Jahjaga Pret Guxim nga Nikoliqi

(E plotësuar)

Në një deklaratë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, Zyra e Presidentes së Kosovës thotë se zgjedhja e një presidenti të ri në Serbi është zgjedhje e popullit të Republikës së Serbisë, zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore.

Presidentja Jahjaga thekson se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe sovrane që kanë pasur një të kaluar të rëndë, por ka shfaqur besimin se do të dinë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e të dy vendeve.
 
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i bën thirrje presidentit të sapozgjedhur të shtetit fqinj Serbisë, ta bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë; ta gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.

Kjo, sipas presidentes Jahjaga, do të ndihmonte që të dyja shtetet e pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, të ecin në rrugën e integrimeve evropiane dhe që popujt e të dyja vendeve të përcaktohen për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet.

Kosova Nuk Ndryshon Qasjen Ndaj Serbisë

Kosova, të gjitha raportet me Serbinë, i ka pasur përmes Bashkimit Evropian, prandaj edhe me lidershipin e ri në vendin fqinj, qasjen do ta ketë të njëjtë.

Kështu ka thënë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë në Qeverinë e Kosovë, Mimoza Kusari-Lila, në një deklaratë për Gazetën Jeta në Kosovë, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, ku votuesit i dhanë besimin ish-radikalistit Nikoliq, para Tadiqit, i cili konsiderohej më pro-evropian.

Por, në raport me Kosovën, sipas Kusarit, qasja e Nikoliqit dhe e Tadiqit pak ka ndryshuar. “Mendoj se fitorja e tij, është më shumë si rezultat i proceseve brenda Serbisë, sidomos në raport me situatën ekonomike, e më pak me atë politike. Lidershipi i Serbisë, do të jetë më me ndikim për popujt që jetojnë në Serbi, sesa në raport me Kosovën ata kanë pasur një diferencë shumë më të vogël”.

Kusari thekson se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në proceset dhe në vlerat e përgjithshme evropiane, të cilat i ka pasur gjithmonë si standard, “pa marrë parasysh se kush është lidership i Serbisë”.

Sidoqoftë, Kusari do të donte që, në të ardhmen, në Serbi të ekzistonte një përkrahje më e madhe pro Bashkimit Evropian.