Jahjaga Takon në Washington Drejtoreshën e FMN-së

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentes, Jahjaga ka theksuar se ndihma e FMN-së për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme dhe programet e këtij institucioni financiar, së bashku me ato të partnerëve të tjerë, kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin si dhe qëndrueshmërinë financiare.

Ajo tha se nënshkrimi i marrëveshjes stand by me FMN-në do të ndihmojë në përkrahjen e programeve ekonomike të Kosovës që do të mundësojë qëndrueshmërinë fiskale, duke mbështetur mekanizmat dhe politikat e nevojshme.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal. 

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e tyre duke krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politik që mundëson procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ajo tha se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në miratimin e ligjit për bankat dhe mikrofinancat.   

Presidentja Jahjaga dhe zonja Lagarde biseduan edhe për konferencën ndërkombëtare për rolin e gruas në shoqëri, që do të mbahet në Prishtinë.

Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde duke e mirëpritur vizitën e presidentes Jahjaga në selinë e institucionit që drejton, tha se FMN-ja dhe Kosova po shënojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme, thuhet në komunikatën e shtypi, të lëshuar pas takimit.

Ajo tha se Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale. Ajo theksoi se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për  Kosovën në projekte të ndryshme dhe u interesua edhe projektet në fushën e energjetikës. Zonja Lagarde theksoi se  nismat rajonale janë të rëndësishme meqë do të mundësonin zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.