Jahtin që Kosova S’e Lë të Lundrojë

Përderisa në Shqipëri qytetarët nuk mund të kenë jahte për shkak se këtë e ndalon ligji, në Kosovë nuk ka fare legjislacion që do ndalonte apo lejonte që të regjistroheshin mjetet lundruese.

Për këtë vakum zyrtarët kompetentë nuk kanë qenë fare në dijeni deri momentin kur para dyerve të tyre ishte shfaqur një qytetar i cili kërkonte që jahti i tij të regjistrohej në Kosovë.

Pas 40 vitesh punë, Fran Markaj nga komuna e Gjakovës kishte dalë në pension në Zvicër dhe menjëherë pas kësaj filloi ta realizojë dëshirën e tij – që ta kalojë pleqërinë në Kosovë.

Jeta në Zvicër i ka siguruar atij një pleqëri të kamur, me një shtëpi të bukur, një makinë, e madje edhe një mjet lundrues – jaht, të cilën shumë njerëz e kanë ëndërr ta kenë në pronësi.

Edhe pse e posedon jahtin e vogël, Markaj nuk ka mundur që për këto dy vite ta nxjerrë atë në lundrim për shkak të mungesës së regjistrimit.

“I ka dy vite që unë e kam paguar doganën dhe TVSH-në. Kur e kam sjellë, kam pyetur në doganë. Ata më kanë thënë se lejohet me e sjellë në Kosovë një jaht dhe unë e kam sjellë dhe për të kam paguar rreth 1300 euro doganë”, thotë Markaj.

Pas pagesës së doganës, Markaj kishte shkuar në qendrën e regjistrimeve të automjeteve, ku kishte kërkuar që ta regjistronte jahtin në emër të tij ashtu siç regjistrohet në shumicën e vendeve të botës.

Po në qendrat e regjistrimit në Pejë dhe Gjakovë, Markaj nuk mori përgjigjen që priste. “Më thanë se nuk dinë si ta regjistrojnë jahtin sepse nuk u ka rënë asnjëherë ta bëjnë këtë”.

Ai tregon se për këtë çështje ka ardhur edhe në Prishtinë për të kërkuar llogari nga zyrtarët shtetërorë.

Njëjtë, edhe zyrtarët qeveritarë e kanë shfaqur habinë e tyre me kërkesën e tij.

“Më kanë thënë që për ne kjo punë është e panjohur”, tregon Markaj.

foto  
Jahti në shtëpinë e Markajt, në Korenicë, Gjakovë  

 

Në kontatk me zyrtarët qeveritarë, gazeta ka mësuar se tek pas kërkesës së z.Markaj qeveria ka filluar të mendojë të hartojë një bazë ligjore e cila do ta rregullonte këtë çështje.

Sebahate Muharremi, shefe e qendrës së regjistrimit të automjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se kanë pranuar një kërkesë nga qytetari por në mungesë të bazës ligjore nuk kishin njohuri se si ta regjistronin jahtin.

 “Ne nuk kemi bazë ligjore dhe nuk dimë çfarë targash t’i japim”, thotë Muharremi.

Sipas saj, qendrat e regjistrimit të automjeteve punojnë në bazë të ligjit për sigurinë në komunikacion dhe në bazë të udhëzimit administrativ për regjistrimin e automjeteve.

“Me ligjin për siguri në komunikacion nuk është e paraparë askund regjistrimi i anijeve. Kemi biseduar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe tani është duke u bërë plotësimi i ligjit dhe sa jam unë e njoftuar kjo do përfshihet në këtë draftim të ligjit”, thotë Muharremi.

E derisa ky draftim ligji nuk mund të ndodhë të paktën deri në sesionin e ardhshëm të Kuvendit i cili fillon punën në shtator, Fran Markaj mund ta vozis jahtin e tij vetëm në oborr pasi që nuk mundet ta nxjerrë atë as jashtë shtetit për shkak se jahtin e ka çregjistruar në Zvicër dhe për momentin nuk ka asnjë lloj targe.

Mungesa ligjit është e habitshme për Markajn. Ai thotë se shteti duhet t’i ketë të gjitha ligjet pa marrë parasysh se a ka det Kosova a jo. Zvicra, thotë ai, e cila po ashtu nuk ka det, e ka një ligj i cili lejon regjistrimin e jahteve.

Mirëpo, regjistrimi i mjeteve lundruese nuk është problem vetëm për Kosovën. Shqipëria para disa vitesh ka nxjerrë një moratorium i cili ua ndalon shtetasve të saj të kenë jahte dhe skafe për shkak të kontrabandës e cila rrezikon të zhvillohet me Italinë.

Atje, megjithatë, mund të lundrojnë jahtet e shtetasve të huaj, përfshirë këtu edhe ai i z.Markaj, normalisht nëse ai do mund ta regjistronte varkën e tij…