vitit 2021, remitancat kanë shënuar rritje rreth 5.5 për qind, shprehur në vlerë i bie që remitancat janë rritur për 56.8 milionë euro më shumë.

Nga viti 2008 kur edhe Kosova e shpalli pavarësinë e saj deri në vitin 2021, diaspora ka dërguar mbi 9 miliardë e 884.4  milionë euro në Kosovë.

Nga 9.8 miliardët e dërguara, nëpërmjet bankave në Kosovë erdhën 1 miliard  e 757.6 milionë euro,  4 miliardë e 763.2 milionë euro erdhën nëpërmjet agjencive për transfere dhe 3 miliardë e 363.5 milionë euro të tjera përmes kanaleve tjera të dërgimit.

Vlerë më e lartë e mjeteve u regjistrua në vitin 2021 me 1 miliard e 153.4  milionë euro ndërsa në vitin 2011 evidentohet vlera më e ulët e dërgesave me 492.5 milionë euro.

Mesatarja e remitancave apo dërgesave nga diaspora në Kosovë, nga viti 2008 deri në vitin 2021, është 706 milionë euro.

Kujtojmë se në muajin shkurt të vitit 2015-të, filloi përdorimi i IBAN-it [International Bank Accout Number], në Kosovë ku qëllimi kryesor është të zvogëlojë rrezikun e gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare.

Gjithashtu IBAN lehtëson pagesat ndërkombëtare në Kosovë duke iu mundësuar bankave të jashtme identifikim më të qartë të saktësisë së llogarive bankare në Kosovë.

Në regjistrin zyrtar të IBAN, Kosovë bën pjesë në mesin e vendeve të tjera të botës që përdorin IBAN-in.