Izraeli u siguron vaksinën aleatëve të largët ndërkohë që palestinezët presin

Një vendim i qeverisë izraelite për të dërguar mijëra vaksina rezervë të koronavirusit tek aleatët e huaj ka ringjallur një debat të gjerë rreth përgjegjësive të Izraelit ndaj banorëve të cilët jetojnë brenda shtëpisë së saj: palestinezëve të cilët jetojnë nën okupimin e shtetit Izraelit.

Në vend se këto vaksina të përdorën për popullin izraelit, ato do të shkojnë për shtete të tilla si Republika Çeke dhe Hondurasi të cilat i janë zotuar Izraelit se do t’i zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, shkruan e përditshmja amerikane, New York Times.

Ditë më parë, qeveritë e Republikës Çeke dhe Hondurasit konfirmuan se Izraeli u kishte premtuar nga 5,000 doza vaksine të prodhuara nga kompania “Moderna” për secilën nga këto dy vende ndërkohë që mediat izraelite po ashtu bëjnë të ditur se edhe Hungarisë dhe Guatemalës do t’u dërgohet një numër i ngjashëm vaksinash kundër koronavirusit.

Në një garë që ka si qëllim shpërfaqjen e ndikimit të tyre sa më të madh në Azi, Kinë dhe Indi shumë shtete relativisht të forta u kanë dhuruar mijëra doza vaksinash shteteve të tyre fqinje. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të njëjtën gjë për aleatin e saj, Egjiptin. Javën e kaluar, Izraeli premtoi të blinte dhjetëra mijëra doza në emër të qeverisë siriane, një armik i vjetër i saj, në këmbim të kthimit të një civili izraelit të ndaluar në Siri.

Këto donacione janë shembulli i fundit i një shprehjeje të re të fuqisë së butë: diplomacia e vaksinave, në të cilën vendet e pasura me vaksina kërkojnë të shpërblejnë ose të shkaktojnë lëkundje tek ato që kanë pak qasje në vaksina.

Vaksinat e dhuruara ditë më parë për shtetet e Hondurasit dhe Republikës Çeke, janë dhënë pa kushte mirëpo në heshtje ato do të përdoren si një lloj shpërblimi për gjestet më të fundit nga këto vende të cilat në mënyrë eksplicite e pranojnë sovranitetin Izraelit në Jerusalem, të cilin si izraelitët ashtu edhe palestinezët, e konsiderojnë si kryeqytetin e tyre. Guatemala e ka zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Hondurasi është zotuar ta bëjë të njëjtën. Hungaria ka ngritur një mision tregtar në Jerusalem, ndërsa Republika Çeke ka premtuar të hapë një zyrë diplomatike atje.

Deri më tani Izraeli e ka vaksinuar diç më shumë se gjysmën e popullsisë së tij prej nëntë milionësh – përfshirë këtu edhe njerëzit që jetojnë në vendbanimet hebraike në territoret e okupuara – duke e bërë Izraelin shtetin lider në botë në shpërndarjen e vaksinave.

Mjekët palestinezë duke pranuar një dorëzim të vaksinave nga Izraeli në fillim të këtij muaji në Ministrinë e Shëndetësisë në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor. Foto: Associated Press

Në anën tjetër, vendimi i shtetit izraelit ka provokuar një indinjatë të madhe tek palestinezët sepse një gjë e tillë po konsiderohet si një vendim që i jep prioritet më madh aleatëve të Izraelit se sa palestinezëve të cilët jetojnë nën kontrollin e Izraelit në territoret e okupuara. Pothuajse, komplet popullata palestineze nuk e ka marrë asnjë vaksinë të vetme.

Izraeli ka premtuar një sasi prej dy herë më shumë vaksinash për vendet tjera po aq sa është edhe popullata palestineze prej 5 milionë sosh, të cilët jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Qeveria izraelite thotë se autoriteti palestinez është përgjegjës për organizimin e sistemit të tij të kujdesit shëndetësor, duke përmendur marrëveshjet e Oslos të viteve 1990, të cilat i japin autoritetit palestinez përgjegjësinë për kujdesin shëndetësor në territoret e okupuara.

Izraeli i ka dhënë 2,000 doza vaksine autoritetit palestinez dhe i ka premtuar edhe 3,000 të tjera, shifra këto simbolike, duke marrë parasysh madhësinë e popullsisë palestineze. Izraeli ka lënë të kuptohet se mund të shpërndahen më shumë vaksina për palestinezët megjithatë ende nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë.

Mark Regev, këshilltar i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se “vetëm pak javë më parë ishte pikëpyetje nëse kishim vaksina të mjaftueshme për qytetarët tanë dhe tani që kemi mjaftueshëm beson se mund të jemi më të afërt edhe me fqinjët tanë në këtë drejtim. Tutje, Regev shtoi se “virusi nuk ndalet në kufi dhe se edhe shteti izraelit e sheh të interesit që edhe palestinezët të jenë pjesë e vaksinimit”.

Mirëpo, të martën në mbrëmje, një zyrtar izraelit i sigurisë tha që departamenti ushtarak që koordinon midis Izraelit dhe udhëheqjes palestineze nuk kishte marrë ende autorizimin e qeverisë për të shpërndarë më shumë vaksina tek autoriteti palestinez.

Sido që të jetë rasti, vëzhgues të të drejtave të njeriut thonë se Izraeli duhet të organizojë një program sistematik vaksinash në territoret e okupuara, në vend që të shpërndajë disa mijëra rezerva vaksinash në mënyrë sporadike në të njëjtën kohë. Ata citojnë Konventën e katërt të Gjenevës, e cila detyron një shtet që ka okupuar pjesë të një territori që t’i bashkërendojë veprimet me autoritetet lokale në mënyrë që të mirëmbahet shëndeti publik brenda një territori të okupuar, përfshirë edhe situatat gjatë epidemive.