Jacobson: Serbisë i Duhet ta Pranojë Realitetin

Ambasadorja Tracy Jacobson ka thënë se dialogu i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,
nëse hyhet me qëllime të mira, mund të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, gjë që është e rëndësishme për stabilitetin rajonal.

Ajo ka theksuar se kjo është e rëndësishme për të forcuar përparimin që është arritur deri tash dhe është e rëndësishme për të vënë bazën e vazhdimit të zhvillimit ekonomik, si dhe për përpjekjet e të dy vendeve për të lëvizur në rrugën e tyre evropiane. “Po ashtu është e rëndësishme që të zbatohen marrëveshjet e arritura më herët”, ka thënë Jacobson, në intervistën që e plotë transmetohet të premten në mbrëmje në Radio Televizionin Publik të Kosovës.

Ambasadorja Jacobson ka folur është për veriun, të cilin e ka vizatuar të enjten. “Mendoj se zgjidhja e vërtetë për veriun do të përfshijë edhe Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Ahtisaarit, i cili me të vërtetë garanton shumë të drejta për serbët në Kosovë, duke përfshirë edhe të drejtën për ulëse në Kuvend dhe të drejtën për edukim në gjuhën serbe me kurrikulë serbe; të drejtën për të marrë pjesë në përzgjedhjen e policisë dhe këto të drejta nuk janë vetëm në Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit, por edhe në ligjet kosovare. Pra, kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Serbisë do t’i duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur që ka sovranitet mbi tërë territorin e saj.

Ambasadorja amerikane ka folur edhe për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sipas saj, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është e arritur e rëndësishme historike për Kosovën dhe Kosova duhet përgëzuar për të gjitha të arriturat e saj.

“Prandaj, është diçka që duhet kremtuar, por po ashtu kjo është edhe shenjë e nivelit të ri të përgjegjësisë për Qeverinë e Kosovës, e cila do të duhet të vazhdojë të zhvillojë institucionet e saj për të ofruar një mjedis që garanton tolerancë dhe demokraci shumetnike për tërë popullin e saj”, ka theksuar ambasadorja e SHBA-së, e cila mori detyrën këtë muaj.